Ligjerata Tradicionale e Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi

Sfidat gjithmonë na kanë bërë më të fortë
Të mërkurën më 23 Maj 2012 Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, para studentëve dhe stafit drejtues të Fakultetit të Shkencave Islame mbajti ligjeratën tradicionale, me temë: “BFI – sfidat dhe perspektivat”.
DSC03440
I shoqëruar nga Dekani i FSHI-së Prof. Dr. Fahrudin Hebibi, Sekretari i FSHI-së Shenasi Mehmedi dhe Kryetari i Shoqaës së Ulemave Rexhep ef. Ziberi, para të pranishmive Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi foli për rreth një orë para studentëve me çrast foli rreth sfidave me të cilat është përballur BFI-ja gjatë periudhës së kaluar dhe për planet që i planifikon institucioni fetar për të ardhmen. Kreu i BFI-së gjithashtu bëri një analizë për gjendjen aktuale në vend dhe përpjekjen e disa qarqeve që përpiëen ti rikthejnë muslimanët e vendit në fajtorë kujdestarë.
Në vazhdim po japim në formë integrale fjalimin e Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi.
I nderuari Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame, të nderuar profesorë dhe mysafirë, të nderuar studente dhe studentë, fillimisht më lejoni tu përshëndes me përshëndetjen Absolute Islame –  Esselamu Alejkum ve Rahmetullahi ve Berekatuhu. – Paqja, mëshira, shpëtimi dhe Bekimi i Allahut Fuqiplotë qofshin gjithmonë mbi ju.
Qëndroj sot para jush me respektin për detyrën dhe punën që keni bërë deri tani dhe me angazhimet që keni përpara, mirënjohës për arritjet dhe i vetëdijshëm për sakrificat që keni bërë për të arritur këtu…
Falënderoj profesorët dhe stafin e këtij Fakulteti për bujarinë dhe bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë këtyre viteve veprimtarie të Fakultetit të Shkencave Islame si dhe për shërbimin e tyre në edukimin dhe arsimimin e këtij brezi të ri, mbi supet e të cilëve do të rëndojë ardhmëria e vendit.
Në një kohë kur në tërë Botën, respektimi i të drejtat njerëzore ka arritur kulminacionin, ndërsa e drejta për të shprehur lirshëm liritë fetare nuk është më një tabu teme, muslimanët e Maqedonisë akoma po luftojnë për të drejtat e tyre të barabarta me bashkëqytetarët e besimeve të tjera.
Të gjithë jemi dëshmitarë se në mënyrë të padrejtë islami në vendin tonë po atakohet rreptë nga qarqe të errëta që nuk ia duan të mirën. Padrejtësitë janë evidente dhe dihen më botërisht, ndërsa ne çdo ditë kemi ngritur zërin tonë dhe asnjëherë nuk kemi pranuar nënshtrimin.
Politika e justifikimeve të rrejshme dhe demagogjisë së vjetruar gjithmonë kanë ndikuar në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndër-fetare në vend. Politika e premtimeve deklarative gjithmonë i ka kushtuar rëndë aspiratave euro-integruese të vendit. Dështimi i Samitit të Natos në Çikago, nuk ishte një rastësi, por vazhdimësi e një politike të papërmbajtur fëmijënore dhe inatçore, çmimin e së cilës e paguajmë çdo ditë – të gjithë ne – qytetarët e Maqedonisë.
Sot me keqardhje ju them se sfidat që kemi përballë janë reale, serioze dhe të shumta. Por ne jemi të përgatitur për to dhe e dimë se ato nuk do të kapërcehen lehtë ose gjatë një harku të shkurtër kohor. Gjithashtu e dimë se ato do të kapërcehen, sepse sfida të tilla ka pasur edhe më parë, madje edhe më të rënda, por gjithmonë kanë kaluar, mjafton që gjatë tërë kësaj kohe mos ta humbim durimin dhe logjikën e shëndoshë, e gjithmonë të jemi vigjilent përballë peripecive të kohës.
Ne jemi mbledhur këtu sepse kemi zgjedhur shpresën dhe besimin ndaj Allahut Fuqiplotë përkundër frikës, bashkimin tonë për një qëllim madhor, për një jetë më të mirë, kundrejt konflikteve dhe grindjeve.
