Mbi protestat e Shkupit

1233Edhe votuesit pozitarë edhe ata opozitarë, madje edhe liderët e tyre, janë pjesëtarët e komunitetit të cilit i prij unë, ndaj dhe më takon që personalisht të shpreh brengën time për përgjumjen e tyre nën hijen e një pushteti fiktiv që deri më tash nuk po jep kurrfarë bereqeti

H. Sulejman ef. Rexhepi

Po hyjmë në javën e tretë të Muajit të Bekuar, ndërsa që në ditët e para të agjërimit, provokatorët kujdestarë u kujdesxën që të na e lëndojnë shpirtin, të na i vështirësojnë lutjet tona të përshpirtshme për respekt, dashuri, mirëqenie, harmoni, paqe… Dhe, ndodhi ajo që pritej!

Pjesëtarët e besimit islam në Maqedoni, që pas përmbysjes së komunizmit, në vazhdimësi iu nënshtruan projekteve strategjike që hartoheshin nëpër guzhinat serbe e që testoheshin nëpër viset shqiptare të Maqedonisë. Si komunitet fetar pa rreshtur kemi tërhequr vërejtjen, kemi informuar opinionin e vendit, botën arabo-islame por edhe faktorin relevant ndërkombëtar për atakimet ortodokse si dhe për diskriminimet antiislame që i kemi përjetuar dhe që po i përjetojmë. Institucioni ynë, Bashkësia Fetare Islame, sot ka një arkiv të tërë që flet për padrejtsitë, dikriminimin politiko-fetar si dhe për tentativat donkishoteske të politikanëve maqedonasë për ta prezantuar Maqedoninë si shtet ortodoks, ndërsa ortodoksizmin si fe tolerante që bashkëjeton me fetë dhe grupet e tjera religjioze më të vogla. Ky ekspansionizëm ortodoks brenda shtetit tonë u zhvillua pikërisht nga frika e shpalosjes së fakteve që shkojnë në të mirë të të vetmit realitet! Maqedonia, për nga sasia e pjesëtarëve, nëse jo më pak, atëherë është ortodokse po aq sa edhe islame. Nejse, kjo është temë e statistikës nga e cila pushteti aktual ik si djalli prej temjanit!

Një “monstër” nga “Vreshtat e Rshtakut”

Këto ditë, rrugëve të Shkupit (në pjesën shqiptare) pamë skena monstruoze, si reaksion kundër një gjykimi monstruoz të cilës i parapriu një skenar po aq monstruoz sa edhe ai i “Vreshtave të Rashtakut”. Gatishmëria gjakpirëse e aparatit shtetëror nuk ishte në po të njëjtën gatishmëri për t’i mbrojtur pronat e shqiptarëve të cilat kohë më parë u dogjën nga huliganët maqedonasë në lagjen e Gjorqe Petrovit. Kësaj radhe, kjo aparaturë, përveç shfryerjes së urrejtjes antishqiptare pati, mbi të gjitha, vetëm një mesazh: “ne jemi ata që ua përligjim edhe fenë”! Si duket, pushteti aktual nuk denjoi që t’i lë të qetë pjesëtarët e islamit në vend, që gjatë këtij Muaji të Bekuar të Ramazanit, të luten për paqe, bashkëjetesë, për më shumë harmoni, dashuri, mbarësi… Këtë nuk e do Kryeministri Gruevski me tajfën e vet. Çka do ky farë kryeministri? Asgjë tjetër përveçse të mundohet për ta bindur faktorin ndërkombëtar që “t’i anashkalojë” kërkesat greke në të mirë të Maqedonisë e cila “po rrezikohet nga terrorizmi islamik” (Vreshtat e Rashtakut) dhe nga “radikalizmi islamik” (Liqeni i Smilkovcit). Përpjekje tipike fëminore! Si në rastin e parë kur u demaskuan si vetëorganizatorë të skenarit ogurzi, me ç’rast edhe i likuiduan 5 pakistanezë emigrant, ashtu, inshalla, do të demaskohen edhe me rastin “Monstra”.

