Manifestim fetar në Zvicër – Vintetur i OH Hilal

Nuk ka komb pa fe
Organizata Humanitare Hilal e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në bashkëpunim me Qendrën Islame Fetare të Vinteturit, me rastin e Israsë dhe Miraxhit organizoi manifestim fetar në Xhaminë e Vinteturit në Zvicër, në të cilën ishin prezent Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RM, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, Sekretari Gjeneral i BFI-së H. Afrim ef. Tahiri, Kryetari i Organizatës Humanitare Hilal Mustafa ef. Dauti, zv. Drejtori i Medresesë Isa Beu Zuhejr Rexhepi, Koordinatori Administrativ për Imamët e Zvicrës H. Sali ef. Bajrami,  Kryetari i Unionit të Imamëve të Zvicrës Rejhan ef. Neziri dhe mysafirë të tjerë.
photo
Fillimisht para të pranishmëve u lexuan vargje nga Kurani Famëlartë nga hfz. Aziz ef. Alili dhe Dr. Abaz ef. Jahja të cilët gjatë tërë kohës bënë interpretimin e ilative dhe mevludit.
Moderator i këtij manifestimi ishte Bekim ef. Alimi i cili këtë manifestim e riktheu në një spektakël të vërtetë.
Fjalën përshëndetëse e mori Imami i Xhamisë së Vinteturit Imran ef. Ameti i cili para të pranishmëve përshëndeti delegacionin e lartë të Bashkësisë Fetare Islame të RM të ardhur enkas për këtë natë të madhe si dhe  përmendi për bashkëpunimin që kjo qendër Islame ka pasur, ka dhe që do të ketë në të ardhmen me institucionin e vetëm fetar islame në RM dhe Organizatën Humanitare Hilal i cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame.
Më pas, para të pranishmëve, fjalën përshëndetëse e mori Rejhan ef. Neziri i cili përshëndeti të pranishmit dhe theks të veçantë i kushtoi bashkëpunimit me Institucionin Fetare Islam në RM pra, Bashkësinë Fetare Islame dhe Organizatën e saj Humanitare Hilal.
Ndërsa nga ana tjetër, Kryetari i Organizatës Humanitare Hilal, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi organizatorin, Imamin bashkë me kryesinë e Xhamisë së Vinteturit dhe tërë të pranishmit, ndërsa më pas bëri një prezantim të letërnjoftimit të Organizatës Humanitare Hilal dhe tërë aktivitetet që kjo organizatë ka ndërmarrë që nga konstituivi i radhëve të saja e deri më tani, duke e vërtetuar këtë edhe me prezantimin e një Video-Dokumentari të përgatitur enkas për këtë manifestim, i cili la një përshtypje jashtëzakonisht pozitive tek të pranishmit.
Kreu i OH Hilal ef. Dauti gjithashtu vlerësoi lartë kontributin e Qendrave Fetare Islame në Zvicër, vendet Evropiane dhe më gjerë të cilët gjithmonë kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar në sferën e humanizmit.
Më pas, fjalën kryesore të këtij manifestimi e mori Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi i cili bëri një prezantim impozant para të pranishmëve duke e shpjeguar rëndësinë dhe vlerën e Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit. Mes tjerash, Reisul Ulemaja falënderoi qendrën Islame në Vintetur dhe përshëndeti të gjithë qendrat Islame në Zvicër, me ç’rast çmoi lartë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që qendrat islame në diasporë kanë treguar gjithmonë si dhe për korrektësinë, respektin dhe lidhshmërinë shpirtërore dhe fizike ndaj institucionit më të lartë fetar Bashkësisë Fetare Islame në RM.
”Rrjeti i fuqishëm i qendrave Islame në Evropë, Amerikë dhe Australi, ka bërë që Bashkësia Fetare Islame të ketë një shtrirje në tërë Botën dhe kjo jo vetëm që na bën të ndjehemi krenarë dhe të fuqishëm, por njëkohësisht na bën që të jemi edhe më të përgjegjshëm e më të vëmendshëm për sjelljet tonë gjithandej ku veprojmë e punojmë”, tha mes tjerash Kreu i BFI-së, i cili gjithashtu bëri apel për unitet, tolerancë, mirëkuptim, dashamirësi, zemërgjerësi të cilat ndër tjerash janë edhe mësime që burojnë nga Kurani Famëlartë dhe Luti Allahun Fuqiplotë që muslimanët në përgjithësi të rrezatojnë gjithmonë pozitivisht duke i ruajtur vlerat e tyre shumë të çmuara kombëtare dhe fetare duke potencuar fuqishëm se : “Nuk ka komb pa fe” dhe se kombi është dhuratë nga Allahu Fuqiplotë, ndërsa feja islame ka qenë elementi kryesor i cili ka bërë të mundur që shqiptarët ta rruajnë fuqishëm identitetin e tyre kombëtar në të kaluarën dhe në të tashmen.

Comments are closed.