Memorandum bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Serbisë

Memorandum bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Serbisë

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rijaseti i Bashkësisë Islame të Serbisë më 22 tetor, 2019, në selinë e Rijasetit të BFI në Shkup kanë nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Në emër të BFI të RMV Memorandumin e ka nënshkruar Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i BFI të RMV, ndërsa në emër të Rijasetit të BIS, Reis’ul-Ulema h. Sead ef. Nasufoviq. Memorandumi ka një hark kohor realizimi dhjetorin e vitit 2021.
Në pritjen e organizuar me këtë rast, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi ka përshëndetur delegacionin e lartë nga Beogradi, në përbërjen e të cilit ka qenë edhe nënkryetari i Rijasetit të BIS, h. Nexhbedin ef. Saqipi, duke u shprehur i gatshëm për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, gjithnjë mbi bazë të parimeve të shenjta të Kuranit famëlartë dhe të Sunnetit të Pejgamberit (a. s.), përkatësisht të akteve të tyre si Bashkësi dhe të interesave të besimtarëve që përfaqësojnë.
Memorandumi – është thënë nga Sead ef. Nasufoviq – ka për qëllim ngritjen e vetëdijes fetare, organizimin dhe zhvillimin e mirëfilltë të jetës islame, si dhe jetësimin e Islamit te myslimanët e dy vendeve.
Memorandumi i nënshkruar parasheh organizimin e veprimtarive fetare, kulturore, shkencore, humanitare dhe sociale, me qëllim avancimin e vlerave islame të popullatës myslimane në RMV e në RS, por dhe më gjerë.

Comments are closed.