Muaji i aktiviteteve të ngjeshura-Rezyme

Rezyme

Muaji i aktiviteteve të ngjeshura

Plani zhvillimor i Rijasetit, i hartuar për Muajin Ramazan, konsiston në dy pika kyçe: në takimin me myslimanët tanë në vend dhe diasporë, me qëllim që të raportohet para tyre për punën e bërë në mes të dy Ramazaneve por edhe për t’i dëgjuar hallet dhe kërkesat e tyre. Veç kësaj, në takimet e ndryshme bilaterale shfrytëzohet mundësia për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga partnerët tanë që shprehin interesim dhe gatishmëri për t’i ndihmuar myslimanët e vendit si dhe perspektivat e islamit ndër ne.

Nga Irsal Jakupi
irsal...

Kaluam edhe një Ramazan përplot me sfida, shyqyr Zotit, të këndshme, me agjërim të mbarë e me shumë ibadete. Përgjithësisht, muslimanët e vendit, si rallë herë, kanë përjetuar një Ramazan të qetë, kurse Shtëpia e tyre, Bashkësia Fetare Islame ka qenë në krye të detyrës, dhe ka përmbushur me përpikshmëri objektivat e parapara në planin zhvillimir të hartuar nga Rijaseti i BFI-së enkas për këtë Muaj të Shenjtë.
Tashmë me dekada të tëra vazhdon po ajo traditë e trasuar dhe e zhvilluar nga gjeneratat e mëhershme që, gjatë Muajit të Ramazanit, të gjitha xhematet e vendit, çdo xhami, të ketë të angazhuar imamë me qëllim që obligimet fetare që dalin nga ky Muaj të kryhen mirë e mbarë, pa kurrfarë pengesash. Për këtë qëllim, BFI tash e sa kohë në terren për Ramazan angazhon edhe medresantët dhe studentët e FSHI-së. Veç kësaj, komisione të ndryshme, të ngritur paraprakisht nga Rijaseti, çdo ditë, deri në orët e vona të natës, janë në terren, duke i vizituar të gjitha qendrat, fshatrat dhe vendbanimet myslimane të vendit. Pothuajse është vizituar çdo xhami cep më cep vendit. Natyrisht, janë mbajtur edhe ligjerata fetare, përpos që janë ndihmuar në kryerjen e obligimeve si dhe të riteve fetare që janë karakteristikë e këtij Muaji.
Përmes planit mirë të detajuaj nga komisioni i posaçëm për bashkëpunim me mediat e vendit, kemi arritur që, thënë metaforikisht, çdo ditë të jemi në çdo shtëpi të myslimanëve të vendit. Kemi realizuar me mirëja minuta e me qindar orë emisione televizive si dhe të radiove. Janë zhvilluar shumë tv intervista si me Reisul Ulemanë tonë ashtu edhe me shumë personalitete të respektueshëm të proviniencës islame të vendit. Portalet në gjuhën shqipe kanë qenë të furnizuar çdo ditë me tema që kryesisht i janë kushtuar Muajit të Ramazanit. Për këtë qëllim, madje këta portale kanë hapur edhe rubrikë të veçantë kushtuar këtij Muaji ku publikoheshin dhe arkivoheshin të gjitha shkrimet e porosituara nga teologët tanë të respektuar. Kjo flet për një intensifikim të bashkëpunimit të ngushtë në mes mediave elektronike dhe BFI-së. Ndjejmë obligim të veçantë që t’ju shprehim falënderime me gjithë shpirt këtyre mediave të vendit.
Nga ana tjetër, edhe në sferën e bamirësisë kemi qenë mjaft të sukseshëm. Falë punës së stafit të OH HILAL, kemi arritur që të trokasim në dyert e mbi 10 mijë familjeve skmanorë e të varfër, myslimanë të vendit. Natyrisht, kjo është realizuar në mënyrë shumë transparente edhe falë angazhimit të sinqertë të këshillave të xhemateve të vendit, të myftive dhe të operativës së tyre, por edhe i asociacioneve të ndryshme, si Këshilli rinor i Tearcës, Rruga e Vërtetë, Shoqata e Veteranëve të luftës (Shkup), OJQ e Strumicës, Union i Nxënësve Shqiptar të Maqedonisë, Shoqata e invalidëve të punës në Çair etj.
Me angazhimin dhe me reputacionin e parezervë që e gëzon Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, kemi arritur të sigurojmë një kontigjent humanitar me mijëra pako me artikuj ushqimor e higjienik, nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfit të Turqisë. Pa dyshim, meritojnë falënderime shumë të sinqerta edhe Organizata RAF e Katarit si dhe disa kompani të vendit, të cilat kanë donuar ndihma deri në OH HILAL që tashmë gëzon një besueshmëri të paluhatur te partnerët e shumtë.
