Manifestimi qendror në nder të ditëlindjes së Profetit Muhamed

Me një program fetar të organizuar nga Myftinia e BFI Gostivar dhe nën patronazhin e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Bashkësia Fetare Islame e RMV mbajti Manifestimin Qendror titulluar: “Mirë se erdhe Ja Rasulullah”, në Shtëpinë e Kulturës në Gostivar ku të pranishmit përjetuan atmosferën shpirtërore të kësaj nate.

Prezent në këtë manifestim ishin të gjithë myftinjtë e BFI dhe anëtarët e Rijasetit, gjegjësisht drejtorët e sektorëve të ndryshme, Drejtori i Medresesë Isa Beu dhe Prodekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Myftiu i Sakarjas, Atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë si dhe hoxhallarë, imamë e nëpunës fetare dhe mysafirë nga mbarë vendi.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti nikoqiri, Myftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, ndërsa më pas Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai foli mbi jetën e Profetit Muhamed dhe mbi atë se si duhet vlerësuar kjo natë, ku mes tjerash tha se: “Ne myslimanët për çdo ditë jetojmë me të dashurin e Zotit, Muhamedin a.s., por ja kur e përkujtojmë ditëlindjen e tij në mënyrë më të mobilizuar me potencialet tona i kthehemi me shpirt dhe mendje të analizojmë për të nxjerrë ide edhe më të freskëta për të vazhduar rrugëtimin drejt vlerave që duhet afruar kohës së re dhe gjeneratave që vijnë në formimin e personalitetit të tyre që të jenë të gatshëm të mbajnë amanetin e të qenit njeri, prind, bashkëqytetar, bashkatdhetar dhe konstruktiv në hapjen e rrugëve drejt ardhmërisë së shëndoshë, sepse personaliteti i tij është i pashtershëm me ide të reja pa marrë parasysh kohën, vendin dhe zhvillimin intelektual të njerëzimit. Andaj, le të vazhdojmë të jemi sa më afër këtij personaliteti të madh pejgamberik me veten, familjen, fëmijët, shokët, dashamirët dhe njerëzit në përgjithësi. Salavatet tona qofshin mbi këtë Pejgamber të madh dhe shumë të dashur për ne”.

Më pas, në një atmosferë impozante, vazhdoi programi fetaro-kulturor i përgatitur enkas për këtë natë të shënuar. Përndryshe muslimanët në tërë Botën shënojnë Mevludin, ditëlindjen e profetit Muhamed, në ditën e 12-të të muajit Reibiul Evvel sipas kalendarit islam.

 

 

Comments are closed.