Mesazhet e Bedrit – Mr. Lutfi Nexhipi

Akademia Solemne për shënimin e Ditës së Bedrit

0 147

Trajtesa është përgatitur nga prof. Lutfi Nexhipi – sekretar i ShMI “Medreseja Isa Beu” – Shkup, në akademisë solemne me rastin e shënimit të Ditës së Bedrit, organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e RMV, në Kërçovë më 20.04.2021

MESAZHET NGA BETEJA E BEDRIT

Në muajin e bekuar të Ramazanit, përveç shumë ngjarjeve të rëndësishme, ka ndodhur edhe Beteja e Bedrit, që është beteja e parë dhe më e rëndësishme në historinë islame.

Beteja e Bedrit shënon ngjarjen me rëndësi të veçantë jo vetëm për historikun e Islamit dhe të myslimanëve, por edhe për porositë dhe mesazhet që duhet përfituar nga kjo ngjarje. Kjo betejë e zhvilluar mes myslimanëve të udhëhequr personalisht nga Pejgamberi (a. s.), në njërën anë, dhe idhujtarëve të Mekës, në anën tjetër, u zhvilluar në vendin e quajtur Lugina e Bedrit, dhe atë pikërisht në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit Ramazan, në vitin e dytë sipas Hixhretit. Pra, nëse këtë ngjarje e shikojmë vetëm nga aspekti historik, sigurisht se mesazhet e kësaj ngjarjeje do të jenë shumë të zbehta, mirëpo nëse kemi parasysh kohën kur u zhvillua kjo betejë, pastaj palët pjesëmarrëse në këtë betejë, situatën dhe rrethanat në të cilën kalonte shoqëria islame atëbotë, atëherë me lehtësi konstatojmë se kjo ngjarje shënon një datë shumë të rëndësishme për myslimanët, sepse kjo betejë përveç tjerash konsiderohet edhe beteja mes kufrit (pabesimit) dhe Imanit (besimit), betejë mes të vërtetës dhe të pavërtetës. Në anën tjetër, nëse kemi parasysh aspektin numerik të myslimanëve dhe idhujtarëve si palë konfroktuese, si dhe përgatitjen ushtarake mes dy palëve si faktorë vendimmarrës në betejë, sigurisht se nuk do të kishim ngurruar të përfundojmë me konkluzionin se fitimtarë i kësaj beteje do të jetë pala më e përgatitur numerikisht dhe ushtarakisht. Megjithatë, kjo betejë ishte një dëshmi që shoqërisë islame të asaj kohe i dha një stimul të fuqishëm se beteja për të vërtetën është një ideal që nuk mund të shuhet asnjëherë.

Kjo ngjarje praktikisht hedh poshtë edhe shumë imagjinata të atyre që pretendojnë të nxjerrin në shesh dhe të kultivojnë idenë se që në fillim Islami ishte përhapur me fuqi ushtarake dhe përmes tehut të shpatës. Këtë hipotezë, krahas shumë fakteve tjera historike dhe shkencore, e mposht edhe vetë fakti se myslimanëve vetëm pas pesëmbëdhjetë viteve të torturave që përjetuan nga idhujtarët, iu lejua ballafaqimi i drejtpërdrejte fizik me idhujtarët, edhe atë për të mbrojtur të drejtat esenciale të tyre, siç janë e drejta e jetës, pasurisë, fesë, moralit, dinjitetit etj.

Vlerat qytetëruese të dala nga beteja e Bedrit, meritojnë një trajtim në vete, sepse sinjalizojnë për një arritje të re qytetëruese në historinë njerëzore. Në këtë luftë Muhamedi a. s. nuk e vendosi fitoren me çdo çmim të mundur. Ai refuzoi ndihmën e ofruar nga disa idhujtarë që të luftojnë kundër idhujtarëve, sepse nuk dëshironte që të përzihet qëllimi i pastër, e që ishte fitorja e besimit – imanit ndaj pabesimit – kufrit, vuri në praktik parimin e konsultimit (parlamentarizmit), respektoi mendimin e ushtarëve, dialogoi para betejës për ta evituar konfliktin, u tregua mirënjohës ndaj idhujtarëve që nuk kishin torturuar myslimanët sa ishin në Meke, dha garanci për mos torturimin e robërve etj. Këto vlera, bota e qytetëruar e identifikuar me perëndimoren, edhe pse disa shekuj prapa myslimanëve, tenton t’i paraqes si arritje të veta, në emër të një bote progresive dhe përparimtare. Mirëpo, Abu Garibi në Irak, Guantanamo në Amerikë, Srebrenica në Bosnje, internimi i shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit për në vendet e treta, tolerimi i terrorit dhe masakrimit të popullit Sirian, seriozisht e kanë vendosur në diskutim moralin njerëzorë të njeriut modern i liruar nga “robëria e religjionit”, që për burim ka dijen humane.

