Mbledhje e rregullt e Myftinisë së Tetovës

Mbledhje e rregullt e Myftinisë së Tetovës

Myftinia e Tetovës e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mbajtur Mbledhjen e saj të rregullt më 12 mars, 2020, me një rend dite prej katër pikësh: Raporti i Myftinisë së BFI të Tetovës për vitin 2019; Planprogrami i punës për vitin 2020; Llogaria përfundimtare e Myftinisë së BFI-së Tetovë për vitin 2019; dhe Plani financiar i Myftinisë së BFI Tetovë për vitin 2020. Me mbledhjen ka kryesuar Myftiu i Myftinisë së Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi.
Mbledhjen e rregullt të Myftinisë së Tetovës e ka nderuar, me prezencë, Kryetari i BFI të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, me bashkëpunëtorë nga Rijaseti. Në përshëndetjen që i ka bërë Mbledhjes së rregullt të Myftinisë së Tetovës, h. Sulejman ef. Rexhepi e ka çmuar lart punën e “njërës prej 13 qelizave të BFI-së”, sa ka gjithsej myftini Bashkësia Fetare Islame e RMV. Kohët janë të vështira, xhemati duhet të bëjë kujdes kudo që ndodhet, në cilëndo xhami që falet, kështu që me izën e Zotit të gjitha do t’i lëmë prapa pa asnjë qeder. Puna e myftinive me më shumë xhematë është e ndërlikuar, por e lumtur kur i sheh rezultatet dhe Myftinisë së Tetovës nuk i kanë munguar rezultatet – ka thënë i pari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, h. Sulejman ef. Rexhepi.
Të gjithë pjesëmarrësit në Mbledhjen e rregullt të Myftinisë së Tetovës kanë rënë dakord për të gjitha çështjet e diskutuara, gjithnjë të gatshëm për të qenë sa më pranë librit të shenjtë, Kuranit fisnik, Sunnetit të Pejgamberit (a. s.) dhe Kushtetutës së BFI të RMV. Në këtë frymë ata, aty, kanë premtuar se në të ardhmen do të shënojnë edhe rezultate të tjera, të reja, që do të jenë në vijimësi të punës së Myftinisë së Tetovës në tërësi.

Comments are closed.