Përgjatë këtyre dy dekadave pluraliste në Maqedoni, jo njëherë u dëshmua se këtu pushteti keqpërdoret me të madhe dhe pa hesap! Shkenca e jurisprudencës nënvizon qartë se aty ku ka keqpërdorim të kësaj natyre është prezent edhe viktima e autoritetit politik apo të pushtetit autoritar që nënkupton pushtetin më të lartë brenda shtetit. Pa dyshim, politika aktuale vmroiste

udhëhiqet nga kjo llogjikë politike: pa rreshtur janë përpjekur që të na e imponojnë vullnetin e vet. Historia dëshmon se, aty ku është arritur mbivullneti aty arrihet më lehtë pushtimi, ndrydhja e shpirtit, shpëlarja e trurit, krijimi i racave ariane. Kjo logjikë politike ka sjellë

nazizmin, stalinizmin, fashizmin, etj. Pra, pushteti obskurantist gjithnjë synon që të tjerët jashtë përkatësisë së bashkësisë së vet, t’i detyrojë të bëjnë atë që do vetëm ai pushtet. Dhe, në të tilla raste viktimat gjithnjë kanë qenë masive. Ja pra, rasti i protestave të fundit në Shkup, pastaj në Tetovë, Gostivar, Strugë. Fatkeqësisht, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me dy lloj viktimash dhe, si i këtillë, nëse jo sot, një ditë gjithsesi që do të jetë subjekt interesant për të drejtën penale. Në rastin konkret, nga njëra anë kemi shqiptarët-protestuesit si viktimë por, nga ana tjetër, e drejta penale i trajton si viktimë edhe ata që ushtruan dhunë nën diktatin dhe dirigjimin e autoritetit, luajalët e verbër, policët e rëndomtë. Protestat në Shkup u shkaktuan si pasojë e ndeshjes së drejtësisë dhe autoritetit të përbërë nga liderët politik që për hir të autoritetit janë të gatshëm të futen në zonë penale dhe të kryejnë dhunë masive, etnike dhe, pse jo, edhe krime ndaj njerëzimit. Pra, sado që Gruevski të lavdërohet se policia e tij këtë herë e kreu me sukses detyrën e vet (madje nën rreshta edhe u kërcënua duke thënë se kjo polici është në gjendje të bëjë punë edhe më të mëdha), fatkeqësisht, ai nga kjo polici krijoi viktimë. Policinë nuk e komandoi në mbrojtje të rendit, sistemit dhe shtetit por, në sulm kundër protestuesve me dinjitet, për t’i keqtrajtuar dhe disiplinuar deri në luajalitet absolut. Njëe maksimë nga e drejta romake thotë: “Më mirë të lirohen 100 të dënuar me faj se sa të dënohet një i pafajshëm”!

Fabula e majmunit me banane dhe djalit me gurë

Le t’i thërrasim për një çast kujtesës me rastin e proçesit të montuar së fundmi! U vranë pesë të rinj, të pafajshëm. Vrasja e tyre përvëloi prindërit e të afërmit e tyre. Në mënyrë spektakolare Jankullovska “i zbuloi” vrasësit, në mesin e të cilëve edhe një zonjë mbi 60 vjeç. Paraprakisht, këta paskëshin luftuar edhe kundër NATO-s në Afganistan! “Maqedonasit” e Gruevskit e shpëtuan NATO-n nga shqiptarët të cilët po kjo Organizatë e Sigurisë Botërore i trajton për miq. Të gjithë na paskan qenë “muxhahedinë” e “xhihadistë” (në konotacion pozitiv, këto atribute e cilësime i bëjnë nder çdo muslimani). Në mënyrë tepër perfide u munduan para ndërkombëtarëve që të shpëlahen disi nga kjo gafë e fëlliqtë e cila i nxori jo vetëm joseriozë por edhe fund e krye antiislamist, për të mos thënë tepër racist. Megjithatë, ky pushtet para elektoratit të vet e vazhdoi lojën antiislame të nisur. Prokurorja publike, Gordana Geshkovska, do të përkujdeset që skenarin monstruoz të dyshes Gruevski-Jankullovska, ta çojë deri në fund. Në fjalën e vet përfundimtare, që kundërmonte në inkuizicionin e mesjetës kishtare, ajo kërkoi dënim kapital, burgim të përjetshëm për “vrasësit” që ua paskan prishur natën festive ortodokse maqedonasëve të vendit. Dhe, si për çudi, pushteti motivohet që të hakmerret. T’ua prishë atmosferën festive muslimanëve të vendit me rastin e Muajit të Ramazanit. Shqiptimi i dënimit kapital u bë pikërisht në fillim të këtij Muaji të paqes e të dashurisë, të mirëqenies e të harmonisë. E kisha parandjerë me kohë këtë akt monstruoz nga organet e pushtetit, ndaj me kohë kisha tërhequr vërejtjen deri te faktori relevant ndërkombëtar në vend, të cilit ia pata bërë të qartë se mund të ketë edhe ndonjë reaksion të paparashikueshëm dhe të padëshirueshëm. Aq më tepër, që nëse do të ketë tentativë që këtë rast “ta zgjidhë” gjatë Muajit të agjërimit. Ndodhi pikërisht ajo që parandjeva! Hileja e maqedonasve ashtu sikurse dhe solidarizimi i protestuesve me familjarët e të dënuarve të pafajshëm. Me plot dinjitet dolën në protesta paqësore ku u pritën nga një aparaturë policore e denjë për gjendje lufte. Në këtë rast, ndodhi fabula e majmunit me të riun që ia kishte ënda bananet por që ishin në zotërim të kafshës. i riu e nervozoi majmunin duke e