Pra, kjo qe një betejë për ta vrarë analfabetizmin e të gjitha llojeve, për ta theksuar vlerën e dijes dhe shkrimit e leximit. Kjo qe beteja e Bedrit, me mesazhe dhe dimensione tejkohore, që akoma nuk janë absorbuar nga njerëzit e penave.

– Mesazhet nga lufta e Bedrit:

 

  1. Ndihma e Allahut xh.sh.

 

Përkujtoni kur ishit pakicë e dobët në tokë (Mekë) dhe frikësoheshit se do t’ju rrëmbejnë njerëzit (idhujtarët), e Ai ju mundësoi vend të sigurt (në Medinë) dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij, ju furnizoi me të mira në mënyrë, që të jeni mirënjohës. (El-Enfal-26)

“Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit”  (El-Enfal 9.)

 

  1. Kualiteti e jo kuantiteti

Numri i myslimanëve ne luftën e Bedrit, ishte më i vogël se numri i idhujtarëve. Por, edhe përskaj kësaj, myslimanet korren fitore bindëse, duhet te kuptohet mesazh i qarte që jep Bedri për domosdoshmërinë e kualitetit.

Myslimanet duhet te mundohen për kualitet në të gjitha sferat e jetës dhe ne fe para se gjithash, sepse kualiteti ka vlere dhe mundëson sukses e fitore, si që ishte rasti ne luften e Bedrit kur fituan kualitativet, edhe pse ishin pak, ndërkaq kuantiteti është i zbehte dhe jo produktiv, edhe pse mund te duket shume ne vëllim por në esencë është i dëmshëm. Pra, ne si mysliman te mundohemi të arrijmë kualitet në të gjitha fushat, ashtu siç kemi qenë në të kaluarën e jo të mbetemi në vagonin e fundit të zhvillimit.

 

  1. Konsulltimi i Muhamedit a.s. me sahatet

 

Pejgamberi a.s. vendosi të nisej me ushtrinë e tij dhe të zë pozitë afër lumit në Bedër. Në mëngjes arritën afër burimit të Bedrit. Habab ibn Mundhiri njëri nga vëzhguesit u ngrit dhe tha: A mendon o Pejgamber i Allahut të qëndrojmë këtu? A të ka urdhëruar Allahu që të jemi në këtë vend dhe se nuk guxojmë të shkojmë as përpara as prapa apo kjo është çështje e mendimit të lirë luftë dhe taktikë, Pejgamberi a.s. u përgjigj: “Ky është vend për konsulltim, luftë dhe taktikë.”

 

  1. Ngritja e thirrjes Islame ne nivel shtetëror

 

Myslimanet në asnjë mënyrë nuk duhet të kënaqen me pozitën aktuale në qarqet vendimmarrëse botërore, por duhet të punojë me vendosshmëri në marrjen e vendit meritor në arenën botërore në drejtim të hartimit të strategjive për zhvillimin ekonomik, politik, social, kulturor e teknologjik të njerëzimit.

Myslimanët nuk ngelën të mbyllur në Medine, por vepruan fuqishëm në drejtim të afirmimit të tyre në arenën botërore, gjë që shkaktoi ballafaqim me palë të ndryshme të cilat shihnin se tereni u është ngushtuar dhe periudha e zbrapsjes veç ka filluar. Rreziku nga ballafaqimi ushtarak me palët, nuk mundi t’i shuaj ambiciet e myslimanëve për të qenë faktor stabiliteti dhe përparimi në botë.

 

  1. Të bindur ne veprimet e tyre

 

Myslimani ec në rrugën e realizimit të objektivave të veta me dinjitet, vendosshmëri dhe maturi, gjegjësisht vepron konform parimeve hyjnore dhe për të realizuar qëllime madhore të cilat do të jenë të dobishme për gjithë njerëzit, e nuk vepron sipas logjikës së inatit e me mendjemadhësi që çon në nënçmimin e tjetrit

Pala idhujtare doli duke manifestuar mendjemadhësi dhe duke e festuar para kohe në formën më të pahijshme, të djallëzuar dhe jonjerëzore fitoren të cilën në Bedër kurri nuk e arriti. Veprimet që u bënë me rastin e daljes së palës idhujtare në Bedër, tregonin qartë për krizën e thellë morale në të cilën gjendeshin, dhe njëkohësisht argumentonin fuqishëm nevojën e tyre për misionar dhe mësues që t’i kap për dore e t’i nxjerr nga humnera e errët e idhujtarisë në dritën e besimit.

Së këndejmi, edhe myslimanët e sotëm duhet ta kuptojnë qartë këtë porosi: Ne veprojmë për të realizuar objektiva madhore që do të sjellin prosperitet për gjithë njerëzit, e nuk veprojmë të frustruar nga dikush apo për inat të dikujt tjetër. Ne nuk besojmë në inat, por besojmë në idealet e larta islame.

