Muaji i ndriçimit

167

Nën thjerrëz
Muaji i ndriçimit
Në këtë muaj myslimanët duhet të bëhen qendër e ndriçimit, llambë e udhëzimit, kujdestarë të nderit, luftëtarë kundër punëve të liga, krenarë me fenë së cilës i takojnë, krenarë me nderin, mbrojtës të moralit
Shkruan: mr. Fatmir Zaimi
Na ka ardhur ne myslimanëve një mundësi e madhe, një muaj i cili është i veçuar me nderim dhe respekt, në të cilin muaj Allahu e ka zbritur Kuranin, e ka obliguar agjërimin; është muaj i namazit dhe leximit të Kuranit, është kohë e lirimit nga zjarri dhe i faljes, është kohë e sadakave dhe bamirësisë, është muaj ku vijnë të mirat një pas një, e bereqeti e kaplon çdo gjë.
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu jua ka bërë të obligueshëm agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët e inatosur. Allahu [subhanehu ve teala] në këtë muaj ka një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Nesaiu, Sahih).
Muaji i Ramazanit është muaji më i ndershëm dhe më i vlefshmi tek Allahu xh.sh.. Allahu këtë muaj e ka bërë mejdan për robtë e tij, ku do të bëjnë gara në shumë adhurime dhe respekte. Muaji i Ramazanit është mundësi për pastrim të shpirtit dhe për filtrimin e tij nga urrejtja dhe mllefi. Ai që e pret Ramazanin me mëkate, duke qenë i padëgjueshëm ndaj prindërve, nuk i përfill raportet familjare, nuk u flet vëllezërve të vet, goja e tij është përplot përgojim dhe bartje të fjalëve, ai e ka shumë vështirë të përfitojë diç nga Ramazani.
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Ai që nuk i lë fjalët e rrejshme, por vepron sipas tyre, Allahu nuk ka nevojë që ai të lë ushqimin dhe pijen.” (Buhariu)
Agjërimi më i lehtë është lënia e ushqimit dhe e pijes.
Të parët tanë, nga gjeneratat e para, kur agjëronin qëndronin në xhami dhe thoshin: “E ruajmë agjërimin tonë, e nuk përgojojmë askënd.” (“Mugniu” i Ibn Kudames, 3/ 59)
Në këtë muaj i përvjelin krahët njerëzit seriozë për ta respektuar Allahun, duke i falur namazet me xhemat, duke falur teravinë me imam, duke lexuar Kuran me meditim dhe frikë-respekt, duke u dhënë sadaka nevojtarëve, qofshin të afërm, fqinjë ose të largët, pastaj dhënia iftar agjëruesve.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush ushqen një agjërues, ka shpërblim sikur të atij, duke mos iu pakësuar agjëruesit aspak shpërblimi.” (Tirmidhiu, Sahih)
Duhet shtuar dhikrin, lutjen, kërkimin e faljes (istigfarin), e sidomos gjatë iftarit, sepse agjëruesi ka lutje të pranuar në kohën e iftarit, në pjesën e tretë të natës, dhe thotë: “Kush më lutet, që t’i përgjigjem?”
Duhet shtuar bamirësinë tonë ndaj prindërve, duhet sjellë me dashuri ndaj tyre, duhet bërë mirë gruas, fëmijëve, familjes, duke i udhëzuar me fjalë të urta, me fjalë të mira, me sjellje korrekte; duke vizituar farefisin, duke u dhënë sadaka atyre që kanë nevojë, duhet kujdesur për fqinjët, duhet njohur gjendjen e tyre, duhet zgjatur dorën e ndihmës varfanjakëve, skamnorëve, të vejave, jetimëve, sepse kështu kanë vepruar burrat e mirë në këtë muaj të bekuar.
Prej veprave më të mira që mund t’i bëjë njeriu pasi ta përmirësojë vetveten, është të thërrasë në fenë e Allahut, të kujdeset për udhëzimin e njerëzve, për të përmirësuar moralin dhe sjelljen e tyre, nëse eventualisht është dobësuar.
