MANIFESTIMI QENDROR I KURBAN BAJRAMIT

Të martën, më 20.07.2021, që në orët e para të mëngjesit filloi Manifestimi Qendror i faljes së namazit të Kurban Bajramit, i cili u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashë në Shkup, ku ishin prezent figurat më eminente të Bashkësisë Fetare Islame. Ky manifestim u transmetua drejt për drejt në Televizionin Nacional TVM2, që nga ora 04 e 30 minuta, ndërsa pasdite në orën 12:00 u ritransmetua sërish në të njëjtin kanal televiziv.
Fillimisht në orën 4.45, Hf. Idriz ef. Osmani i priu faljes së namazit të sabahut e më pas, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tradicionalisht kishte përgatitur program me këndim të Kuranit Famëlartë dhe të ilahijeve në gjuhën shqipe, maqedonase, turke, boshnjake dhe arabe, të realizuara nga Kori i BFI nën udhëheqjen e Hfz. Eljesa ef. Asanit.
Namazin e Bajramit e udhëhoqi Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, ndërsa Hytben e Bajramit, e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në gjuhën shqipe, maqedonase dhe arabe.
Gjatë fjalimit të Hytbes së Bajramit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dërgoi porosi të paqes, tolerancës dhe respektit mes njerëzve. Ai ua uroi festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve kudo që ndodhen.
“Të dashur besimtarë, vëllezër e motra,
Po përjetojmë Festën e Madhe të Kurban Bajramit, festë e cila sjell gëzim të madh për të gjithë ne, në familjet tona dhe mbarë muslimanët në vend dhe më gjerë. Kurban Bajrami është Festë e madhe sepse në vete përmban shumë dimensione historike dhe shoqërore me domethënie të jashtëzakonshme për njerëzimin në përgjithësi, e për besimtarët në veçanti:
Në këto ditë përfundoi zbritja e Kur’anit Famëlartë, me çka Islami mori formën e tij përfundimtare si fe dhe sistem jete, pa kufizime në kohë dhe hapësirë. Kryhet kushti i pestë islam, Haxhi, dhe gjatë ditëve të Kurban Bajramit realizohet detyra e therjes së kurbanëve që paraqet porosinë kryesore për afirmimin dhe forcimin e dinjitetit njerëzor. Këtë na e vërteton edhe rasti i Ibrahimit a.s., kur ai deshi ta realizojë premtimin dhënë të Madhit Zot, mori birin e tij ta flijojë në emër të Tij, në atë moment, në vend të të birit, atij iu dhurua kafsha për kurban. Ky akt edhe njëherë, në mënyrë konkrete dhe decide e potencoi dhe e vërtetoi vlerën dhe dinjitetin e njeriut ndaj krijesave tjera.
Pikërisht për këtë, vëllezër dhe motra,
Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet. Me këtë sakrificë për hir të Zotit synojmë të mbisundojë ndaj materiales dhe epsheve tona.
Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, i buzëqeshjes me të tjerët, i shërbimit ndaj të tjerëve, i gatishmërisë për vepër madhore dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta, ndaj të keqes. E gjithë kjo ka një qëllim arritjen e kënaqësisë së Krijuesit tone. Pikërisht për këtë i Madhi Zot në Kuranin Famëlartë thotë :
بســــــم الله الرّحمن الرّحيم
لَنْ يَنَالَ اللّٰهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلٰكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوٰى مِنْكُمْ كَذٰلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللّٰهَ عَلٰى مَا هَدٰیكُمْ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنٖينَ.
Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëbërsit
“Te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun, për atë që ju ka udhëzuar (në rrugën e drejtë). Dhe, jepu lajmin e mirë bamirësëve!” (Kaptina Haxhxh, 37)
Në fund, kam nderin e veçantë që në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve të vendit dhe bashkatdhetarëve tanë kudo që jetojnë t’u shpreh urime të përzemërta duke lutur Allahun Fuqiplotë në këtë Festë të bekuar t’i pranojë lutjet tona, kurbanat tonë dhe ibadetet tona, ta forcojë paqen në botë, ta largojë të keqen në mes njerëzve, t`na dhuroi durim në sprovat e kësaj jete.
Allahu na bekoftë me të mirat e Tij të pakufishme.
Për shumë jetë e gëzofshi Kurban Bajramin” tha Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në hutbe.
Më pas duanë e namazit të Kurban Bajramit e bëri Myftiu i Kërçovës H. Qamil ef. Rushiti, pas çka besimtarët muslimanë filluan t’ia urojnë njëri-tjetrit festën e Kurban Bajramit.
Në mënyrë të njëjtë, mijëra besimtarë mbushën xhamitë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Comments are closed.