Tani ka ardhur koha të riafirmojmë shpirtin tonë të fuqishëm, të zgjedhim atë çka është e mirë nga historia, të çojmë përpara atë dhuratë të çmuar, atë ide fisnike, të trashëguar nga brezi në brez: Premtimin e Allahut Fuqiplotë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, të gjithë janë të lirë dhe të gjithë meritojnë shansin të jenë plotësisht të lumtur.
“ O ju njerëz Ne ju kemi krijuar nga një mashkull dhe një femër pastaj ju kemi bërë popuj dhe fise në mënyrë që të njiheni mes veti”  (Huxhurat:13).
Duke riafirmuar madhështinë e besimit tonë, ne e kuptojmë se madhështia nuk është kurrë dhuratë. Ajo është traditë, një trashëgimi që kultivohet nga brezi në brez. Vetëm kështu mund të fitohet ajo. Rrugëtimi ynë nuk ka qenë kurrë i lehtë, por ne gjithmonë kemi ecur nëpër trasetë e paraardhësve tanë dhe kemi çmuar vlerat që ata i kanë krijuar për ne. Në këto gjurmë ne vazhdojmë edhe sot dhe me plot bindje ju them se aftësitë tona nuk janë pakësuar, por përkundrazi, me gjenerata të tilla siç jeni ju, ardhmëria gjithmonë është më premtuese.
Koha për të ndenjur pa vepruar kundër vendimeve që ndërmerren në të keqen tonë, ka kohë që ka përfunduar. Sfidat gjithmonë janë treguar si shtytja më e mirë për fitore, andaj ne asnjëherë nuk kemi pasur frikë nga sfidat dhe kjo ka bërë që asnjëherë të mos dorëzohemi apo nënshtrohemi, por të bëhemi më të fortë, më vitalë.
Padrejtësitë si: Burmali Xhamia, Çarshi Xhamia në Prilep, apo xhamia e Llazhecit në Manastir, e shumë të tjera, nuk duhet të na demoralizojnë, por ato duhet të na japin kurajë që edhe më tej të vazhdojmë ta kërkojmë atë që është e jona dhe ti besojmë forcës tonë, sepse atje ku ka vullnet, ka edhe mënyrë. Një nga mënyrat që ne vepruam ishte edhe implikimi i faktorit ndërkombëtar, pikërisht në këto çështje ku vlerësuam se pala tjetër nuk bën lëshime. Edhe pse në pa të drejtë, ato lëshime nuk ishin asgjë tjetër përpos një e drejtë thelbësore që i takon një populli apo një komuniteti, madje të garantuara edhe me Kushtetutë. Por deri më tani, asgjë nuk është realizuar përpos premtimeve deklarative të Kryeministrit dhe tajfës së tij, dhe për çudinë e Ambasadorëve të vendeve më të fuqishme që veprojnë në vendin tonë.
Bashkësia Fetare Islame ka dëshmuar dhe do të dëshmon sa herë që të jetë nevoja, se është partner konstruktiv për çuarjen përpara të vendit, por asnjëherë nuk do të lejojë që të nëpërkëmbet vullneti i qindra mijëra muslimavë që jetojnë në Maqedoni. Këtë e kanë të qartë të gjithë.
Krijimi i marrëdhënieve miqësore më të gjitha përfaqësitë diplomatike në vend dhe hapja e qendrave Islame nëpër tërë shtetet Evropiane dhe Amerikë, është një tregues i qartë se Bashkësia Fetare Islame ka kohë që është bërë pjesë e vendeve më demokratike në Botë dhe dëshmon qartë se BFI-ja mund të konsiderohet si një partner serioz në realizmin e aspiratave euro-atlantike të vendit tonë.
Mundimet dhe vuajtjet të cilave u janë nënshtruar kombi ynë dhe besimtarët muslimanë gjithmonë kanë qenë të mëdha, prandaj jemi sinqerisht të vetëdijshëm për ndjenjat më të thella tuajat. Megjithatë, në përputhje me rregullat e kohës dhe fatit, kemi vendosur të shtrojmë rrugën e një paqeje të gjatë për të gjitha gjeneratat që do të vijnë, herë-herë duke duruar të padurueshmen dhe duke vuajtur barrën më të rëndë. Duke qenë në gjendje të ruajmë dhe të mbajmë besimin tonë të palëkundur ashtu siç na udhëzon Kurani Fisnik, ne gjithmonë kemi qenë të bashkuar dhe kemi mbështetur njëri tjetrin me sinqeritet dhe integritet. Ruajuni nga shpërthimet e emocioneve që mund të na sjellin ndërlikime të panevojshme, apo nga çdo zënkë vëllazërore që mund të krijojë konfuzion, t’ju ngatërrojë drejtimin apo të bëjë që të humbni besimin në botë.
