ME ZEMËR TË THYER DHE PIKËLLIM IU DHA LAMTUMIRA E FUNDIT PROFESORIT NAIM EF. FERATI

Tronditës dhe i pa pritur ishte lajmi për ndërrimin e jetës së Profesorit të nderuar Naim ef. Ferati, por duke u bazuar në fjalët e Profetit Muhamedit a.s. “Vërtet e Allahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është deri në një afat të caktuar, prandaj le të bëjë durim dhe të kërkojë shpërblimin tek Allahu”, të hënën më 31 Janar 2022, në fshatin Zherovjan të Tetovës, me zemër të thyer dhe pikëllim të madh, në prezencë të kryesisë së Bashkësisë Fetare Islame të udhëhequr nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, myftinjve dhe anëtarëve të Rijasetit, Drejtorit të Medresesë Isa Beu, të qindra besimtarëve e figurave eminente nga vendi e nga jashtë, ulemave, hoxhallarëve, profesorëve dhe medresantëve, iu dha lamtumira e fundit profesorit të respektuar Naim ef. Ferati.
Në përcjelljen në amshim të të ndjerit, u mbajtën fjalime dhe u fol mbi jetën dhe veprën e profesorit të nderuar. Me këtë rast, në fjalën e tij të rastit gjatë varrimit, Kryetari i BFI të RMV Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai iu drejtua babait dhe vëllezërve të profesorit si dhe gjithë familjarëve, të cilët kanë dhimbje, por duhet të kenë edhe krenari, sepse prezenca e gjithë këtyre dashamirëve të profesorit e cila ishte tejet masive, dëshmon edhe një herë madhështinë, zemërgjerësinë dhe respektin ndaj Profesorit të ndjerë, i cili mbi 30 vite i kaloi në shërbim të fesë dhe muslimanëve të vendit e më gjerë, si në Kosovë, Shqipëri, Sanxhak, Luginë, Bosnjë e Hercegovinë, e Perëndim. Mes tjerash Reisul Ulema tha: “Vdekja e birit të këtij populli, shokut tonë rahmetli Naim ef. Ferati befasoi të gjitha institucionet e BFI, të gjithë ulematë islam, sepse ai nuk ishte vetëm i familjes, por ishte i gjithë myslimanëve, ishte bir i këtij populli, ishte bir i këtij vatani. Kur e pyesja në takimet tonë, i thosha si je Naim efendi. Kishte një fjali që e thoshte të parën, ‘Më mirë vetëm në Xhenetin firdeus’, sikur ishte i bindur dhe sikur kishte nisur për të kaluar në botën tjetër, por ne nuk mendonim që do të kalonte në botën tjetër mu në moshën kur ne prisnin edhe më tepër kontribut në jetën fetaro islme të Bashkësisë Fetare Islame në RMV,…”
Pas fjalimeve të shumta nga figura eminente nga vendi e nga jashtë, namazi i xhenazës u fal nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në Xhaminë e fshatit Zherovjan në Tetovë, duanë e bëri Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, ndërsa duanë tek varrezat e fshatit e bëri H. Ali Vejza nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Të dielën, më 30.01.2022, Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, njoftoi për ndërrimin e jetës së Profesorit Naim ef. Ferati dhe përcolli ngushëllimet në emrin e tij dhe në emër të Myftinisë së Tetovës tek familjarët, kolegët, miqtë dhe nxënësit/et e tij.
“Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të profesorit në Medresenë “Isa Beu”, paralelja e shtrirë – Tetovë, prof. Naim ef. Ferati.
Në emrin e BFI-së Myftinia e Tetovës, në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë besimtarëve, hoxhallarëve, shokëve, nxënësve/seve, profesorëve të medresesë, shprehim ngushëllimet më të sinqerta, familjes, shokëve dhe miqëve të tij. E lusim Allahun Fuqiplotë, që rahmetliun ta shpërblejë me xhennet, ndërsa familjarëve t’u japë sabër. “
Po ashtu atë ditë, Kryetari i BFI të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai me një mesazh prekës dhe emotiv, ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe kolegët e Profesorit të respektuar Naim ef. Ferati.
“Me caktimin e Zotit u nda nga ne dhe i fali shpirtin Allahut Fuqiplotë profesori dhe teologu i madh dhe i mirënjohur Naim ef. Ferati. Dhimbje dhe humbje e madhe për të gjithë ne: për BFI e RMV, Muftininë e Tetovës, Medresenë Isa Beu të cilës ia fali tërë jetën, nxënësit, besimtarët shokët, vendin dhe kudo që veproi. Ndërsa për mua dhimbje, jo vetëm të një mësimdhënësi, por të një shoku të jetës sime fetare, kombëtare dhe familjare. Ishte një inspirues i madh i dashurisë ndaj Zotit, Islamit, mësimit dhe shkencës, i urtë dhe i mençur si pedagog, i afërt me nxënës sikur të jetë prind i tyre, solidar me shokë në çdo moment dhe situatë dhe i palodhshëm në shpjegimin e vlerave islame, jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë. Për këtë e donim dhe e respektonim të gjithë. Ishte inspirues i gjallë i vlerave në jetë, ngel i tillë edhe pas ndërrimit jetë. Me gjithë dhimbjen e madhe që kemi, i mbështetemi caktimit të Allahut Fuqiplotë, sepse ne jemi të Tij dhe tek Ai do kthehemi të gjithë. Ngushëllime të thella familjes. Allahu i faltë xhennetin e amshueshëm, ndërsa familjes durim të paluhatshëm. Allahu e mëshiroftë.”

Comments are closed.