Një prej eventeve mjaft të rëndësishëm që është ndërmarrur gjatë këtij Muaji ka qenë edhe Iftari i përbashkët të cilin çdo vjet e shtron Reisul Ulema duke ftuar në darkë përfaqësues të ndryshëm të jetës politike, liderë partish, ministra, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të korit diplomatik në vend, përfaqësues të botës akademike, të mediave, të shoqërisë civile, myfti dhe nëpunës të Bashkësisë Fetare Islam. Vlenë të nënvizohet fjala përshëndetëse e Reisul Ulemasë i cili, me këtë rast, veç të tjerash do të nënvizojë se “Filozofia e një iftari të këtillë nuk është vetëm një takim formal gjithëpërfshirës, nuk është vetëm, thjesht, ngrënie e një vakti në një kohë të caktuar! Mbi të gjitha, ky takim ka kuptimin e demonstrimit të unitetit të përgjithshëm, unitet ky që reflekon respekt, dashuri, mirëqenie. Zaten, takimet e këtilla, ndonëse pa fjalë, përçojnë mesazhe kuptimplote se këtu ka jetë, ka koherencë dhe ka paqe në një kornizë ku divergjencat kulturore e fetare i japin kuptim pamjes që paraqet realitetin tone”.
Natyrisht, janë mbajtur edhe një sërë aktivitetesh të tjera, tryeza, debate si dhe çaste kushtuar datave dhe ngjarjeve shumë të rëndësishme islame si dhe personaliteteve të respektueshëm të vendit që kanë dhënë kontribut shumë të çmueshëm në zhvillimin dhe në avansimin e Islamit në vendin tonë.
Gjithësesi, në planin zhvillimor të Rijasetit, të hartuar enkas për Muajin Ramazan, vend të posaçëm ka zënë edhe përkujdesi ynë institucional ndaj diasporës sonë. Për herë të parë, sivjet, në prag të Muajit të Ramazanit BFI themeloi Sektorin e vet për diasporë dhe, komisioni i posaçëm, për afër tri javësh kanë qëndruar në mesin e myslimanëve tanë të shpërndarë nëpër shtetet e ndryshme evropiane, si në Zvicër, Austri, Gjermani, Belgjikë etj.
Në vazhdën e bashkëpunimit me Institucionet ndërkombëtare islame është edhe takimi i delegacionit të Agjencionit për Hallall Standard, të cilin e realizoi gjatë shënimit të ditës botërore të Hallal Standardit, me drejtorin e Organizatës Botërore të Hallall Standardit, dr. Hysein Kami Bujukozer, si dhe me anëtarin e kryesisë së GIMDES-it dr. Majed Al Hariri, me të cilët është diskutuar kryesisht rreth mundësive të avansimit të Hallall Standardit në Maqedoni.
Një aktivitet i veçantë është edhe qëndrimi i Reisul Ulemasë së BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi në Ankara të Turqisë ku do të takohet me Kryetarin e Dijanetit të Republikës së Turqisë, Mehmet Gormez. Gjatë këtij takimi, përveç bisedave lidhur me marëdhëniet reciproke për të cilat u konstatua se duhet edhe në të ardhmen të jenë të nivelit më të lartë, në këtë takim u bisedua dhe u arritë marrëveshje përfundimtare që Dijaneti i Turqisë të mundësojë në afat sa më të shpejtë ngritjen e xhamisë dhe të kompleksit në lagjen Tophanë të Shkupit. U vendos që gurthemeli i kësaj xhamie dhe kompleksi islam të hidhet shumë shumë shpejtë, pas festës së Bajramit.
Thënë shkurt, plani zhvillimor i Rijasetit të hartuar për Muajin Ramazan konsiston në dy pika kyçe: në takimin me myslimanët tanë si në vend ashtu edhe në diasporë, me qëllim që të raportohet para tyre për punën e bërë në mes të dy Ramazaneve por edhe për t’i dëgjuar hallet dhe kërkesat e myslimanëve tanë kudo qofshin ata. Kjo na ndihmon shumë në hartimin e pikave si objektivë të veçantë për planet dhe punën që na pret menjëherë pas Muajit të Ramazanit. Veç kësaj, në takimet e ndryshme bilaterale shfrytëzohet mundësia për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga partnerët tanë që shprehin interesim dhe gatishmëri për t’i ndihmuar myslimanët e vendit si dhe perspektivat e islamit ndër ne.
Natyrisht, na presin shumë punë. Interesimi i myslimanëve të vendit për të ndjekur mësimet në shkollën e mesme fetare islame gjithnjë e më shumë po shtohet. Po shtohen edhe paralelet e shpërndara të Medresesë sonë. Po rritet moderniteti dhe teknologjia të cilat po imponojnë të tjera metoda dhe organizime të punës. Janë këto sfida të cilat shumë vështirë mund të përballohen pa ndihmën e myslimanëve të vendit dhe të diasporës. Kjo ndihmë qoftë morale qoftë materiale nuk i ka munguar asnjëherë BFI-së, kurse ky Ramazan ka dhënë garanca të forta se myslimanët e vendit dhe ata në diasporë janë shumë fort të interesuar për unitetin e trungut tonë fetar e kombëtar si dhe për mirëmbajtjen dhe avansimin e organeve dhe të Institucioneve tona fetare arsimore. Zoti na pastë nën Mëshirën e Vet dhe paçim bekimin e Tij. Amin!

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i BFI në RM)

Comments are closed.