MUAJI I RAMAZANIT NË QYTETIN E DIBRËS

hasa
MUAJI I RAMAZANIT NË QYTETIN E DIBRËS

Manifestimi i muajit të Ramazanit në qytetin e Dibrës nuk përbën një punë të vështirë, sepse të gjithë qytetarët funksionojnë brenda një protokolli të detajuar tradicional, i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të shpërfillet

Nga h. Ramazan HASA

Tradita konsiderohet ndër treguesit më të mirë të ndikimit të një fenomeni shoqëror apo besimi në një mjedis të caktuar. Manifestimi i një ibadeti në mjedisin e një popullate apo qyteti të caktuar nënkupton se aty islami është pjesë e pandarë e asaj shoqërie.

Ashtu si në shumë treva shqiptare, edhe në qytetin e Dibrës, feja islame u përqafua nga të gjithë qytetarët islam qysh në shekujt XV-XVI. Që atëherë e deri sot janë kultivuar tradita të ndryshme të cilat lidhen me elementin fetar-islam, çdoherë duke ruajtur autoktoninë shqiptare. Pothuaj, në të gjitha ibadetet fetare-islame të cilat janë ngritur edhe në nivelin e traditës dibrane, përveç thelbit të ibadetit, atyre u është dhënë edhe nuanca tradicionale shqiptare dibrane.

Në mesin e këtyre ibadeteve të formësuara në tradita është edhe manifestimi i muajit të Ramazanit, për të cilat do të bëjmë fjalë më gjerësisht.

Muaji i Ramazanit ka një rend të caktuar për çdo qytetar dibran, secili e di se si do ta kalojë muajin e Ramazanit, çdo ditë e ka mirë të organizuar paraprakisht.

Ndonëse jashtë Ramazanit nuk janë të gjithë në një nivel sa u përket ushtrimit të ibadeteve fetare, si namazi, leximi i Kuranit etj., megjithatë, çdo familje dibrane, pa marrë parasysh fetarisë që posedon, përgatitet për ta pritur këtë mysafir të Zotit të Madhërishëm.

Aktiviteti fetar në Ramazan

Myftinia e Dibrës para çdo Ramazani merr iniciativa për inkurajimin dhe trajnimin e kuadrit fetar që gjatë gjithë muajit të jenë në gatishmëri për t’i shërbyer xhematit sipas nevojave dhe traditave vendore. Përveç kësaj, qyteti i Dibrës vazhdimisht i ka angazhuar të gjithë nxënësit dhe studentët e fesë që gjatë këtij muaji të jenë aktivë dhe të fitojnë përvojë të dyanshme. Po ashtu, edhe shërbyesit fetarë: imamët, hatibët, myezinët etj., të gjithë kanë qenë të kujdesshëm dhe të përpiktë në respektimin e direktivave të dhënë nga myfninia, të edukuar dhe të shërbyeshëm për çdo obligim tjetër ndaj xhematit.

Xhamitë e qytetit tonë vazhdimisht kanë mbajtur vijën tradicionale të manifestimit të muajit të Ramazanit. Përveç ibadeteve të cilat çdoherë janë kryer sipas shkollës juridike hanefite, siç është e përcaktuar me kushtetutë të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, po ashtu edhe shumë veprime tjera para dhe pas namazit të cilat janë njohur historikisht në qytetin tonë, kuadri fetar përpiqet që t’i kryejë në formë të përpiktë.

Ajo që bie në sy në qytetin tonë gjatë këtij muaji, gjë e cila e dallon nga qytetet tjera, është namazi i iqendisë. Qysh në ditën e parë të Ramazanit dhe deri në ditën e fundit, namazi i iqendisë falet vetëm në xhaminë kryesore “Xhamia e Teqes”, kurse në xhamitë e

tjera jo. Në këtë xhami, para namazit të iqendisë këndohet mukabele për shpirt të Muhamedit a.s. nga shtatë imamë e xhamive të qytetit, dhe e cila përfundohet në Natën e Kadrit me dua të përbashkët ku marrin pjesë një numër i madh i besimtarëve dibranë. Megjithatë, bukuria e namazit të iqendisë gjatë muajit të Ramazanit në qytetin tonë nuk përfundon këtu, pas çdo namazi (të iqendisë) mbahet një dersi-nasihat prej myftiut të qytetit apo prej një imami tjetër të autorizuar nga vetë myftiu. Kjo ligjëratë zakonisht nuk zgjatën më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) minuta dhe kryesisht trajton probleme që i lëngojnë vetë qytetarët.

