Mirënjohje nga Ambasada e Shqipërisë për Reisin

Mirënjohje nga Ambasada e Shqipërisë për Reisin

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Shkëlqesia e Tij Fatos Reka, ka vizituar më 3 shkurt, 2020, Rijasetin e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, Kryetarit të BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i ka dorëzuar Certifikatë Mirënjohje me këtë motivacion: “Në vlerësim dhe me mirënjohje shtetërore për gatishmërinë humaniste, si dhe për aktet frymëzuese të solidaritetit më të lartë qytetar pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri”.
Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi ka falënderuar Ambasadorin Reka për Mirënjohjen që i akordohet, duke thënë që institucioni i Bashkësisë Fetare Islame kurdo dhe në çdo kohë ka qenë, është dhe të jetë në përkrahje të gjithë atyre që kanë nevojë, për shkak se edhe vetë ekzistenca e saj mbështetet nga zeqati dhe sadakaja e besimtarëve islamë. Ka qenë e pamundur të qëndronim indiferentë pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë – ka thënë ai – duke shtuar se BFI dhe organizata e saj humanitare “Hilal” të njëjtën gjë kanë bërë dhe do të bëjnë për cilindo vend që gjendet në nevojë. Ai po ashtu është lutur për më shumë besim nga ana e besimtarëve, sepse – ka thënë ai – duke qenë më afër Krijuesit, më afër Zotit, ne mund të jemi edhe më pranë njëri-tjetrit, në të mirë dhe në vështirësi.
Ambasadori Fatos Reka dhe Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi gjatë takimit kanë biseduar për shumë tema me interes të ndërsjellë, pastaj për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, si dhe për mbështetjen e proceseve të shoqërive respektive dhe inkuadrimin e tyre në Bashkimin Evropian, bashkë me Maqedoninë e Veriut, pas inkuadrimit të saj në NATO e kështu me radhë.

Comments are closed.