Allahu xh.sh. thotë: “E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret në rrugë të Allahut, vepron (punë) të mira dhe thotë: “Unë jam prej myslimanëve?” (Fussilet: 33)
Mejdanet e thirrjes janë të gjera, duke filluar nga këshilla e sinqertë, fjalimi i vërtetë, shëmbëlltyra e mirë, dija dhe praktika, devotshmëria dhe morali. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush thërret në udhëzim, ka shpërblim, sikur të atyre që e pasojnë, duke mos u pakësuar aspak nga shpërblimi i tyre.” (Muslimi)
Në agimin e hershëm të mëngjesit, në kohën e syfyrit, në kohën kur u lotojnë sytë njerëzve që i frikësohen Allahut, disa njerëz të privuar vrapojnë kah mëkatet, duke e shndërruar Ramazanin në kohë të mëkateve, duke e hedhur shikimin andej e këndej, në gjëra të ndaluara, duke dëgjuar këngë e muzikë të degjeneruara, duke shikuar programe dhe filma të llojllojshëm, duke e tepruar në lojëra, argëtim dhe dëfrim. Ata nuk ia dinë vlerën kohës, e as nderin që e ka Ramazani. Ata vetvetes i kanë sjellë fatkeqësinë, shpirtrat e tyre i kanë futur në vuajtje. A nuk e dinë ata njerëz se nuk ka kënaqësi tjetërkund, përpos në adhurim dhe se çdo kënaqësi në haram e shpie në keqardhje dhe pendim.
Allahu xh.sh. thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” (Taha: 124)
Dëshpërimi dhe demoralizimi janë armë të shejtanit dhe ato e mbajnë në mëkate njeriun. Megjithatë, njeriu sado që bën mëkate dhe punë të liga, nuk duhet ta humbë shpresën në mëshirën e Allahut, sepse pendimi i shlyen mëkatet që janë bërë më herët, kthimi te Zoti i eliminon gabimet e bëra më parë. Ai që ka bërë mëkate, e ka një shans shumë të madh këtë muaj të bekuar të Ramazanit, sepse Ramazani është kohë e pendimit dhe e kthimit, ndërsa shejtanët janë prangosur, e shpirti është thyer.
Allahu xh.sh. i thërret njerëzit: “Thuaj: ‘O robtë e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues’!” (Ez-Zumer: 53). Në hadithin Kudsi thuhet: “O biri i Ademit. Nëse më lutesh dhe Mua më ke shpresë, t’i fal mëkatet që i ke bërë dhe nuk brengosem. Biri i Ademit, nëse mëkatet tua arrijnë kupën e qiellit dhe kërkon falje, unë ta fal. Biri i Ademit, nëse më vjen me mëkate sa toka, e më takon duke mos më bërë ortak (shirk) në adhurim, do të sjell po aq falje.” (Tirmidhiu, Hasen)
Llokmani e porosit djalin e vet: “Djali im, mësoje gjuhën tënde të thotë: Allahu im, më fal, sepse Allahu i ka disa çaste që nuk e kthen lutësin bosh.” (Bejhakiu në “Shuabul-Iman”)
Shenjë e pendimit është përlotja për kohën e kaluar, frika nga rënia në mëkat, si dhe largimi nga shokët e këqij, pra e shoqërimi me njerëz të mirë dhe të devotshëm.
Në këtë muaj shumë njerëz nisen kah falja e Allahut! Sa e sa njerëz pendohen në këtë muaj, sa e sa njerëz kërkojnë falje për mëkatet e tyre në këtë muaj, sa e sa njerëzve iu vjen keq për kohën e kaluar në mëkate.
Në këtë muaj myslimanët duhet të bëhen qendër e ndriçimit, llambë e udhëzimit, kujdestarë të nderit, luftëtarë kundër punëve të liga, krenarë me fenë së cilës i takojnë, krenarë me nderin, mbrojtës të moralit. Nuk duhet të dëgjohen fare ata që kanë mendime të sëmura, që nxjerrin nga goja fjalë të këqija. Myslimanët duhet të kenë kujdes që mos të bëhen litar i shejtanit në këto ditë të vlefshme, të mos ekspozohen duke ecur gati gjysmë lakuriq. Gruaja myslimane nuk duhet të pranojë në shoqërinë e saj një shoqe të keqe! Vendi i gruas është në shtëpinë e saj, kurse vendi më i urryer tek Allahu është tregu.
Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i Ramazanit, kur (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni.” (El-Bekare: 185)
(Autori është Referent edukativo-arsimor në Myftininë e Shkupit)