Të nderuar studentë, zonja dhe zotërinj,
ju keni një detyrë fisnike që ti udhëzoni besimtarët por edhe gjithë kombin të vazhdojë nga një gjeneratë në tjetrën si një familje, i qëndrueshëm në besimin për pavdekshmërinë e tokës së tij të shenjtë dhe i ndërgjegjshëm për barrën e rëndë të përgjegjësive, dhe rrugën e gjatë përpara tij. Bashkojeni forcën që keni për t’ia përkushtuar ndërtimit të së ardhmes.
Kultivoni rrugën e drejtësisë, fisnikërisë së shpirtit, dhe punës me një vendosmëri që të nxisni lavdinë e Allahut të Plotfuqishëm dhe të ruani hapin e progresit me Botën.
Zonja dhe Zotërinj,
Në prezantimin tim të sotëm, unë dua të ndalem edhe në tri fusha me interes sa i përket vakëfit:
– angazhimi i BFI-së për të ardhur deri tek denacionalizimi;
– përkushtimi i BFI ndaj kthimit të vakëfit;
– përpjekjet e BFI-së  për ndërtimin e një vakëfi të qëndrueshëm i cili do të ndikoj në zhvillimin dhe progresit e islamit njëkohësisht.
Prona e cila i sillte përfitime ekonomike interesit të përgjithshëm të myslimanëve për të cilën ishte dedikuar vakëfi siç janë dyqanet, shtëpitë, hamamet, hanet dhe toka pjellore tani përbëjnë vetëm një sasi simbolike në krahasim me pronën e vakëfit e cila ishte lënë para ardhjes së komunizmit. Miliona metër katrorë vakëf është uzurpuar nga sistemi i njëmendësisë. Këto veprime nuk kanë qenë  të rastësishme. Qëllimi parësorë ka qenë që institucionet e Bashkësisë Islame dhe të myslimanëve të zhvishen nga prona e vlefshme që sillte përfitime, në mënyrë që të paralizohet aktiviteti i tyre.
Shumicën e dokumenteve të këtyre pronave në mënyra të ndryshme pushtetet e një pas njëshme i kanë djegur dhe shkatërruar me qëllim që ne si institucion të mos mund të vërtetojmë pronësinë. Për shumicën e pronës së marrë që ka pas karakter vital madje nuk është dhënë asnjë dokument për nacionalizim, eksproprijim apo formë tjerë të shtetëzimit, dhe me këtë juridikisht neve na është marrë një e drejtë që të kërkojmë kthimin e pronës.
Por prapë kemi një numër të madh të kërkesave për denacionalizim. Ne kemi kërkuar që të na kthehet katër milion metër katrorë përfshirë këtu livadhe, ara, kullosa, male dhe të tjera si dhe 42 mijë metra katrorë objekte përfshirë banesa, shtëpi dhe dyqane.
Kthimi i pronave ka qenë brengë e kamotshme. Që në vitin 1992, BFI-ja adreson një letër deri tek Qeveria e atëhershme e Maqedonisë dhe kërkon kthimin e pronës së nacionalizuar, mirëpo Qeveria përgjigjet  tetë vite më vonë kur edhe e sjell Ligjin për denacionalizim.
Ka pas përgatitje serioze në grumbullimin dhe sistematizimin e dokumentacionit përkatës nga ana e BFI-së.
Edhe pse Ligji për denacionalizim ishte një hap përpara për evitimin e padrejtësisë ndaj Bashkësisë Islame, padrejtësia po vazhdon edhe në sistemin e ri.
Por që nga viti 1998 e deri më sot, procesi i denacionalizimit po ecën një hap para dy mbas.
Mbi bazë të analizës së bërë, nga puna me lëndë rezulton konkluzioni se në kontinuitet janë të pranishme dobësitë në pjesën e tejkalimit të afateve të përcaktuara ligjore për procedim dhe marrje të vendimit në të gjitha shkallët e procedurës.
Sa i përket kualitetit të punës se organeve të denacionalizimit, lirisht mund të thuhet se ekziston tendencë për aplikimin e padrejtë të të drejtës materiale – dispozitave të Ligjit për denacionalizim dhe të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative, punët kryhen në mënyrë subjektive , ka vonesa të pajustifikueshme, organet e shtetit  nuk veprojnë në mënyrë më të ndërgjegjshme dhe efektive.
Gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe gjatë vendimmarrjes, organet për denacionalizim udhëhiqen nga vlerësimi i gabuar, i paarsyeshëm ose i pakuptimtë i gjendjes faktike, dhe krejt kjo me tendencë për ta penguar realizimin e të drejtës së BFI-së për të kthyer vakëfin.
Ajo që është diskriminuese është se organet e shtetit nuk sigurojnë trajtim të barabartë të bashkësive fetare, përkatësisht për BFI-së vërehet punë e ngadaltë, burokraci jashtë mase ndërsa për KOM shfrytëzohet tjetër arshin dhe lëndët ju kthehen dhe kompensohen dhjetëra herë më shumë se BFI-së;
Vetë rezultati se duke kërkuar 4 milion metër katrorë dhe pas 12 vitesh vetëm 500 mijë metër katror kemi mund të kthejmë, tregon qartë se procesi i denacionalizimit në Maqedoni, zvarritet në mënyrë të padrejtë, gjë e cila e konfirmon përshtypjen e përgjithshme se shteti nuk ka qëllime të mirëfillta për ta zbatuar tërësisht procesin e denacionalizimit brenda afatit të paraparë, periudhë kohore e cila tanimë ka skaduar, ndërkohë që nuk janë zgjidhur as gjysma e lëndëve.
Kohë më parë, Ministri i Financave doli me një deklaratë se ka përfunduar procesi i denacionalizimit, deklaratë kjo që krijoi konfuzion tek popullata. Në fakt, është sjellë vendim dosido për të gjithë kërkesat e BFI-së në shkallë të parë.
Tentimi shtetërorë për të paraqitur situatën se përfundoi denacionalizimi është një gabim shumë i madh. Kjo për arsye se lëndët e denacionalizimit kalojnë në procedurë administrative në dy shkallë dhe pavarësisht se lëndët e BFI-së, në shkallë të parë kanë  një vendim , përsëri vazhdojmë të kemi vetëm 10-15 për qind të lëndëve të plotfuqishme dhe që kanë përfunduar në të gjitha fazat. Lëndët tjera janë në shkallë të ndryshme dhe asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar.
Edhe përkundër kësaj, BFI-ja nuk ka qëndruar duarkryq. Ka pas nj angazhim të madh të një strukture të tërë të punësuarish të cilët kanë punuar pa ndërprerë që të sigurojnë dokumentet përkatëse rreth kësaj çështje. Gjatë çdo takimi që kemi zhvilluar me përfaqësues politik, shtetërorë por edhe ndërkombëtarë, ne e kemi alarmuar situatën dhe ua kemi bërë me dije se nuk do të heqim dorë aspak nga të drejtat tona legjitime.
Rezultatet tona janë evidente. Në çdo raport vlerësimi nga organizma ndërkombëtare, si Departamenti i Shtetit Amerikan, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Komisionit Evropian, jepen kritika mu për denacionalizimin e vakëfit të BFI-së  duke e renditur Maqedoninë në vende të fundit lidhur me respektimin e të drejtës së pronësisë.
Një nga  kushtëzimet e BE që Maqedonia duhet të plotësojë për të marrë statusin e kandidatit për në BE është edhe e drejta e pronës. Qeveria mundohet që me anë të hartimeve të disa ligjeve,  të japë përshtypjen që e ka zgjidhur të drejtën e pronës. Mirëpo, ne si BFI, dëshmojmë që shteti maqedonas, mundohet më shumë të hedhë hi ndërkombëtarëve, sesa të japë një zgjidhje të drejtë në të drejtën e pronës së BFI-së që vjen si rezultat i sjelljes së Ligjit për denacionalizim.
Faktori tjetër që nuk meriton që të amnistohet është subjekti politik shqiptarë i cili që nga ’98-ta e deri më sot ka participuar në Qeveri. Ndihma e tyre për të kthyer vakëfin tek pronarët e vërtet ka qenë e barabartë me zero.
Qeveria e Maqedonisë me këtë politikë dërgon sinjale se ajo nuk është për bashkëjetesë, nuk është për një shtet multietnik, multifetar dhe demokratik. Qeveria e Maqedonisë për të satën herë po bëhet shtylla e ndarjes së qytetarëve në baza etnike dhe fetare, ajo po thellon hendekun e urrejtjes dhe ndasisë që është një politikë që bie ndesh me vullnetin e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare.
