Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë të premten më 17.07.2015 organizoi Manifestimin Qendror të Faljes së Namazit të Bajramit në xhaminë Mustafa Pasha, objektin fetar më të njohur dhe njëherit ndër më të vjetrat në qytetin e Shkupit.
Që në orët e para të mëngjesit, akoma pa lindur Dielli, besimtarët myslimanë, të udhëhequr nga delegacioni i lartë i BFI, me në krye Kryeparin e BFI Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, erdhën na Xhaminë Mustafa Pasha ku gjatë asaj kohe këndoheshin Mukabele, nga Muzemil ef. Osmani – Shef i Kabinetit të Reisul Ulemasë. Më pas bënë faljen e Namazit të Sabahut, të udhëhequr nga Myftiu i Gostivarit Shaqir ef. Fetahu.
Pas faljes së namazit të sabahut, moderatori Mixhit Osmani, përshëndeti të pranishmit në këtë manifestim qendror të Namazit të Bajramit dhe bëri prezantimin e korit të Bashkësisë Fetare Islame të përzgjedhur për këtë manifestim, gjegjësisht zërat më të mirë të këtij nënqielli, Prof. Dr. Abaz Jahja, hfz. Adem Ramadani dhe hfz. Xhemail Nuhiju, të cilët kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke, boshnjake dhe arabe.
Në orën 6:00 moderatori i këtij manifestimi bëri shpjegimin e faljes të namazit të Bajramit, e më pas, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi udhëhoqi me faljen e Namazit të Bajramit. Pas faljes, u lexua edhe Hutbeja e Bajramit të cilën e lexoi Ajdën Jahja, nxënës i medresesë Isa Beu, e më pas, duanë e Namazit të Bajramit e bëri Myftiu i nderuar i qytetit të Tetovës Prof. Dr. Qani Nesimi.
Vlen të theksohet se në këtë manifestim, ishin prezent Ambasadori i Turqisë në Shkup, z. Omur Solendil dhe atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës Turke z. Sejfetin Ersoj. Gjithashtu të pranishëm ishin myftinj nga shumë myftini të vendit, Dekani i FSHI dhe Drejtori i Medresesë Isa Beu, të shoqëruar me profesorë, edukatorë, studentë e nxënës, intelektualë dhe besimtarë të devotshëm, për të cilët edhe një objekt kaq i madh në vend, dukej shumë i vogël, sepse fluksi i të pranishmëve i tejkalonte hapësirat e Xhamisë.
Ky manifestim u ndoq nga shumë mediume të vendit, ndërsa u transmetua drejt për drejt nga TVM2, ndërsa ritransmetimi u bë në orën 12:00.
Pas përfundimit të manifestimit, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi në shoqërimin e Myftinjve të vendit dhe Ambasadorit të Republikës Turke, dha një deklaratë për mediume, me ç’rast të gjithë besimtarëve Myslimanë ua Uroi Festën e Madhe të Fitër Bajramit. Ai i porositi besimtarët myslimanë që të jenë prej atyre që të harxhojnë mundin në rrugën e Allahut, të ndihmojnë njëri-tjetrin, sidomos të varfrit, si dhe të jenë më afër njëri-tjetrit.
Gjithashtu edhe Ambasadori i Turqisë të gjithë myslimanëve të vendit ua uroi Festën e Fitër Bajramit.
Manifestimi qendror i faljes të Fitër Bajramit
Prev Post
Mesazhi i Reisul Ulemasë së BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepit, me rastin e Fitër Bajramit 2015
Next Post
Comments are closed.