Mesazhi i Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, për mjetet e informimit me rastin e Muajit të Ramazanit

1111Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! (El-Bekare, ajeti 185)

Të dashur besimtarë e besimtare! Vëllezër e motra!

Në një atmosferë festive, ju ftoj që të dëshmojmë për këtë Muaj të Bekuar të Ramazanit dhe ta ngrisim shkallën e devotshmërisë sonë duke filluar me agjërimin. Këtë ibadet na e urdhëroi Allahu Mëshirëplotë ashtu siç ua kishte urdhëruar edhe popujve para nesh. Duke ia përkushtuar agjërimin Allahut Fuqiplotë, ne ruhemi prej të këqiave, drejtohemi fuqishëm dhe shpirtërisht të pastër drejt Rrugës së Vërtetë.

Të dashur pjesëtarë të fesë islame!

Duhet të jemi shumë të gëzuar, të kënaqur e të lumtur që Zoti Fuqiplotë na e mundësoi ta presim edhe këtë Ramazan. Edhe kësaj radhe po na jepet mundësia që ta kalisim shpirtin në frymën islame, ta përforëcojmë besimin tonë, përmes përkushtimit në lutje e ibadete të pastrohemi prej mëkateve tona eventuale dhe ta lartësojmë moralin tonë islam. Këto janë disa nga kushtet që na e mundësojnë devotshmërinë tonë. Duke qenë të devotshëm ne do të rrezatojmë vetëm dashuri, vëllazëri, bashkëjetesë e paqe. Me këtë do të dëshmojmë se jemi të paepur në rrugën tonë islame, se jemi gjithmonë të gatshëm ta shprehim mirëkuptimin tonë, humanitetin dhe respektin ndaj të tjerëve.

Nën këtë frymë islame duhet të pulsojmë gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit, sepse, përgjatë këtij Muaji, siç thotë Pejgamberi s.s. “Dyert e Xhenetit janë të hapura dhe shejtanën janë të lidhur”. Po në këtë muaj është edhe një Natë e Madhe, Nata e Kadrit, e cila është e vyrtytshme më shumë se njëmijë muaj të tjerë. Kush nga ne nuk do të dëshironte që të kryente ibadete duke i pasur të hapura dyert e Xhenetit më shumë se njëmijë muaj? Prandaj, besimtarë të dashur, ju lus që këtë Muaj ta kalojmë me lutje, me ibadete, me mirësi, në harmoni, mirëkuptim e paqe.

Ju uroj një agjërim sa më të lehtë dhe e lus Allahu xh.sh. që t’ua pranojë të gjitha ibadetet dhe t’ju shpërblejë me shpërblimet e Tij të pakufishme.

Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

Reisul Ulema i BFI-së në RM

H. Sulejman ef. Rexhepi

Comments are closed.