Mevludi

bfi

Nga Rexhep Ziberi

 

Muslimanët në mbarë botën, pra edhe në viset tona, për çdo vit me rastin e 12 rebiul-evvelit, ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s., organizojnë manifestime të rastit, lexime mevludesh dhe gazmende të ndryshme. Në këtë mënyrë, të gëzuar e të lumtur, shprehim dashuri dhe respekt ndaj Pejgamberit a.s., jetës së tij, detyrës dhe mësimeve pejgamberike që na i ka lënë në amanet.

Ditëlindja e Muhammedit a.s. është një ngjarje e shënuar, që festohet me gëzim e kënaqësi të veçantë nga të gjithë muslimanët e rruzullit tokësorë. Ditëlindja e Muhamedit a.s. që njihet si dita e Mevludit, po thuaj se në tërë botën muslimane është bërë zakon të festohet duke e kënduar biografinë e Muhamedit a.s, si dhe duke mbajtur fjalime e ligjerata mbi jetën dhe veprën e Pejgamberit a.s.

Tema e Mevludit është një temë shumë e gjërë e cila meriton që të shtjellohet në dimensione të ndryshme, ngase dobitë e tij janë të panumërta. Mirëpo, në rastin tonë, meqë natyra e webfaqes kufizon hapësirën për shtjellim më të detajuar të shkrimeve të kësaj natyre, temën në fjalë do ta trajtojmë në mënyrë sa më koncize.

Faktet historike vërtetojnë  se muslimanët kanë filluar shumë herët ta manifestojnë datën e lindjes së Pejgamberit a.s. Banorët e Mekkes, më 12 rebiu’l-evvel, ditën e lindjes së të Dërguarit të  Allahut xh.xh., për çdo vit e vizitonin xhaminë e cila ka qenë e ndërtuar në vendin ku më parë ekzistonte shtëpia ku është lindur Pejgamberi a.s. Poezia është shënuar që nga koha e Pejgamberit a.s. madje e inspiruar edhe nga vetë ai. Lidhur me poezinë vetë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Poezia është një gjë që të bukurën e bënë më të bukur dhe të keqen e bën më të keqe”. (Buhariu)

Veprat, të cilat e lavdërojnë dhe i theksojnë cilësitë e Muhammedit a.s. filluan të shkruhen duke qenë ai ende gjallë, siç ishte rasti me vetë poetët e kohës së Pejgamberit a.s. me Hasan ibn Thabitin me poezitë e mirënjohura “el Ajnije”, “El Hemzije”, Ali ibni ebi Talibin që ka thurur lëvdata për Pejgamberin a.s., prozë në formë të hutbeve, Ka’b ibn Zuhejrin të cilët shkruanin vargje për personalitetin e Pejgamberit a.s.,  madje është  i njohur rasti me Kabin dhe kasiden e famshme të tij “Kasidetul Burde”. Kur Kabi kishte arritur te vargjet: “Pejgamberi është dritë me të cilën ndriçohemi, Luan nga shpatat e zhveshura të Indisë”, Pejgamberi a. s, kishte ndërhyrë dhe e kishte korrigjuar: “… nga shpatat e Allahut”, ndërsa Kabi e kishte përmirsuar vargun”. (Transmeton ibni Hishami)

Poeti më i njohur i muslimanëve në kohën e Pejgamberit a.s Hasan ibni Thabit në një kaside kushtuar Muhamedit a.s thotë :

 

Më të mirë se  ty s’kanë parë kurrë syt e mi

Më të bukur se ty s’kanë lindur gratë ndonjë fëmi

Ti je krijuar i pastër nga çdo e metë

Sikur t’ishe kriju’ ashtu si ke dashur vetë.

 

Komentatori i famshëm shqiptar i Kuranit fisnik, H.Ibrahim Dalliu, për Pejgamerin a.s.  pat shkruar shumë  vargje, ndër të cilat veçojmë:

 

O Muhamed ty ta ka uha e gjithë bota

Se i ke mundur të gjitha besimet e kota

Me plot argumente të plota…

 

Kremtimi i Mevludit si një manifestim që i kushtohet ditëlindjes së Pejgamberit a.s. ka filluar në shekullin e IV të hixhretit, gjegjësisht në shekullin e dhjetë Miladij.  Mevludi për së pari herë ka filluar të kremtohet nga dinastia Fatimite në Egjipt (909-1171) duke filluar nga dymbëdhjetë rebiul evveli dhe zgjaste deri në fund të muajit të Mevludit.  Ndër mevludet e para në gjuhën turke njihet  Mevludi i Sulejman Çelebiut (1409), dhe, njëherit, konsiderohet si vepër e parë e këtij lloji.

