Të enjten më 25 tetor, që në agimin e parë të Diellit, qytetarët e e përkatësisë muslimane të Maqedonisë e festuan festën e madhe të Kurban Bajramit. Manifestimi kryesor u mbajt në Xhaminë Mustafa Pasha, e cila ndodhet pranë Kalasë së Shkupit, ku në praninë e qindra besimtarëve u bë falja e namazit të Bajramit.
Pas faljes së namazit të Sabahut, udhëheqësi i programit Abaz Islami bëri hyrjen e manifestimit duke iu dëshiruar mirëseardhje të gjithëve në xhami si dhe ndjekje të këndshme mbarë qytetarëve dhe telespektatorëve që ndiqnin drejtpërdrejtë manifestimin në Kanalin e Dytë në gjuhën shqipe të Televizionit të Maqedonisë- Shkup.
Pas prezantimit të programit në fjalë, u kënduan disa ilahi të realizuar nga kori i BFI të udhëhequr nga Drejtori i Sektorit për Kulturë pranë Riasetit të Bashkësisë Fetare Islame, Dr. Abas Jahja.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin anëtar të Rijasetit, myftinj nga muftini të ndryshme të vendit, profesorë dhe studentë e nxënës nga FSHI dhe Medreseja Isa Beu dhe mysafirë të shumtë të cilët e kishin vërshuar edhe oborrin e madh të kësaj xhamie. Ndër përfaqësuesve të jetës politike ishte edhe Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Besimi, i cili është pjesëmarrës i rregullt në xhami gjatë çdo feste të madhe islame.
Këtë vit, në mungesë të Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit i cili ndodhet në vendet e shenjta duke e shoqëruar karvanin e hanxhinjve që udhëtojnë nga Maqedonia, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame Doc. Dr. Fahrudin Ebibi mori fjalën e rastit në ceremoninë e këtij Manifestimi, ku ndër tjerash foli edhe për rëndësinë e kësaj feste dhe rëndësinë e sakrificës apo kurbanit . Dr. Ebibi gjithashtu të pranishmëve u përcolli urimin të cilin e ka dërguar Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi nga vendet e shenjta në të cilin ndër tjera thuhet:”Uroj që këto ditë festive të Kurban Bajramit të shprehim dashuri dhe afërsi ndaj familjes, miqve dhe fqinjëve, të respektojmë dallimet ndërshoqërore dhe ndërkulturore. Gjatë këtyre ditëve të shtrijmë dorën e ndihmës dhe humanizmit ndaj gjithë atyre që kanë nevojë për ne.
Në emër të Bashkësisë Fetare Islame, në emër të të gjitha institucioneve të saja dhe në emrin tim personal juve vëllezër dhe motra besimtarë ua urojë festen e Kurban Bajramit, duke e lutur Allahun Fuqiplotë që të pranon sakrificën dhe adhurimin tonë të cilën e bëjmë për hirë të Tij, me dëshirën që në trojet tona të mbretërojë paqja, dashuria dhe afërsia ndërvëllazërore!
Nga vendet e shenjta ju përcjellim bekimin e Allahut deri tek ju në atdhe, diasporë dhe mbarë muslimanët gjithandej ku jetojnë! Urime festa e Kurban Bajramit!” thuhej në mesazhin e Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi nga vendet e shenjta.
Faljen e namazit të Bajramit e bëri Dr. Fahrudin Ebibi, ndërsa duaja u realizua nga atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë z. Sejfetin Ersoj.
Më pas, Dekani i FSHI Dr. Fahrudin Ebibi, përmes një deklarate dhënë për mediat: “ Uroi të gjithë besimtarët musliman në vend dhe gjithandej ku janë që festa e Kurban Bajramit të jetë mundësi për solidarizim mes muslimanëve, duke porositur që kjo festë të manifestohet në mënyrë sa më madhështore, ngase është festë ku të gjithë muslimanët i shtrijnë dorën njëri tjetrit.”
Poashtu, gjatë ditës së parë të Bajramit, në zyrat e Rijasetit kanë arritur mesazhe të shumta dhe urime nga diaspora dhe nga vendi, ndër të cilat nga Kryetari i Shtetit, Kryeministri, Kryeparlamentari, kryetarë të partive politike, nga shumë ministri të ndryshme dhe përfaqësi të ndryshme diplomatike që veprojnë në vendin tonë..
Gjithashtu, pas ceremonisë së faljes së namazi të Bajramit në Xhaminë Mustafa Pasha, Rijasetin e BFI-së e vizituan edhe shumë miq dhe dashamirë të cilët edhe një herë dëshmuan për përkrahjen e fuqishme që ia japin këtij institucioni i cili është i vetmi për organizimin e jetës fetare islame në vend.
Ndër mysafirët që vizituan këtë institucion ishin: delegacioni Komisionit për Çështje Ndërfetare, delegacioni i përbërë nga Zv. Kryeministri z. Musa Xhaferi i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë z. Blerim Bexheti, Kryetari i Komunës së Çairit dhë njëherit Nënkryetar i BDI-së z. Izet Mexhiti dhe Zëdhënësi i Qeverisë së RM z. Muhamed Hoxha, si dhe delegacioni i Partisë Demokratike Shqiptare i kryesuar nga Kryetari i kësaj partie z. Menduh Thaçi.








Comments are closed.