Mesazhi i Reis ul Ulemasë me rastin e festës së Kurban-Bajramit 2013

foto-1بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ

لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَكِن يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنكُمْ كَذَلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنِينَ

 

“ Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i saj, por te Ai arrin devotshmëria ( bindja) e juaj.” ( Suretul Haxh: 37)

Të dashur vëllezër dhe motra,

Falenderimet tona i takojnë vetëm Allahut të Plotëfuqishëm i cili na e mundësoi përjetimin e festës së madhe të Kurban Bajramit, madhështitë e së cilës festë i hasim në aspektin fetar, shoqëror, humanitar dhe kulturor.

Sigurisht se shpirti i kësaj feste është mishërim i parimeve fundamentale islame, i moralit dhe përkushtimit tonë ndaj vlerave fetare, humane dhe njerëzore sepse Bajrami është festë e cila me shumë reflektim demonstron dashurinë, respektin dhe nënshtrimin tonë ndaj porosive hyjnore.

Kjo festë fton të gjithë besimtarët të jenë të përkulur, arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve pa dallim feje dhe që mendon ndryshe, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë për dashurinë dhe dorën tonë.

Vëllezër dhe motra besimtarë,

Nevoja jonë për ndihmën e Allahut është e pakontestuar, andaj jeta dhe veprimtaria jonë nuk mund të paramendohet pa besim dhe pa mësimet fetare, ngase neglizhenca dhe moskujdesi ndaj mësimeve hyjnore na shpiejnë në humbje, varfëri intelektuale dhe kulturore, por gjithsesi edhe në degjenerim të vlerave shoqërore dhe njerëzore në përgjithësi.

Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike paraqet sakrificën, përkatësisht Kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete kuptime sublime me efekte pozitive gjithëpërfshirëse, paraqet flijimin për çështje madhore, përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë.

Festa ndërlidhet me disa ngjarje, të cilat i përkasin rëndësisë së veçantë shikuar nga këndvështrimi islam; ndërlidhet me kryerjen e shtyllës së pestë të Islamit – me Haxhin, i cili tubon me miliona besimtarë nga të gjitha vendet e botës në një vend, në tokën e shenjtë dhe të bekuar, pjesë e së cilës janë edhe haxhilerët e vendit tonë, ku të gjithë të bashkuar me lutje të shumta i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë; me përmbylljen e fjalës dhe mrekullisë së pavdekshme, Kuranit fisnik – librit të fundit hyjnor të shpallur për gjithë gjeneratat njerëzore.

Kjo festë ringjallë pozitën dhe forcën e gjithënashme të myslimanëve që reflektohet nga tubimi i miliona

haxhilerëve në Qabe, duke dhënë porosi madhështore për botën Islame se duhet unifikuar idetë dhe të jemi shumë vigjilent ndaj kurtheve të pabesëve dhe dashakëqëve të Islamit. Potenciali intelektual dhe ai shpirtëror gjithnjë duhet frymëzuar nga vepra kapitale dhe e ndritur e Muhamedit (a. s.). vetëdia jonë në këto çaste duhet të jetë tejet e madhe dhe njëherit e ngritur dhe ndërtuar mbi bazë të filozofisë së fuqishme që rrezaton nga drita e Kur’anit.

Besimtarë të nderuar, të vazhdojmë të respektojmë porositë madhështore të Krijuesit tonë, Allahut f.p. të ndihmojmë njëri-tjetrin e të mos vështirësojmë! Paragjykimet dhe urrejtja asnjëherë nuk kanë sjellë paqe dhe dashuri, mashtrimi i myslimanit dhe kujdesi ndaj intereseve perosnale nuk i takojnë fesë sonë, Islamit, aq më pak edhe keqpërdorimi i nijeteve që lidhet këto ditë me therrjen e kurbanëve. Sot le të deshmojmë zemërgjërësinë dhe dorëzgjatjen tonë; mos të lejojmë që të afërmit tanë të jenë të anashkaluar nga mendja dhe kujdesi ynë.

Kurbanët e porositur nga brenda dhe jasht vendit që të therren përmes BFI-së, përveç nevojave të nxënësve të Medresesë Isa Beu, njoftojmë të gjithë dhuruesit e këtyre kurbanëve se e gjithë pjesa tjetër do të jetë në sofrat e jetimëve, fukarave, skamnorëve dhe të ngratëve, ndërsa të gjithë ata që therrin kurban personalisht në mënyrë individuale ju apeloj që mishi i kurbanëve të tyre

gjithashtu të jetë pjesë e sofrave të lartëpërmendura. Andaj, motra e vëllezër mysliman zgjateni dorën e bujarisë ndaj të gjithëve dhe mos lejoni tu pengojë kopracia dhe ngjyrat e saja, sepse me këtë do të dëshmoni sjelljen e bukur islame, që reflekton nga drita e besimit tuaj.

Me këtë rast, e lus të Plotëfuqishëm Allah që haxhilerëve t’ua bënë kabull haxhin, a njëherit në pragun e kësaj feste madhështore Islame, Allahu i Gjithmëshirshëm ua pranoft të gjithë besimtarëve të besimit Islam kudo që gjinden aktin dhe simbolin e sakrificës, therrjen e kurbanit në emrin e Allahut të Madhërishëm.

Më në fund më lejoni që në emër të BFI të RM, në emër të organeve dhe institucioneve të saja drejtuese si dhe në emrin Tim personal të gjithë myslimanëve të këtij nënqielli dhe atyre që janë pjesë e jonë e pandashme në diasporë duke përfshirë fqinjët tanë në Shqipëri, Kosovë, Luginë të Preshevës etj, si dhe mbarë myslimanëve gjithandej ku gjinden dhe veprojnë në botë ua uroj festën madhështore të Kurban Bajramit me shpres dhe lutje tek Allahu i Plotëfuqishëm që t’i pranoj ibadetet, adhurimet e ndryshme, aktin dhe simbolin e sakrificës dhe veprat tona të sinqerta dhe të bereqetshme.

Urime për shumë vjet festa e Kurban-Bajramit! Allahu ju bekoft dhe paçit mëshira e Tij për jetë e mot!

 

 

Shkup, 14.10.2013

Comments are closed.