Qeveria e Maqedonisë nëse nuk ndryshon kursin politik shtetin do ta kthej drejt kryqëzatave të cilat lanë pas vete vetëm viktima , urrejtje, ndasi dhe dhimbje.
Por ne jemi të vendosur. Ne nuk e kemi në plan që të lëshojmë pe pavarësisht obstruksioneve. Nëse organet e këtij shteti nuk u thonë PO kërkesave tona, ne drejtësinë do ta kërkojmë në institucionet ndërkombëtare dhe do të detyrohemi të gjejmë forma të tjera më të cilën do të kthejmë amanetin e të parëve tanë në vendin ku ato e kanë lënë.
Të nderuar vëllezër dhe motra, miq dhe dashamirë
Allahu xh.sh. thotë:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre realizuan premtimin duke dhënë jetën……”  ( El-Ehzab: 23)
Islami dhe myslimanët, Muhamedi a.s dhe shpallja e Kuranit, jeta fetare dhe kulturore, historia  e popujve që i takojnë islamit në këto troje dhe kultura e pasur janë vlerat më të çmuara  që posedojmë. Të gjitha këto vlera që i kemi dhe i rruajmë denjësisht janë të kultivuara dhe zhvilluara ndër gjenerata shpirtërisht me kapacitetin tonë dhe forcën e besimit që kemi në Allahun Fuqiplotë. Institucionin e vetëm Islam që neve kemi amanet dhe vasijet nga gjeneratat e para ka bërë që të gjithë atë pasuri shpirtërore dhe fetare të ndërtojmë me mund dhe zell, por gjithsesi e mbrojmë me përkushtim  të jashtëzakont.
Bashkësia Fetare Islame e RM është institucion që ka një traditë dhe histori shumëshekullore e që ndër kohëra ka shënuar suksese dhe të arritura të pamohueshme. Një veprimtari mbi gjashtë shekuj sigurisht se është fakt që duhet respektuar, por gjithashtu edhe argument për ata që nuk i kanë qejf numrat.
Ky institucion ka vepruar në mënyrë të denjë për të realizuar të gjitha nevojave të besimtarëve muslimanë të vendit dhe të gjithë atyre që janë për momentin në diasporë, por gjithashtu duke mbrojt fenë dhe popullin. Institucioni dhe ndjekësit e saj kanë qenë në qendër të vëmendjes, të vërtet të cilën na i argumenton feja që ka luajtur një rol të dorës së parë në mbijetesën e popujve që kishin përqafuar Islamin në veçanti atë shqiptar. Ishte feja Islame që i dalloi shqiptarët kur politika sllavizuese dhe helene e fqinjëve synonin të përvetësojnë dhe përfitojnë trojet shqiptare.
Vetëdija e lartë dhe guximi i popullit tonë kishte bërë që të gjitha komplotet ndaj Islamit dhe myslimanëve të mos realizohen gjeneralisht. Islami la gjurmë në jetën zakonore të shqiptarëve, përmes ndërhyrjes së disa normave të sheriatit. Por sheriati nuk u bë asnjëherë kod sundues zakonor i shqiptarëve. Pranimi i islamit nga shqiptaret shpjegohet edhe me rolin që do të luante kjo fe për diferencimin e shqiptareve nga politika asimiluese ndaj shqiptarëve.
Por, gjithashtu nuk kanë munguar tendencat e panumërta të forcave tjera antiislame për të rrënuar tërësisht kulturën dhe trashëgiminë kulturore fetare islame në këto hapësira. Dëshmia më e fortë të cilën politika sllave kanë zbatuar ndaj islamit dhe myslimanëve ka qenë një politik e kriminalizuar kundër prezencës së Islamit në Ballkan. Neve akoma përkujtojmë xhamitë dhe shumë objekte sakrale e të pasura të cilat kanë qenë  vlerë e pamohuar e popujve të Ballkanit. Shumë qendra të shteteve të këtij gadishulli kanë pasur me qindra xhami, të cilat më pastaj në mënyrë të egër dhe barbare janë rrënuar dhe zhdukur. Vetëm krijesat që nuk e njohin Zotin, shpirtin, dhe vlerat, ata eliminojnë gjithçka që është trashëgimi kulturore dhe historike.
Ky krim ndaj kulturës Islame po vazhdon akoma, por  tani me një strategji kinse moderne, por të gjithë zullumqarët kanë harruar fjalën e Allahut ku thotë:
“ Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre realizuan premtimin duke dhënë jetën,….”El-Ehzab: 23 

Comments are closed.