Mesazhi i Kurban Bajramit
(Mesazhi i Reisul-Ulemasë të BFI-së me rastin e Kurban Bajramit, i dhënë më 24.10.2012 nga doc. Dr. Faredin Ebibi, dekan i Fakultetit të Shkencave Islame Shkup).
“Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira. Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! Sigurisht, ai që të urren ty, ai vet është fatprerë.” Kaptin 108, el-Kevther.
Të respektuar vëllezër dhe motra
Jemi në prag të festës së madhe të Kurban Bajramit, e cila festë është shumë e rëndësishme shikuar nga aspekti fetar, shoqëror, humanitar dhe kulturor. Me këtë rast, përmes këtij mesaxhi, kam nderin e veçantë, që në emër të Reisul Ulemasë të Bashkësisë Fetare Islame, H. Sulejman ef. Rexhepi, të gjithë muslimanëve të vendit dhe më gjërë, t`ua uroj Festën e Kurban Bajramit, me shpresë dhe lutje te Allahu i Madhërishëm që Ai t’i pranojë ibadetet, adhurimet e ndryshme, sakrificat dhe veprat tona të sinqerta.
Sigurisht se shpirti i kësaj feste është mishërim i realitetit të cilin e jetojmë, i sinqeritetit dhe përkushtimit tonë ndaj vlerave humane sepse Bajrami është festë e cila me shumë forcë demonstron dashurinë, respektin dhe nënshtrimin tonë ndaj porosive Hyjnore.
Kjo festë, fton të gjithë besimtarët të jenë të arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë.
Vëllezër dhe motra,
Shoqëria jonë sot, më shumë se çdo herë tjetër, ka nevojë që t`i drejtohet Zotit, t`i kthehet besimit dhe fesë, ngase neglizhenca dhe moskujdesi ndaj mësimeve Hyjnore, na shpie në humbje dhe në degjenerim të vlerave shoqërore dhe njerëzore në përgjithësi.
Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike paraqet sakrificën, përkatësisht Kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete kuptime sublime me efekte pozitive gjithëpërfshirëse. Paraqet flijimin për çështje madhore, përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë.
Festa në fjalë ndërlidhet me disa procese, të cilët i përkasin rëndësisë së veçantë shikuar nga këndvështrimi Islam; ndërlidhet me kryerjen e konditës së pestë – me Haxhin; i cili tubon me miliona besimtarë nga të gjitha vendet e botës në një vend, në tokën e shenjtë të Arafatit, pjesë e të cilës janë edhe hanxhinjtë e vendit tonë, ku të gjithë të bashkuar me lutje të shumta i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë.
Ndërlidhet me një ngjarje të para erës sonë, përkatësisht me veprën madhore të Ibrahimit alejhis-selam, i cili dëshiroi të flijoë djalin e tij, Ismailin alejhis-selam për hir të Allahut xh.sh.; ndërlidhet po ashtu edhe me përfundimin e shpalljes së Kur’anit fisnik – të librit të fundit hyjnor.
Kjo festë paraqet konceptin e Fesë Islame mbi unitetin, i cili duhet të ishte funksional, praktikisht të dëshmohet në jetën e përditshme, të manifestohet gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë muslimanët. Ndërkohë, motivon sensibilizimin e vazhdueshëm të unifikimit të qëndrimeve në ballafaqim me sfida dhe në zgjidhjen e konteksteve eventuale me mençuri, me urtësi, në frymën e tolerancës dhe udhëzimeve hyjnore.
Në fund, kjo festë le të jetë një motiv shtesë që të pasurit që t`i gëzojnë të varfërit, skamnorët dhe jetimat, një motiv shtesë gjithashtu për zgjatjen e dorës së pajtimit dhe për vizita të ndërsjella të të afërmve dhe miqve.
Urime dhe për shumë vjet festa e Kurban Bajramit!
Bekimi i Allahut dhe mëshira e Tij qoftë me Ju!
Prev Post
Next Post
Comments are closed.