Formën e mevludeve, lavdeve dhe konsideratave për Pejgamberin a.s. e gjejmë edhe te populli ynë, por ajo që vlenë të theksohet është se pikërisht shumica e këtyre mevludeve janë shkruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare  nga personalitete dhe dijetarë të shquar e të dëshmuar, si në rrafshin fetar ashtu edhe në rrafshin kombëtar dhe, pikërisht për këtë mevludi konsiderohet si mjet i ruajtjes së vlerave fetare islame ndër shqiptarët.

Pra, përpilimi i mevludeve në gjuhën shqipe ka filluar që në periudhën e  Rilindjes Kombëtare dhe është shkruar nga rilindasi ynë i shquar  Hasan Zyko Kamberin me dy poemat islame të tij “Lindja” dhe “Miraxhi” (shek. XVIII), që njihen si mevludi i parë në gjuhën shqipe nga shumë studiues shqiptarë dhe ka vazhduar deri në ditët tona.

Në gjuhën shqipe janë botuar mbi 30 lloje të mevludeve siç janë ai i Hafiz Ali Ulqinakut më 1878, Hafiz Ali Korçës më 1900, Ahmed Shkodrës më 1926, Hafiz Abdullah Zemlakut më 1931, Hafiz Ibrahim Dalliut më 1934, Tahir Ef. Popovës më 1944, Zejnulla Jasharit më 1973, Idriz Lamës më 1982, Fahrudin Osmanit më vitin 1984, Shefki Hoxhaj më 1982, Mevludi çam i Fahri Deharit më 2000 etj.

Manifestimi i lindjes së Pejgamberit a.s që njihet me emrin Mevlud, në trevat tona shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm, qoftë në përhapjen e fesë Islame apo vlerave njerëzore  në përgjithësi. Gjatë sistemit monist-komunist kur njerëzit kishin frikë të identifikoheshin me identitetin e vërtetë fetarë islam e lëre më të shkonin në xhami për tu falur, mevludi ishte ura e vetme që lidhte interpretuesit fetar me popullatën muslimane. Askush nuk mundet që ta kontestojë rolin e mevludit në këtë aspekt dhe kushdo që mundohet ta nënvlerësojë, ta nënçmojë apo ta anashkalojë efektin e tij, lë të nënkuptoshë se, ai, ose nuk është i informuar mirë me kohë ose është shërbëtor i  dreqit.

Në kohët e sotit mevludet  zënë vendin e merituar si nëpër familjet ashtu edhe nëpër  shoqëritë tona islame. Kjo traditë e mevludeve nëpër familjet tona islame, ku ftohen familjarët, miqtë, fqinjët dhe dashamirët, përveç që tregon gëzimin dhe dashurinë që kemi ndaj Pejgamberit a.s. ai mundëson edhe mësimin e islamit, por ajo që është e pa kontestuar në këtë çështje është se mundësohet zgjerimi i rrethit ku njerëzit njihen dhe përforcojnë miqësinë e tyre mes veti.

Mevludi në vete  bartë mesazhin edukativ, kulturor si dhe mesazhin e dashurisë, sinqeritetit dhe përkushtimit ndaj Krijuesit Absolut.  Mevludi në brendësinë e tij është i mbushur plot e përplot adhurime të ndryshme duke u nisur nga leximi i Kur’anit famëlartë, këndimi i salevateve mbi Muhamedin a.s., përshkrimi i jetës  dhe veprës së Muhamedit a.s., dëgjimi e ligjëratave fetare, shtruarja e pyetjeve të ndryshme fetare, krejt në fund për të nxjerrë mësime dhe mesazhe që do të na nevojiten në jetën tonë të përditshme.