gjuajtur me gurë, ndërsa majmuni gjuante me banane! Pikërisht në këtë mënyrë, gjatë këtyre protestave arkëtuan pikë vetëm protestuesit. Sepse ishin me dinjitet! Aparati shtetëror u devalvua dhe shkaktoi një dëm të parikoperushëm. Tani më askush nuk po flet për rastin e montuar. Të gjithë po thonë se vetëm me dialog politik mund të tejkalohen ndasitë në mes të maqedonasëve dhe shqiptarëve. Sikur edhe nesër të lirohen gjashtë të pafajshmit, plaga e shkaktuar me këtë rast do të kullojë për një kohë të gjatë.

Nuk duhet humbur shpresat nga subjekti ynë në pushtet

Po ku mbetën partitë tona politike këtë herë? i zuri gafil kjo protest gjithëpopullore! E populli le të bëhet copë e grimë. Unë, në kontaktet e mia të shumta me xhemation tonë anekënd vendit dëgjoj dhe ndjej një pakënaqësi të madhe, sado që i lus që mos ta humbin shpresën në subjektin tonë që na përfaqëson në pushtet. Megjithatë, si Reisul Ulema nuk e kam gjithë atë komoditet që të hesht aq lehtë mbi këtë lojë bizare që po luhet mbi kurrizin e këtyre votuesve të cilët, para së gjithash, janë xhemati ynë, janë pjesëtarë të besimit islam për të cilët përkujdeset institucionalisht Bashkësia Fetare Islame. Edhe votuesit pozitarë edhe ata opozitarë, madje edhe liderët e tyre, janë pjesëtarët e komunitetit të cilit i prij unë, ndaj dhe më takon që personalisht të shpreh brengën time për neglizhencën kaq të madhe të tyre, për përgjumjen e tyre nën hijen e një pushteti fiktiv që deri më tash nuk po jep kurrfarë breqeti, me përjashtim që po mbush hambare personale të njerëzve të pasinqertë. Opozita shqiptare e vendit, në vend që t’i prish përfundimisht idilet nën rogoz që i ka me pushtetin aktual maqedonas dhe të dalë si organizatore e protestave (sepse asaj i takon) protestat na dalin “anonime”! Opozita – në vend që të kritikojë dhe të protestojë ashpër kundër pushtetit për tërë atë dhunë që përdori ndaj protestuesve, na mban ders se protestat qenkan e drejtë e secilit dhe se ftohen të gjitha palët që të përmbahen nga përdorimi i dhunës. Ndërsa, koalicioni shqiptar në pushtet, në prononcimin e parë publikisht me këtë rast, tha se, do të kërkojë monitorim nga ekspertët ndërkombëtar dhe vendor me qasje të plotë në të gjithë proçesin dhe procedurat në mënyrë që opinioni të jetë në mënyrën më transparente i informuar. Pa dyshim, kjo është një nga qasjet më fatale që do të gjendej diku! Partia shqiptare në pushtet pati fatin që të përballet me këtë “skenar” që nga dita e parë. Udhëhiqte me digasterin kryesor që në njëfarë mënyre monitoron edhe punën e gjykatave si dhe praktikat gjyqësore të vendit. Nëse është e bindur se tërë rasti është proçes i montuar atëherë nuk ka “monitorim” më të mirë se sa braktisja e qeverisë dhe shkaktimin e krizës politike. Participimi i subjektit tonë politik në qeverinë aktuale nuk guxon të keqkuptohet, lojaliteti institucional i tyre nuk guxon që t’i inkurajojë ndërkombëtarët që t’u thonë “mashallah” maqedonasve për paqen dhe stablitetin e vendit. Ky mashrim optik duhet të marrë fund sa më parë, ndërsa ndërkombëtarët duhet të vetëdijësohet njëherë e mirë se, duke qenë palë me “më të fortin” veçsa po e viktimizojnë një popull të tërë. Përgjegjësia çdo herë bie mbi “më të fortin” e jo mbi “viktimën”!

