Manifestimi Qendror i Kurban Bajramit dhe mesazhet e Reisul Ulemasë

Manifestimi Qendror i Kurban Bajramit dhe mesazhet e Reisul Ulemasë
Mesazhe për parandalimin e migracionit dhe mbrojtjes së familjes u dhanë nga Kryetari I BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në ceremoninë qendrore të Kurban Bajramit, e cila u mbajt të mërkurën më 28.06.2023, nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame. Me transmetim të drejtë për drejtë të TVM2, në hutben (mesazhin) e tij para besimtarëve, Kryetari i BFI, foli mbi vlerat e festës së Kurban Bajramit duke theksuar pikërisht dy temat më të përfolura dhe shqetësuese kohëve të fundit. Ai u bëri thirrje të gjithë faktorëve relevantë në vend, që ti bashkojnë forcat dhe idetë e të fokusohen drejt gjetjes së zgjidhjeve të cilat do të parandalojnë emigrimin e kuadrove të reja nga vendi. Ai para të pranishmëve tha: “Të flijosh në ditët e sodit, nënkupton që tërë kapaciteti dhe angazhimi jonë si shoqëri duhet të orientohet në gjetjen e mundësive për ndaljen e migracionit dhe parandalimin e largimit të kuadrove të reja nga të gjitha sferat e jetës. Kjo plagë e kamotshme mund të ndërpritet vetëm duke krijuar kushte dhe mundësi ku rinia ta gjejë perspektivën e vetë në këtë nënqiell”. Me këtë rast, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai foli edhe mbi temën e cila disa ditë po shqetëson besimtarët tanë në lidhje me propozim ligjet e kodit civil, për të cilin tha se: “Mbi të gjitha, mbrojtja e vlerave tradicionale familjare si në strukturë ashtu edhe në moral është bërthama e shoqërisë së shëndoshë”.
Ai u tregoi mediumeve edhe për mbledhjen e krerëve të bashkësive fetare në vend, të cilët në Zyrat e Rijasetit të BFI u takuan më datë 07.05.2023 dhe sollën vendimin se ligjet që janë në kundërshtim me parimet fetare nuk do të përkrahen.
“BFI edhe më herët doli me qëndrim se mbështet vendimin e gjithë krerëve të bashkësive fetare në vend, i cili doli si rezultat i mbledhjes së përbashkët me datë 07.05.2023, me ç’rast u theksua se ligjet në fjalë që janë në kundërshtim me parimet fetare nuk do të përkrahen.
BFI historikisht, në të kaluarën, aktualisht dhe në të ardhmen, gjithnjë do të qëndrojë në mbrojtje të vlerave: fetare kombëtare, morale dhe shpirtërore, sepse mbrojtja e këtyre vlerave është obligim fetar për mbrojtjen e shoqërisë njerëzore”, tha Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili më tej shtoi se: “në baze të informacioneve që kemi nga Qeveria dhe Parlamenti, se propozim ligjet e kodit civil, janë tërhequr nga procedurat e mëtejmë dhe për këtë e përgëzojmë Qeverinë që ka ndërmarrë një hap të tillë.
Manifestimi Qendror i Kurban Bajramit këtë vit filloi me leximin e Kuranit Fisnik nga Hfz. Bekim Havziu.
Pastaj vijoi falja e namazit të sabahut, duke u prirë nga një ndër imamët më të famshëm të vendit tonë, Dr. Abaz Jahja, i cili poashtu ishte pjesë e korit të Bashkësisë Fetare Islame nën drejtimin e Mr. Eljesa ef. Asanit dhe të shoqëruar edhe nga Hfz. Xhelil Havziu dhe Hfz. Bekim Havziu.
Programi festiv i Korit të BFI vazhdoi me ilahi të përzgjedhura dhe deri në kohën e ardhjes së namazit të Bajramit, kur moderatori i këtij manifestimi, Musanif Rufati, Drejtor i sektorit për kulturë në Rijasetin e BFI, dha udhëzime për mënyrën e faljes së namazit të Kurban Bajramit, të cilin më pas e udhëhoqi Myftiu i Maqedonisë Lindore, Mr. Nasir ef. Rexhepi.
Më pas Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mbajti humben e Kurban Bajramit në tre gjuhë: arabisht, shqip dhe maqedonisht.
Ndërsa zv. Atasheu për Çështje Fetare pranë ambasadës së Republikës së Turqisë Faik Jëlldëz bëri duanë e Bajramit.
Në ditën e dytë të festës së Kurban Bajramit, e enjte 29.06.2023, në ora 16:00, Bashkësia Fetare Islame ka organizuar pritjen tradicionale të “Bakllavës së Bajramit” në lokalet e Restorant Bushi, në afërsi të kalasë së Shkupit.

Comments are closed.