Duke marrë parasyshë faktin se mevludi ka luajtur dhe luan një rol të madh në ruajtjen e vlerave kulturore e fetare te ne shqiptarët edhe instititucioni më i lashtë në këta treva, Bashkësia Fetare islame e RM, në kuadër të shumë aktiviteteve të saj i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të veçant pritjes së Natës së lindjes së Pejgamberit a.s., dhe në asnjë moment nuk e la pas dore organizimin e Mevludit me të gjitha format e saj në tërë territorin e Maqedonisë. Organet dhe institucionet e BFI-së respektivishtë, muftinitë e BFI-së në tërë territorin e vendit në prag të Natës së lindjes së Mësuesit të njerëzisë, nëpër të gjitha xhamitë e vendit, organizojnë manifestimin dhe leximin e Mevludit duke e shoqëruar ate me ligjërata të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Pejgamberit a.s. nga këndvështrime të ndryshme.

 

Qëndrimi i dijetarëve islam rreth mevludit

 

Tubimet në të cilat lexohet Kurani famëlartë, në të cilat lexohet Mevludi, ku shpjegohet jeta e Pejgamberit a.s dhe ligjerohet Islami,  konsiderohen tubime  të frytshme, apo, sipas terminologjisë islame, tubime  të adhurimit, për të cilat Pejgamberi a.s në hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliku r.a. ka thënë: “Kur të kaloni pranë kopshteve të xhenetit, pushoni. Të pranishmit pytën: Cilat janë ato kopshte të xhenetit o i Dërguari i Allahut ?. Pejgamberi a.s. tha: “Tubimet ku përmendet emri i Allahut.” (Transmetojnë Maliku dhe Ahmedi në Musnede)
Tubimet e këtilla, prej të cilëve pa dyshim që përfitojnë muslimanët, janë tubime edhe të melekëve të cilët marrin pjesë duke iu lutur Allahut xh.sh. për ata besimtarë që prezentojnë në atë tubim. Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga ebu Hurejra r.a. ku Pejgamberi a.s ka thënë: “Vërtetë Allahu ka melekë shëtitës nëpër tokë që hulumtojnë për tubimet e dhikrit, e kur të gjejnë tubime të tilla ulen edhe ata me njerëzit dhe i luten Allahut”. (Transmeton Muslimi)
Ibni Haxher Askalani sjell këta argumente lidhur me manifestimin e mevludit:  “Pejgamberi vjen në Medine dhe i gjen jehudët tek po agjëronin ditën Ashura. Kur i pyeti ata se çditë po agjëronin, ata thanë: “Është ajo ditë kur Zoti e fundosi faraonin dhe e shpëtoi Musanë, e ne agjërojmë në shenjë falënderimi ndaj Zotit të Madhërishëm. Muhammedi s.a.s. me atë rast ka thënë: “Ne kemi më tepër përparësi që ta nderojmë Musain”, dhe urdhëroi që atë ditë ta agjërojnë edhe muslimanët. (Sahihajn)

Nga kjo kuptohet se është vepër e mirë të bëhen vepra që i do Zoti dhe të përkujtohen çdo vit në ditë kur ka ndodhur ndonjë begati e Zotit. E ku ka begati më të madhe se sa Lindja e Pejgamberit a.s!?  Andaj, shënimi i ditëlindjes së Muhamedit s.a.v.s. pa dyshim që është çështje e bukur dhe e vlerësuar nga ana e Allahut xh.sh.. Ky është një argument i fortë për tubimin në mevlude duke u mbështetur në kijasin, i cili në këtë rast kuptohet nga vetë puna e Pejgamberit, ndihet që, puna e tij është sunnet për ne. Pra, ai falënderoi Zotin për shpëtimin e Musait, kurse ne kemi për detyrë të falënderojmë Atë për dërgimin e Muhammedit a.s. Si argument tjetër për vlerën e paçmueshme të mevludit është edhe mendimi i imam Sujutiut i cili përmend edhe transmetimin që e sjell Bejhekiu nga Enesi r.a. i cili thekson se Pejgamberi a.s : “Therri kurban (akika) për vetëveten pas pejgamberllëkut”. Dihet që të njëjtën vepër e pat bërë edhe gjyshi i tij në ditën e shtatë të lindjes së Muhammedit a.s. Ajo detyrë nuk do të duhej përsëritur sikur të mos ishte për qëllim falënderimi ndaj Zotit, që e bëri mëshirë për botën. Ky është pra, edhe një sinjal për ne se duhet përkujtuar dhe shprehur falënderim për ditëlindjen e tij.

