Medresantët, hatme nga Kurani për ulematë e Pavarësisë
Duke u nisur nga madhështia e ajetit kuranor “E mos thoni për ata që u vranë në rrugë të Zotit se janë të vdekur; jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e shihni” (El Bekare: 154) dhe nga thënia e Muhamedit (a. s.) “Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve”, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë të shtetit shqiptar Bashkësia Fetare Islame e RM, SHMI Medreseja Isa Beu dhe nxënësit e saj përkujtuan veprën e shenjtë dhe martire të ulemave islamë të këtyre trevave kushtuar fesë dhe atdheut, me leximin e hatmes së Kuranit fisnik për jetën dhe kontributin që kanë dhënë për Pavarësinë e shtetit shqiptar.
Më 28 Nëntor 2012 (ditën e enjte) nxënësit e Medresesë Isa Beu bashkërisht lexuan një hatme të Kuranit për hir të shpirtrave të dëshmorëve dhe në shenjë përkujtimi të ulemave për sakrificën dhe idealin e tyre, për flijimet dhe jetën e tyre që kanë dhënë në mbrojtjen e fesë dhe të kauzës kombëtare. Mbrojtja e trojeve autoktone sipas parimeve islame është vepër e shenjtë, prandaj duke marrë parasysh këtë parim, SHMI “Medreseja Isa Beu” – Shkup kishte paraparë që këtë datë jubilare për popullin shqiptar ta shënojë me leximin e hatmes së Kuranit fisnik nga vetë nxënësit e shkollës.
Pas leximit të hatmes në mesxhidin e Medresesë, ku ishte prezent i tërë kolektivi arsimor dhe nxënësit e Medresesë, drejtori i shkollës, prof. Ibrahim Idrizi, pas urimit të këtij 100-vjetori mbajti fjalim, me ç’rast përmendi rëndësinë e kësaj date për muslimanët e këtij nënqielli. Ai mes tjerash tha: “E kemi obligim dhe borxh që të përkujtojmë veprën martire dhe të shenjtë të prijësve fetarë, ulemave dhe besimtarëve që gjatë këtyre njëqind viteve përplot stërmundime dhe vuajtje gjithnjë kanë luajtur rol kyç dhe shpeshherë edhe vendimtar në ruatjen dhe mbrojtjen e identitetit fetar e kombëtar. Ulematë islamë ishin bartës dhe pjesë e projektit për mëvetësinë e shtetit shqiptar, të cilët kanë mishëruar idetë e tyre falë dijes dhe mësimeve islame, të cilët nga fjala hyjnore e shenjtë e Allahut, Kurani dhe tradita e Muhamedit (a. s.), kanë ndërtuar qëndrimet e tyre se kontibuti ndaj vatanit, gjuhës, fesë dhe kulturës është obligim islam.”
Në fund, pas leximit të një pjese të Kuranit të ndershëm, u bë edhe duaja e hatmes, me shpresë që Zoti Fuqiplotë t`i shpërblejë me xhenetin Firdaus.
Next Post
Comments are closed.