Manifestimi qendror i Vitit të Ri Hixhri 1443
Të hënën më 09.08.2021, në oborrin e Xhamisë Mustafa Pasha në Shkup, nën përkujdesjen dhe mbikëqyrjen e të parit të jetës fetare në vendin tone, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Bashkësia Fetare Islame mbajti manifestimin qendror për nder të Vitit të Ri Islam, Hixhretit 1443, i cili u transmetua drejt për drejt nga Kanali i dytë në gjuhë shqipe në Radio Televizionin Shtetëror të RMV.
Pjesëmarrës në këtë manifestim ishte Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftinj të Myftinive që mbulojnë të gjithë territorin e vendit tone, kryetarë të Komunave, hoxhallarë, stafi i Medresesë dhe Fakultetit të Shkencave Islame, dashamirë, donatorë të BFI-së, fytyra publike nga jeta shoqërore, besimtarë, e mysafirë nga vendi e nga jashtë.
Fillimisht Hfz. Egzon ef. Ibrahimi nëpërmjet leximit të Kuranit Fisnik ngjalli emocione tek të pranishmit, e më pas, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë, Dr. Abdikerim ef. Iseni, në rolin e moderatorit i njoftoi mysafirët me programin që do të vijon.
Më pas në binë u ftua Kori i Bashkësisë Fetare Islame, nën udhëheqjen profesionale të Mr. Eljesa Asani, të cilët interpretuan disa ilahi.
Në vazhdim të programit, në binë u ftua edhe themeluesi i korit të BFI, i cili ndër vite e ka udhëhequr Korin e BFI, ndërsa autoriteti dhe figura e tij janë shumë të njohur edhe në vend por edhe jashtë – Dr. Abas Jahja.
Hixhreti si ngjarje, shënoi historinë e re të njerëzimit. Hixhreti bëri që në shoqëri të vendoset: drejtësia, meritokracia, toleranca, mirëkuptimi, mbrojtja e vlerave të njeriut dhe shumë dimensione të tjera. Për këtë e më tepër foli njeriu i parë i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai,
“Bota Islame për çdo vit përkujton dhe me zell të madh feston ngjarjen më madhështore në historinë e muslimanëve dhe njerëzimit në përgjithësi, ngjarjen e Hixhretit të Muhamedit a.s – emigrimin e tij prej Mekës në Medinë.,që ndodhi në vitin 622. Fjala “hixhreh” është shprehje e gjuhës arabe që do të thotë “emigrim”, ”ndarje”, ”largim”, ndërsa në terminologjinë fetaro islame do të thotë “largim, ndarje nga vendi i pabesimit , ndarje nga e keqja dhe errësira”.Në rastin konkret fjala “hixhreh” nënkupton “emigrimin e Muhamedit a.s. dhe myslimanëve të parë prej Mekës në Medinë me qëllim të mbrojtjes, kultivimit dhe zhvillimit të së vërtetës hyjnore-Islamit.
Hixhretin e gjejmë prej njeriut të parë dhe si i tillë është pjesë përbërëse e jetës në këtë botë, e në veçanti cilësi e njerëzve të mëdhenj të cilët potencialet e veta i vendosin në shërbim të shpëtimit dhe ngritjes së popujve. Shkurt thënë, hixhreti është lëvizje dhe kusht kryesor për ngadhënjimin e idealeve më të larta hyjnore. Kurani Famëlartë flet për personalitetet e mëdha historike, e në veçanti për të Dërguarit e Tij si Nuhi, Ibrahimi, Jusufi, Musai, Isau (shpëtimi qoftë mbi ta), etj. të cilët për të transmetuar dhe për të përhapur dritën e të Vërtetës hyjnore përjetuan rrugën më të vështirë-rrugën e hixhretit, të vetëdijshëm se lufta kundër të keqes dhe injorancës bëhet vetëm në lëvizje dhe dinamizëm të plotë. Edhe Muhamedit a.s. ishte i detyruar të kryej hixhretin e tij prej Mekës në Medinë, nga represaliet, nënçmimin, diskriminimin dhe luftën e egër të kohës, në veçanti të mushrikëve të Mekës i cili ndodhinë kohën në të cilën njerëzimin e kishte mbuluar pabesimi, politeizmi, paganizmi, injoranca, krimi, errësira, padrejtësia, amorali, etj. Pikërisht, në këtë kohë filloi të përhapet e vërteta – misioni hyjnor nga Muhamedi a.s. nën parimin e të gjitha kohërave : “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” dhe :”Mëso studio në emër të Krijuesit të gjithçkafit”.