Hadithi i Pejgamberit a.s. thotë se Ebu Lehebit do t’i lehtësohet ndëshkimi për çdo të hënë ngase qe gëzuar për lindjen e Muhammedit s.a.v.s. dhe në shenjë gëzimi e pat liruar nga robëria shërbëtoren Thuveibe. Sipas mendimit të Sujutiut përkujtimi i ditëlindjes së Muhammedit s.a.v.s. është i argumentuar me: Sunnet, Ixhma dhe Kijas. Të gjithë muslimanët në botë e festojnë ditëlindjen e tij. E festoi edhe vetë Pejgamberi ngase agjëronte ditën e hënë dhe të enjte e kur e pyetën pse agjëron të hënën, ai u përgjigj: “Të hënën linda, të hënën më erdhi shpallja, të hënën bëra hixhretin”.

 

Mevludi risi e mirë dhe e kërkuar

 

Është e vërtetë se festimi i mevludit nuk bëhej në kohën e Pejgamberit a.s., as në kohën e sahabëve, as në kohën e tabiinjëve, por kjo aspak nuk e zbeh, nuk e zhvlerëson dhe nuk e ndalon manifestimin e mevludit përderisa ky manifestim nuk ka kurrfar të lige që bie ndesh me parimet islame, pavarsisht nga ajo se nuk është praktikuar në kohën e Pejgamberit a.s. Kur Zejd ibni Thabiti i tha ebu Bekrit pas vdekjes së Pejgamberit a.s. lidhur me shkrimin e Kuranit se nuk bën kjo punë, sepse këtë nuk e ka bërë Pejgamberi a.s. ebu Bekri me shumë urtësi iu përgjigj: Pejgamberi a.s nuk e ka bërë por tash duhet bërë, sepse është në dobi të fesë islame. Nga kjo del se është iracionale të ngulësh këmbë që të mos bëshë një punë vetëm pse nuk e ka bërë Muhamedi a.s. Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s. asnjëherë nuk ka hypur e udhëtuar me mjetet transportuese të cilat sot i gëzon bota, as që i ka shfrytëzuar të arriturat tekniko-teknologjike të kohëve tona, prandaj të mohosh sot përdorimin e këtyre mjeteve do të thotë të veprosh kundër logjikës së shëndoshë, kundër parimeve Kuranore dhe kundër parimeve të vetë sunetit të Pejgamberit a.s. Së këndejmi, le të jetë një porosi e qartë për të gjithë ata të cilët tentojnë të manipulojnë me masën e painformuar lidhur me çështjen e Mevludit se, rregullat e konkurencës duhet të vlejnë për të gjitha kohët: nuk i konkurohet automatikut me shpatë e as helikopterit ushtarak me automatik.

Nga ana tjetër, është i mirënjohur hadithi i Muhamedit a.s i cili thotë: “ Kush e fillon një traditë të mirë, atij i takon shpërblimi i saj dhe shpërblimi i atyre që veprojnë me të…” (Muslimi)

El Bejhekiu në veprën Menakibu esh-shafij, shënon se imam Shafiu ka thënë: “Ka dy lloje risishë, njëri është që bie ndesh me Kuranin, Sunetin, Etherin dhe Ixhmain dhe kjo është risia që është e ndaluar. Është e vërtetë që manifestimi i Mevludit është risi, por është risi që nuk i kundërvihet Kuranit ,Sunetit, Etherit e as Ixhmait, dhe kështu manifestimi i mevludit është risi që nuk mund të qortohet.” (Konstaton imam Shafiu)

Edhe ibni Tejmije në librin e tij Iktidau siratil mustekijm muhalefetu as-habil xhemil është shprehur në favor të manifestimit të Mevludit duke thënë: “ Të respektuarit e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. dhe festimi i asaj dite, shpërblehen nga Allahu për shkak të qëllimit të mirë, të respektit dhe dashurisë ndaj Pejgamberit a.s”. Kështu mendojnë imam Neveviu, el Alusiji, el Kastalaniji, Askalani, Hejthemiu, el Halebiju, ibn Batuta  e shumë e shumë dijetarë  të famshëm islam.