Proçesit të montuar nga motivet fetare ortodokse, protestuesit dinjitoz i dhanë karakter politik. Ky realitet tashmë pushtetit i rrëshkiti nga dora si ngjalë. Protestat po përhapen. Gjithandej po paralajmërohen protesta. Maqedonasit shumë shpejt do të kuptojnë se, duke inskenuar raste ndërfetare nuk do të mund t’i mbulojnë problemet reale politike. Partitë tona shqiptare, duke i mbyllur sytë përballë kësaj loje të rrezikshme fetare maqedonase nuk do të arrijnë të dëshmojnë se janë faktor ekskluzivisht politik. Jo në rastin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët, fatmirësisht janë besimtarë të devotshëm. Në ish-Jugosllavi, të gjithë ata shqiptarë muslimanë që u pajtuan të shkrihen në mentalitetin sllavo-ortodoks, sado që përbënin “një pushtet absolut” – të gjithë

përfunduan për faqe të zezë. Fituan vetëm ata që besuan në Zot e Komb. Kështu ka qenë përherë, që kur u krijuan familje, fise e popuj.

Protestues pa identitet

Protestat janë e drejtë demokratike të garantuara edhe me ligj. Protestat inicohen për një qëllim. Por, qëllimi në vetvete a mund të jetë produkt i një anarkie! Po por, produkti i arritur përmes një kaosi dhe anarkie totale nuk i shërben asnjë kauze kombëtare e as fetare. Për mua janë të papranueshme protestat të cilave nuk u dihet organizatori. A duhet të fshihet organizatori nëse protestat bëhen për të drejta të njeriut, për të drejta kombëtare, fetare, për reformat dhe avansimin e drejtësisë, për punë, për çmime… Bota e civilizuar nuk pranon protesta pa organizatorë.

Protestat pa organizatorë janë shumë të rrezikshme, devalvuese dhe të dëmshme. Në protestat që i pamë në Shkup, memorja na regjistroi disa kuadro tepër rrëqethëse. Flamuj të huaj! Flamuj me tekste arabe. Flamuj që nuk i përkasin as kombit tonë, as shtetit tonë, as fesë sonë. Flamuj prej manipulantëve ordinerë! Çfarë duhet flamuri i Arabisë Saudite të valvitet në hundët e policit maqedonas! Unë për vete, nuk e besoj që shteti arab do të lejonte me asnjë çmim që të keqpërdorej flamuri shtetëror i tyre, ashtu siç nuk do të lejonte as edhe Irani, i cili flamurin e zi me Dëshminë islame e përdor kur përcjell ndonjë mehrum për në varr. Unë personalisht më me ëndje do t’i gjuaja personat e tillë se sa do të shprehja mllefin kundër policëve, sepse, personat e tillë, pa fije dyshimi, janë njerëz të involvuar me qëllim për ta devalvuar protestën kombëtare apo fetare. Po të ishin flamuj islam, e para që do t’i valviste nëpër xhami dhe në portën e vet do të ishte vetë Bashkësia Fertare Islame. Zotëri Gruevski, në prononcimin e vet të parë pas protestave tha se, strukturat gjegjëse kanë detektuar grupe e persona të huaj, që nuk ia duan askujt të mirën në këtë shtet. Unë kam shpresë shumë të madhe që subjekti ynë në pushtet shumë shpejt do të kërkojë me çdo kusht që ky “mish i egër” i kombit sa më parë të eliminohet dhe të mos bëjë vaki më që të shihet në publik. Ata që e përdhosin një ideal, një nismë të mbarë kombëtare e fetare, një protest për kushte më të mira, ata që çjerren si injorantë duke valvitur flamuj të huaj, duke u trimëruar nën identitet të rrenjshëm – të tillët duhet të përjashtohen nga shoqëria shqiptare dhe islame. Me të tillët në “protesta anonime”, jo që nuk kontrollohen ato protesta por, vëllezër të dashur, të jeni sa më syçelë dhe sa më të kujdesshëm!

Po cili është identiteti i atyre protestuesve që maskohen duke krijuar imazhet e protestave të hershme palestineze? Nëse je në protesta për një të drejtë kombëtare, atëherë pse fshihet fytyra! Shqiptari e ka për krenari të luftojë ballëlartë për të drejtat e veta kombëtare. Pjesëtari i islamit e ka për krenari që ballëlartë e sy më sy të luftojë për fenë e vet. Po këta të maskuar, këta që valëvisin flamuj të huaj, kujt i përkasin? Këto ditë, shumë njerëz më kanë telefonuar duke kërkuar ndihmë që t’ua gjejmë fëmijët, bijtë, vëllezërit që nuk dihet se nga bëhen e ku gjenden. Çuditërisht, nuk ka humbur asnjë nga ata që mbulojnë fytyrën e që valvisin flamuj të huaj, ndonëse në protesta janë më të zjarrtë e më të egër. Provokatorë të përkryer, nuk ka fjalë. Zoti na ruajt prej të pafytyrëve dhe prej atyre pa identitet

(KOHA, 10 korrik, 2014)

Comments are closed.