Këto dy parime hapën epokën e re për një rrugëtim të vërtetë e të shëndoshë të njerëzimit e cila do bazohet në përpjekjet maksimale dhe pakompromis e besimit kundër politeizmit, e dijes kundër injorancës , e tolerancës kundër dhunës, moralit kundër amoralit, dritës kundër errësirës. Andaj, Muhamedi a.s i frymëzuar nga i Madhi Zot, ishte i vetëdijshëm se lufta për të vërtetën dhe ideale të shenjta bëhet në lëvizje dhe në një dinamizëm të gjallë, andaj duhet menduar një strategji lëvizëse dhe largpamëse, gjegjësisht gjetjen e një vendi më të sigurt dhe më strategjik ku duhet të mbjellet Islami dhe prej aty të fillojë rruga e formimit të një ardhmërie të shëndoshë të njerëzimit. Pra, ndjenja e lartë e përgjegjësisë së obligimit hyjnor për të ngadhënjyer e vërteta bëri që Muhamedi a.s. me shokët e tij të lëshoj atdheun dhe të braktis gjithçka që kishin, për të kryer emigrimin në qytetin e Medinës.
Padyshim Hixhreti është një ngjarje e madhe në historinë e njerëzimit dhe si i tillë me një kuptim të përhershëm dhe të pashtershëm. T’i qasemi atij vetëm për nga prizma e saj historike, si një ngjarje që ka ndodhë në një kohë dhe hapësirë do të thotë interpretim dhe qasje e mbyllur, e ngurtë dhe e kufizuar e Hixhretit. Është e vërtet se ndodhi në një vend dhe kohë të caktuar, por kurdo dhe kudo që rrezikohen vlerat për të cilat edhe ndodhi, hixhreti është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm pa marrë parasysh kohën vendin dhe nivelin intelektual të njerëzimit. Andaj, hixhreti nuk është ikje nga armiku, përkundrazi është aksion dhe lëvizje e bazuar në sakrifikim të pashoq për të ngadhënjyer e Vërteta, Ai është aksion dhe lëvizje për kultivimin dhe formimin e një hapësire për t’u praktikuar e vërteta, është formim i kushteve dhe hapësirës më të volitshme dhe për të kultivuar rrugëtimin e sigurt dhe organizim të lartë drejt zhvillimit të shëndoshë të njerëzimit. Këtë e vërteton fakti se Muhamedi a.s. menjëherë pas hixhretit bëri hapa historik për të vendosur bazat e një organizimi të fortë dhe të sigurt, që e mbështeti në tri shtylla kryesore për të reformuar kohën dhe vendin dhe për të hap derën e rrugëtimit të shëndoshë për gjithë botën:
1. – Ndërtimi urgjent i xhamisë në Medinë me funksione universale, me çka në praktikë dha porosinë dhe parimin se nuk ka ardhmëri të një populli apo vendi pa institucione fetar, shkencore e kulturore si: xhamitë, shkollat, universitete, akademi dhe institucione tjera;
2. -Vëllazërimi i fiseve të ngatërruara në Medinë, gjegjësisht ngritja e
unitetit ne shkallën më të lartë ;
3. -Formimi i shoqërisë Islamë – shtetit në baza të ligjit dhe rendit të shëndoshë ku u gjetën të barabartë të gjithë qytetarët pa marrë parasysh racën, kombin, fenë, etj..
Me këtë edhe njëherë u vërtetua rëndësia e hixhretit dhe porosia kryesore e tij, se nuk ka ngritje dhe zhvillim të një kombi, populli apo ideali pa institucione fetaro-kulturore e shkencore dhe unitet të nivelit më të lartë gjithë popullor.
Andaj, sakrifikimi i gjithë asaj që e lanë në Mekë dhe luftërat e ashpra që pësuan pas hixhretit ne Bedër, Uhud, Hudejbi, etj. dhanë shembull të paparë se në mbrojtjen e institucioneve, unitetit dhe shoqërisë duhet mobilizuar të gjitha potencialet intelektuale, shpirtërore e fizike, sepse vetëm në kë mënyrë arrihet mbrojtja e nderit dhe ndihma e Allahut Fuqiplotë. Për këtë Allahu i plotfuqishëm thotë:
“Ata të cilët besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e Allahut, ata kanë pozitë më të lartë te Allahu xh.sh. dhe vetëm ata janë fatlumë” (Et teubetu:20).