Dijetari tjetër, imam Sehaviju thotë: “ Edhe po qe se në këtë nuk ka kurrfarë dobije, përveç asaj që shejtani do të hidhërohet dhe besimtarët do të gëzohen, mjafton të festohet ditëlindja e Pejgamberit a.s.” Ndërsa  mësuesi i imam Neveviut, dijetari Ebu Shamer, kur bëhet fjalë për Mevludin, thotë: “Risia më e mirë që është paraqitur në kohën tonë është festimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. për çdo vit…”.

Dijetari tjetër i njohur el Kastalaniji rreth ditëlindjes së Pejgamberit a.s. dhe shënimit të saj, thotë: “ Muslimanët që vijnë pas tri gjeneratave të para, vazhdimisht e festonin ditëlindjen e Muhamedit a.s. Këtë e bënin duke dhënë sadaka të ndryshme, duke i shtuar veprat e mira, duke lexuar për historinë dhe biografinë e Pejgamberit a.s. dhe pikërisht për këtë, ata do të begatohen dhe furnizohen me të mirat e Allahut xh.sh.”.

Historiani i njohur i shek VIII hixhrij, ibn Batuta, duke përmendur një traditë rreth festimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s thotë: “Pas çdo namazi të xhumasë dhe në festën e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. hapeshin dyert e Qabesë nga roja e saj, dhe pastaj kadiu i Mekes, Muhjjidin Taberiu, shpërndante ushqim për njerëzit e Mekes.”

Argument tjetër për legjitimimin e Mevludit është fakti se, ky manifestim fillet e veta në këtë formë i ka që nga shekulli i  shtatë hixhrij dhe vazhdon të praktikohet po në të njëjtën formë edhe sot e kësaj dite, pa asnjë lloj divergjence në asnjë kohë, kurse hadithi i Pejgamberit a. s tha: “Umeti im nuk bashkohet në çështje të humbura”. Po të ishte ndryshe, ashtu siç pretenduan mercenarët e huaj, atëherë nuk do të ishtë festuar shekuj me rradhë mevludi. Dijetarët islam janë të mendimit se, manifestimi i mevludit është vepër e mirë, kurse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Dora e Zotit është me xhemat e kush ndahet ndahet në xhehenem”. Abdullah ibni Mesudi lidhur me këtë  thoshte: “Atë që muslimanët e shohin se është vepër e mirë (e që duhet të bëhet) edhe Allahu Fuqiplotë e konsideron si të mirë, atë që muslimanët e shohin si vepër të keqe ( e që nuk duhet të bëhet) edhe Allahu Fuqiplotë e konsideron si të keqe.” (Trasnsmeton Ahmedi)

Qëllimi i të gjithë muslimanëve në organizimin e manifestimeve të tilla është të arrihet një pikë mëshire nga Mëshiruesi i Pakufishëm në atë ditë kur do të jemi më të nevojshëm për të,  dita  kur  njerëzit do të llogariten për veprat e tyre, ditë e cila  do të zgjasë sa pesëdhjetë mijë vite të kësaj bote.  Dita kur dielli u rri njerëzve mbi kokë! Dita kur djersët e njerëzve do të arrijnë deri te veshët e tyre! Dita, për të cilën  Imam Ahmedi në Musnedin e tij shënon hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi në të cilin thuhet se i Dërguari a.s. ka thënë: “Të gjithë pejgamerëve lutjet e tyre u janë plotësuar në këtë botë. Ndërsa unë lutjen time e kam ruajtur për ditën që të jem ndërmjetësues i Umetit tim”. As-habët i thanë: “ O i  Dërguar i  Allahut!  Ku të gjejmë ty atë ditë, në atë turmë njerzish kur të gjithë popujt do të tubohen para Madhërisë së Allahut Fuqiplotë?”  Pejgamberi a.s. tha: “Më kërkoni te Mizani, aty ku peshohen veprat e njerëzve” As-habët  i thanë: “Nëse nuk të  gjejmë te Mizani ku të të kërkojmë? Tha: “Më kërkoni te burimi im, aty  ku i jap Umetit tim të pij ujë nga duart e mia” As-habët i thanë: e nëse nuk të gjejmë as aty, ku të të kërkojmë? Tha: “Më kërkoni tek ura e Siratit që është e shtrirë mbi zjarr të xhehenemit!”As-habët i thanë: “O i Dërguar i Zotit ura i ka dy anë, në cilën anë të urës jeni  Ju? Tha: “ Në anën e majtë të urës!” As-habët i thanë: “Kush do të jetë në anën e djathtë  të saj? Tha: Ibrahimi a.s.! As-habët i thanë: “Kush është më i vyeshëm tek Allahu, Ju ose Ibrahimi a.s.?” Tha: Unë!  As-habët të etur për ta detajizuar çështjen deri në fund i thanë: “ Pse atëherë ai në anën e djathtë ndërsa ju në anën e majtë? Tha: “O Umeti im, kah Ibrahimi a.s kalojnë ata që punët i kan të pastra, ata  që jan të pastër nga mëkatet,  ndërsa kah unë kalojnë ata që punët i kanë të përziera! Unë i mbaj që të mos bien në zjarrin e xhehenemit!”

