Moskujdesi gjatë agjërimit

dekaniMoskujdesi gjatë agjërimit

Shpenzimet e pakontrolluara në segmentin e konsumit ushqimor janë faktor i radhës që ndikon në uljen e cilësisë së agjërimit. Tendenca e agjërimit nuk qëndron në atë që agjëruesi të bie nën ndikimin e moskontrollit me rastin e konsumimit të gjërave ushqimore dhe pijeve në iftar

Nga Doc. Dr. Faredin Ebibi

Tanimë botërisht është e njohur që agjërimi është obligim i detyrueshëm fetar për çdo mysliman që i plotëson kushtet. Megjithatë, disa agjërues nga mosdija ose nga moskujdesi shpeshherë bëjnë lëshime të atilla të cilat u përkasin prioriteteve, e që ndoshta mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e agjërimit, përkatësisht në pakësimin e shpërblimit të garantuar nga ana e Krijuesit. Si pasojë e moskujdesit, agjëruesi mund të vijë në kundërshtim me parimet bazë të rregullave të agjërimit.
Mosarritja maksimale e rezultateve nga agjërimi shkaktohet nga shumë faktorë. Faktori i parë ndoshta mund të jetë mosnjohja sa duhet e rregullave fetare, të domosdoshme, që ndërlidhen me mënyrën e realizimit të agjërimit, të caktuara nga Krijuesi i gjithësisë dhe të zhvilluara në formën dhe mënyrën nga vetë i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi vesel-lem].
Besimtari i arsyeshëm detyrimisht duhet të ketë njohuri të nevojshme që me sukses të mund të realizojë formën dhe mënyrën e duhur të adhurimit përkatës. Nga motivi se një përgatitje e tillë paraqet vlerë, ndërkohë paraqet edhe obligim individual fetar. Atij që Allahu i dëshiron mirësi, e aftëson atë në fe (në njohjen e parimeve të fesë).” (Buhari, 1422 (1) 24)
Faktor i radhës që ndikon në minimizimin e cilësisë së agjërimit është mungesa e ndërgjegjes, e drojës nga Allahu dhe e kodit fetar.
“Kini drojë të vërtetë nga Allahu!” Ne, falë Zotit, o i dërguar i Allahut [sal-lall-llahu alejhi vesel-lem], i druhemi Atij – u përgjigjën ata. “Jo, nuk qëndron poenta aty, por fjala është për druajtje reale e të vërtetë; të ruash kokën bashkë me atë që nxë ajo; stomakun bashkë me atë që përmbledh ai; të kujtosh vdekjen dhe sprovën (e botës së përtejme). Ai që aspiron botën tjetër, përmbahet nga bukuritë e kësaj bote. Ai që i merr parasysh këto gjëra, vërtet ai ka druajtje reale nga Allahu,” është përgjigjur i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi vesel-lem]. (Tirmidhi, 1998 (4) 280)
Si konstatim mund të thuhet fakti se nga agjëruesi kërkohet të jetë i kujdesshëm gjatë agjërimit, të jetë i vëmendshëm në ruajtjen e gjymtyrëve nga veprimet që Krijuesi nuk është i kënaqur. Ngase, nuk kërkohet vetëm aspekti formal nga agjërimi, por diçka që është më thelbësore, që është më e përgjithshme se distancimi i thjeshtë nga konsumimi i gjërave ushqimore dhe pijeve.
Në pyetjen drejtuar të dërguarit të Allahut [sal-lall-llahu alejhi vesel-lem], se cila gjymtyrë është shkak për futjen e njerëzve në zjarr (skëterrë)? ا “Goja dhe organi gjenital”, është përgjigjur ai. (Ahmed, 2001 (13) 287)
Faktor tjetër që e zbeh ose që e zhvlerëson cilësinë e agjërimit është shikimi në ato gjëra për të cilat Allahu ka ndaluar. Nga motivi se edhe këtu kemi të bëjmë me një lloj ose me njëfarë forme të agjërimit, i ashtuquajtur agjërim nga shikimi në gjëra të ndaluara. Në këtë kontekst në Kuran është theksuar:
“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre…” (Kuran, 24 : 30-31)
Shpenzimet e pakontrolluara në segmentin e konsumit ushqimor janë faktor i radhës që ndikon në uljen e cilësisë së agjërimit. Shprehja shpenzim do të thotë tejkalim i kufirit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për gjëra ushqimore, për fjalë apo për veprime. Në Kuran është theksuar:
Shpenzimi mund të jetë në dy aspekte; në sasi dhe në formë. Ajo që është shpenzuar jo për hir të Allahut, sipas Sufjan Thevriut konsiderohet shpenzim. Për atë se në Kuran është theksuar:
“ … mos e teproni, pse Ai nuk i do shkapërderdhësit.” (Kuran, 6 : 141)
Gjithashtu, edhe derdhja e ushqimit gjithandej dhe pa kontroll nuk tolerohet nga aspekti fetar. Në këtë kontekst në Librin e shenjtë është theksuar:
“ … mos shpenzo tepër pa rrugë. Ata që shpenzojnë tepër janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.” (Kuran, 17 : 27)
Si rezultat i moskujdesit, mosvëmendjes dhe mosrespektimit të kodit të agjëruesit të denjë, shumë njerëz – sidomos gjatë muajit të agjërimit – bëjnë shpenzime të tepërta dhe të panevojshme, duke përfunduar më pas ushqimi i tepërt në koshin e hedhurinave. Një praktikë e tillë nuk arsyetohet në asnjë mënyrë nga perspektiva e udhëzimeve të Muhamed Mustafasë [sal-lall-llahu alejhi vesel-lem].
“Hani, pini, vishuni dhe jepni lëmoshë pa mos e tepruar” Nga ana tjetër, në Kuranin e bekuar është theksuar:
“Hani dhe pini e mos e teproni, pse ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (Kuran, 7 : 31)
Faktor tjetër i cili ndikon në zbehjen e cilësisë së agjërimit është presioni, përkatësisht shtypjet ndaj amvisave ose zonjave të shtëpisë që të gatuajnë ose të përgatitin ushqime të llojllojshme për iftar, duke mos mbajtur llogari se edhe ato kanë agjërim dhe obligime të tjera, siç është falja e kohëve të namazit. Kjo do të thotë se edhe ky segment është shumë i rëndësishëm, që ndërlidhet në mënyrë indirekte me cilësinë e procesit të agjërimit.
Faktor tjetër është fakti i mosrespektit të standardeve që kanë buruar nga praktika e Muhamedit [sal-lall-llahu alejhi vesel-lem], siç është ngrënia e syfyrit. Shumë agjërues, ndoshta nga mosdija, nuk i përfillin udhëzimet, të cilat në vete bartin urtësi në kuptim të sendërtimit të konceptit të përgjithshëm të procesit të agjërimit. Në këtë drejtim në Kuran është theksuar: “Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkati.” (Kuran, 51 : 18)
(Autori është docent, i punësuar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, në postin Dekan)

Comments are closed.