Namazi i teravisë falet në të gjitha xhamitë. Gjysmë ose para namazit të teravisë në çdo xhami tregohet vazi-nasihat prej imamit të xhamisë. Duke pasur parasysh edhe strukturat e ndryshme të xhematit, kohëzgjatja e namazit të taravisë zakonisht është prej 45 deri 50 minuta, duke i respektuar të gjitha normat e domosdoshme (kushtet) për një namaz të mirëfilltë, por as për të mos i ngarkuar të pamundurit të cilët krahas dobësive fizike u janë drejtuar shtëpive të Zotit. Madje edhe salavatet dhe tekbiret pas selamit gjatë teravive janë të njohura tradicionalisht dhe këndohet bashkërisht nga gjithë xhemati.

Kur jemi tek aktivitetet fetare gjatë muajit të Ramazanit, duhet theksuar se në qytetin tonë nuk janë anashkaluar edhe nënat, motrat dhe bijat myslimane. Ato historikisht kanë qenë pjesëmarrëse në faljen e namazit të teravisë me xhemat. Madje, në kohën e Monizmit kur ushtrimi i fesë ishte i kufizuar, nënat dhe motrat myslimane ishin ato që fenë e ruajtën me fanatizëm brenda familjes dibrane. Kështu gjatë muajit të Ramazanit, myftinia e Dibrës tradicionalisht çdo ditë të diel dhe çdo natë të shënuar organizon ligjërata fetare vetëm për besimtaret myslimane. Efekti i këtyre ligjëratave është dhe ka qenë shumëdimensional, veçanërisht gjatë periudhës së Komunizmit. Nga pamundësia e prezencës së disa burrave nëpër xhami, të shtypur nga sistemi, dërgonin gratë dhe fëmijët, të cilat pastaj bëheshin mësuese fetare të familjeve dibrane.

Duke pasur parasysh se kohëve të fundit një rol të rëndësishëm në shoqëri luajnë edhe mediat, jemi përpjekur që gjatë muajit të Ramazanit t’i shfrytëzojmë të gjitha mediat lokale për t’u paraqitur diçka më shumë nga mësimet fetare dhe kultura e përgjithshme islame.

Kultura qytetare dibrane në Ramazan

Krahas ibadeteve të cituara më lartë, fryma e Ramazanit reflekton në të gjitha poret e qytetit: në familje, në shoqëri, në punë, në gëzim, në hidhërim etj.

Iftari në shumë vende të botës njihet vetëm si ushqimi që hahet pas agjërimit të një dite të plotë, por në qytetin tonë sofra e iftarit llogaritet edhe si mexhlisi ku bashkohet familja, shoqëria dhe farefisnia. Kjo sofër, të hidhëruarit i pajton, të larguarit i afron, të mërziturit i gëzon, të vetmuarit i shoqëron etj. Nuk ka familje dibrane në të cilën nuk shtrohet iftar, pavarësisht a agjëron një, dy apo të gjithë anëtarët e familjes.

Gjithashtu, çdo dibran e ka obligim që një iftar ta hajë tek çdo farefis dhe një ta shtrojë për çdo farefis. Është absurde të kalohet Ramazani pa ngrënë një iftar te vëllai, motra, xhaxhai, daja, halla, tezja, kushëriri etj. Pra, në një mënyrë Ramazani në qytetin tonë ka amortizuar shumë probleme dhe ka zgjidhur shumë zënka familjare. Ndoshta afrimi në sofrën e iftarit fillimisht ka qenë për të mos e kuptuar bota problemin familjar, por vetë afrimi njëri me tjetrin pastaj ka rezultuar me afrimin edhe të zemrave.

Është për t’u përmendur ambienti i cili formohet në qytet gjatë muajit të Ramazanit, ku me agjëruesin solidarizohet edhe i sëmuri, fëmija, plaku etj., bile edhe anëtarët e feve të tjera, kryesisht maqedonasit, të cilët asnjëherë nuk hanë e nuk pinë në publik gjatë Ramazanit, e gjitha për respekt të myslimanëve.

Në kohën e iftarit qytetin e Dibrës e mbulon një qetësi absolute, sepse nuk e shikon askënd në rrugë, të gjithë janë kthyer pranë familjeve të tyre, pavarësisht nëse agjëron apo nuk agjëron.

Dita e një agjëruesi në Dibër nuk mund të kalojë pa u takuar me një shok, dashamir apo familjar, me të cilin do të qajë një hall apo një dert.

Në këtë muaj mëshire dhe solidariteti, qytetarët dibranë të cilët jetojnë në Dibër dhe në diasporë, vazhdimisht e shtrijnë dorën e ndihmesës për të gjithë të varfrit e qytetit.

Manifestimi i muajit të Ramazanit në qytetin e Dibrës nuk përbën një punë të vështirë, sepse të gjithë qytetarët funksionojnë brenda një protokolli të detajuar tradicional, i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të shpërfillet, duke filluar nga ushqimet tradicionale të veçanta për këtë muaj, të cilat përgatiten me muaj përpara, deri te ngrohtësia shpirtërore familjare, shoqërore dhe qytetare që fitohet gjatë këtij muaji.

(Autori është myfti i Dibrës)

Comments are closed.