Në transmetimin e Ebu Hurejres thuhet se, atë ditë Muhamedi a.s. bie në sexhde para Allahut të Madhëruar, i cili i thotë: “Ngrije kokën! Kërko se do të të jepet! Fol se do të dëgjohesh! Ndërmjetëso sepse do të pranohet ndërmjetësimi!” Pejgameri a.s. çohet duke thënë: “O Zot! Më lejo të kërkoj falje për të gjithë ata që kanë thënë “ LA ILAHE IL-LALLAH – Nuk ka Zot tjetër përvveç Allahut”. Allahu Fuqiplotë i thotë: Pasha fuqinë time! Pasha Madhërinë time! Pasha Madhërinë time! Do të nxjerr nga zjarri këdo që ka thënë LA ILAHE IL-LALLAH” (Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi)

I Dërguari jonë, Muhammedi a.s., përkujtonte ditëlindjen e vet në çdo shtatë ditë dhe në shenjë falënderimi ndaj Zotit agjëronte ditën e hënë. Në realitet, me këtë agjërim ngjallte përkujtimin e një dite të ndershme nga ditët e Zotit. Kur u pyet, pse rregullisht agjëron atë ditë, ai tha: “Ajo është ditë, në të cilën u linda dhe në të cilën u dërgova (u gradova me gradën Pejgamber)”. (Muslimi)

Pasi që vetë Muhamedi a.s. e përkujtonte ditëlindjen e vet me agjërim, atëherë përkujtojeni edhe ju, o besimtarë, duke falënderuar Allahun Fuqiplotë dhe duke përkujtuar lindjen e atij që solli gëzim, hare, begati, dritë, mëshirë, shpëtim dhe përparim.

Të gjithë ata që duan të jenë nesër nën hijen e mbrojtjes së Muhamedit a.s. le t’i dergojnë  pandërprerë Salavat shpirtit të pavdekshëm të Muhamedit a.s., sepse ai i cili dëgjonë emrin e Pejgamerit tonë dhe nuk thotë së paku “Allahume Sali ala Muhamed” le ta dijë se ai është koprraci më i madhë i kësaj bote. Përshëndeteni një herë në këtë botë Pejgamerin tonë që t’ju përshdes dhjetë herë në ditën e gjykimit, sepse në hadithin e tij mësuesi i njerëzisë tha: kush më përcjell një salavat të vetëm, Allahu do t’i përcjell atij dhjetë salavate”.

Kur zbriti Ajeti Kur’anor: “Është e vërtetë se Allahu i madhërishëm dhe melekët e tij me madhëri e mëshirojnë Pejgamerin. O ju që keni besuar, madhëroni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam”(Ahzab, 56),  Beshir b.Sa’di i tha Pejgamerit a.s: “Ne na ka urdhëruar Allahu Fuqiplotë që të lutemi për Ty! Na trego se si duhet të lutemi për Ty!” I Dërguari ynë tha: “Thuani: “O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç e ke mëshiruar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit. Pa dyshim që Ty të takojnë falënderimet dhe lavdërimet. O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit .S’ka dyshim se Ty të takojnë falënderimet dhe lavdërimet”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

 

(Autori është kryetar i Shoqatës së ULEMAVE pranë BFI në RM)

Comments are closed.