Rezultatet e kësaj u vërtetuan më vonë kur Muhamedi a.s. dhe myslimanët çliruan Mekën duke u kthyer triumfalisht në vendlindjet e tyre. Me këtë edhe njëherë u vërtetua se ndër porositë themelore të hixhretit është lidhshmëria e ngushtë dhe e paluhatshme e besimtarit me vendlindjen – vatanin, gjegjësisht porosia se çdo hixhret duhet bërë për vendlindje duke mos e humbur lidhshmërinë me të dhe duke synuar gjithmonë në kthimin në te me qëllim të sjelljes së lirisë, pasurisë dhe çdo të mirë të saj. Për këtë Muhamedi a.s. pas çlirimit të Mekës tha:
“Nuk ka emigrim pas çlirimit , por ka mund, përpjekje, luftë dhe qëllim të pastër”.
Hixhreti, pra është angazhim, mund, mobilizim për të reformuar vetveten dhe rrethin ku jeton, kultivim i të së mirës, njerëzores dhe largim nga e keqja dhe jeta e zymtë amorale drejt njerëzores dhe morales, përpjekje për ndërtimin e personalitetit të moralshëm dhe familjes së shëndoshë, i cili do të jetë subjekt kreativ dhe konstruktiv me plotë kuptimin e fjalës, për të kultivuar të mirën dhe për të evituar të keqen në jetën individuale dhe shoqërore.
”Muhaxhir është ai i cili largohet nga ajo të cilën e ka ndaluar Allahu xh.sh., dhe pranon atë të cilën e ka urdhëruar“
Në trojet ku jetojmë dhe veprojmë porositë e hixhretit janë gjithë më aktuale kur dihet se decenieve të fundit nën ndikim e elaborateve të huaja dhe famëkeqe, si dhe nën ndikim e kushteve të vështira ekonomike, qindra mijë, mos të themi miliona njerëz të popujve të këtyre trevave u larguan nga vatani i tyre duke iu nënshtruar asimilimit të paparë fetar e kombëtar. Andaj, Hixhreti i Muhamedit a.s. mëson muhaxhirët kudo që janë të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme që kurdoherë të kthehen në vatrat e tyre, e së paku të mendojnë për vatanin e tyre duke mos e humbur lidhshmërinë dhe shpresën për tu kthyer në të.
Duke përkujtuar hixhretin e Muhamedit a.s. ne e sjellim atë në kohën tonë për të marrë inspirim të gjallë dhe impuls të fuqishëm të pjekurisë shpirtërore dhe intelektuale, për të ngritur veten tonë drejt një zhvillimi në të gjitha sferat në veçanti në atë intelektuale, ekonomike dhe morale për të ndërtuar vatrat dhe vatanin tonë.
Edhe Bashkësia Fetare Islame e RMV hixhretin e kupton kthim drejt vetvetes për të ngritur vetëdijen e saj dhe të çdo një besimtari për një zhvillim të shëndoshë në prezantimin e vlerave madhore islame. Andaj, organizimi i mirëfillte, si dhe kthimi i pronave pas shtatë decenieve në pronësi të saj si Kapan Hani, Bezistani dhe ish kinemaja janë realizim i një hixhreti të madh në vitin që po e përjetojmë.
Dhënia e kontributit maksimal të BFI në tejkalimin dhe zbehjen e sëmundjes Covid 19, që vazhdon edhe më tutje të rrezikoj njerëzimin është realizim i një hixhreti të madh në kohën në të cilën jetojmë.
Në fund më lejoni që në emër të BFI e RMV dhe në emrin tim të gjithë besimtareve dhe bashkatdhetarëve tanë kudo që janë në Botë t’ju shprehim urime të përzemërta me lutje Allahun Fuqiplotë që Viti i Ri të jetë ngritje drejtë sukseseve të reja në shërbim të Zotit, për të mbjellë të mirën, paqen, dashurinë, dhe mirëkuptimin në mes njerëzve për një të ardhme më të lumtur për të gjithë.
Zoti ju bekoftë” tha Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalimin e tij për nder të Hixhretit.