 

  1. Edukimi i All-llahut xh.sh. në kohë të përshtatshme

 

Lufta e Bedrit ishte beteja e parë në të cilën myslimanët u ballafaquan drejtpërdrejt me armiqtë e tyre. Pas disfatës që pësuan pa besimtarët dhe tërheqjes së tyre në mënyrë të pa kontrolluar, ata pas vete për të shpëtuar kokat e tyre lanë shumë pasuri, kështu që, ky ishte rasti i parë kur myslimanët para tyre vërejtën sasi të konsiderueshme të pasurisë. Në këtë gjendje, kur ata për herë të parë korrën fitore, për herë të parë kështu ju mundësohet pasuria në mënyrë të pa pritur, ndërsa ata ishin të varfër dhe më se të nevojshëm për pasuri, në këtë gjendje ishte krejtësisht normale që kjo surprizë të ndikoj tek ata. Disa Sahabi filluan të polemizojnë se kush e meriton këtë pasuri, derisa, për këtë çështje mes Sahabeve filluan të ngrihen zërat. Kështu disa nga Sahabet pyetën Pejgamberin a.s. se si duhet ndarë këtë pasuri dhe kush sa duhet të merr.

Në këtë gjendje All-llahu xh.sh. zbriti ajete Kur’anore në të cilat tregon se kjo pasuri i takon All-llahut dhe të Dërguarit të Tij askujt tjetër. E tërë pasuria le të ngel aty ku është, detyra e tyre është, që ata të pajtohen dhe të shtrin dorën njëri tjetrit për mos marrëveshjet që kishin më par, le të kujtojnë se ata nuk luftuan për plaçka dhe pasuri, por për hir të All-llahut xh.sh. dhe se furnizimin e garanton i madhi Zotë, Në lidhje me këtë All-llahu xh.sh. thotë: “Të pyesin ty ( O Muhamed) për plaçkën e luftës. Thuaj: Plaçka e luftës i përket All-llahut dhe të Dërguarit. Prandaj, frikësojuni All-llahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtet. ”. El Enfal 1

 

Pasi që myslimanët u vetëdijesuan, u penduan për atë që doli nga ata, shtrin dorën njëri tjetrit dhe u pajtuan, shpirtrat e tyre u qetësuan, pranuan vendimet e All-llahut xh.sh. dhe mbetën të kënaqur me ato furnizime që All-llahu do t’i furnizoi, atëherë zbritën ajetet Kur’anore të cilat shpjeguan, se kush dhe sa merr nga plaçkat e luftës.

Kjo me të vërtet ishte një mësim në kohë të duhur. Sepse myslimanit nuk i lejohet që të vepron për interesat e kësaj bote, por për qëllim duhet të ketë kënaqësinë e All-llahut xh.sh. dhe shpërblimet e botës tjetër.

  1. Në këtë betejë Muhamedi a.s. i dha përparësi diturisë.

Islami është fe e dijes dhe ngritjes intelektuale, dhe myslimanëve nuk u ka hije të jenë analfabetë, pasi kontribuuan për ngritjen shkencore të botës, në veçanti të Evropës. Pa dije dhe mësim, nuk ka ardhmëri për asnjë popull, e po ashtu edhe për muslimanët. Analfabetizmi nuk është vetëm nënçmim para botës, por edhe mëkat ndaj Krijuesit dhe mos falënderim ndaj Tij për mirësinë e trurit dhe të logjikuarit.

Kjo më së miri shihet sjellja e Muhamedit a.s. me robërit e luftës ai i cili dinte shkrim lexim dhe nuk kishte mundësi të shpengohej ka pasur për detyrë t’u mësonte shkrim leximin dhjetë medinasve, ky ka qenë çmimi i shpengimit.

Muhamedi, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në betejën e Bedrit dha shembull të shkëlqyeshëm se duhet trajtuar njerëzit e ditur. Ai tregoi praktikisht se dituria është shpëtim dhe se dijetarët duhet shfrytëzuar, edhe nëse janë të palëve tjera.

Beteja e Bedrit është ndër ngjarjet më madhore të historisë Islame. Kjo betejë nuk ishte vetëm një përleshje fizike, ndërmjet myslimanëve e idhujtarëve. Bedri ishte më shumë se aq. Ecuria e mëtejme e shoqërisë së parë islame varej pikërisht në suksesin e Bedrit. Fitorja në këtë ditë të madhe të Ramazanit myslimanëve ua garantoi zhvillimin e mëtejmë të jetës religjioze, sociale e kulturore jo vetëm në Medinë, por edhe pas saj!

Leave A Reply

Your email address will not be published.