Më pas, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, bëri ndarjen e dekoratave për personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyera në ecurinë e Institucionit fetar, Bashkësisë Fetare Islame, me çmimin më të lartë të titulluar “Myfti Vehbi Dibra”, një titull i cili në vete ngërthen privilegjin dhe përgjegjësinë ndaj Zotit të Madh dhe shoqërisë. Pasi u lexua nga një pjesë e shkurtër e biografisë së këtyre personaliteteve, në binë i pari u ftua Prof. Dr. Taxhudin ef. Bislimi, profesor shumëvjeçar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup dhe ish Myfti i Myftinisë së BFI-Shkup, autor dhe koautor i shumë veprave në lëmin e çështjeve fetare dhe më gjerë, njëri ndër shtyllat kryesore të dhënies së fetvasë në vendin tonë. Personaliteti i dytë është: Hfz. Neshat ef. Xheladini nga Tetova. I punësuar si imam në një fshat të Tetovës, si dhe në disa xhami tjera, ku ka qenë i angazhuar si Imam dhe Mualim. Ndërkaq nga viti 1984 punësohet në Myftininë e Tetovës si Referent. Hoxha në fjalë afro 30 vite ka dhênë kontribut të jashtëzakonshëm për këtë institucion, ndërsa në vitin 2013 pensionohet. Personaliteti i tretë është: Prof. Qufli ef. Osmani, përgjegjës i administratës pranë BFI në Shkup, autor i shumë shkrimeve dhe disa veprave të publikuara, editorialist i rregullt në revistën mujore HËNA E RE të BFI. Personaliteti i katërt është: z. Naser Idrizi nga Gostivari, njëri ndër biznesmenët më të suksesshëm në Gostivar dhe më gjerë. Është një ndër donatorët e BFI dhe dashamir i fesë dhe kombit të tij, personalitet që rrjedh nga një familje me traditë dhe plejadë hoxhallarësh. Personaliteti i pestë është: Kompania e mirënjohur nga Shkupi EFTINIJA IMPEX, të cilët në vazhdimësi janë bujarë, solidarë dhe një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të ndërtimit ë Xhamive në Shkup dhe më gjerë. Humaniteti i tyre shtrihet edhe në shumë sfera të tjera për çka jemi dëshmitarë që të gjithë. Personaliteti i gjashtë është: z. Amir Adili nga fsh. Kopanicë, donatori kryesorë i xhamisë së fsh. Kopanicë “Xhamia e Bardhë”, njëri ndër donatorët e Xhamisë së Fakultetit të Shkencave Islame, si dhe njëri ndër donatorët më serioz në Xhaminë e Kodrës së Diellit.
Pas dorëzimit të çmimit “Myfti Vehbi Dibra”, në skenë doli aktorja e mirënjohur e trevave tona, zonja Vjollca Baftiu Zylbehari me recitalin e përgatitur enkas për këtë manifestim “BESIMI ISLAM DHE HIXHRETI”.
Digjitalizimi është bë pjesë e pandarë e jetës sonë. Këtij trendi botëror nuk i ka qëndruar anash as Bashkësia Fetare Islame, e cila nën udhëheqjen e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, formoi një komision për krijimin e një aplikacioni që do të arrinte të ishte prezent në çdo cep dhe çdo shtëpi të besimtarëve. Aplikacioni i Bashkësisë Fetare Islame, në vete përmban kohët e namazeve, informacione të rëndësishme rreth festive fetare islame, këshilla, Hadithe, Kuran, thënie të urta, aktiviteteve të Reisul Ulemasë dhe Rijasetit e shumëçka tjetër.
Prezantimin vizual të këtij aplikacioni në Google Play dhe në App Store e bëri Imami i nderuar i Qendrës Islame Vil Mr. Bekim ef. Alimi.
Më pas, për nderin dhe kënaqësinë e të pranishmëve, në binë u ftua sërish, mysafiri nga Republika e Kosovës, hfz. Egzon ef. Ibrahimi i cili interpretoi ilahinë e re LA ILAHE IL-LALL-LLAH.
Në pikën e fundit të programit, e cila për nga rëndësia do të llogaritej prijatare, u bë ndarja e Diplomave të Hafizëve të cilët me sukses kanë përfunduar memorizimin e Kur’anit Famëlartë për vitin kalendarik hënor 1442: hfz. Ubejd Ajdari nga Shkupi, hfz. Numan Selami nga Shkupi, Hfz. Hansa Demiri nga Shkupi, hfz. Sara Isaki nga Shkupi, hfz. Hubejd Alili nga Shkupi, hfz. Amar Murati nga Shkupi, hfz. Ismail Kadriu nga Tetova, hfz. Halime Xhelili nga Tetova, hfz. Hava Zyberi nga Tetova, hfz. Ez’her Memeti nga Tetova, hfz. Hatixhe Mehdiji nga Tetova, hfz. Hasim Emrullai nga Kumanova dhe hfz. Ariton Zeqiri nga Struga.
Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjithë besimtarëve ua uron Vitin e Ri Hixhri 1443 duke ju uruar një vit të mbarë, të suksesshëm, me plot shëndet.
Comments are closed.