Lidershipi

reisi Sulejman ef Rexhepi

“O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhërin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues. E besimtarëve jepu sihariq se prej Allahut ata kanë dhunti të madhe. Mos i dëgjo jobesimtarët e hipokritët dhe mos ua vë veshin mundimeve të tyre ndaj teje, e mbështetju Allahut se Allahu është mbrojtje e mjaftueshme” (ElAhzabë: 45-48)

 

Nga H. Sulejman ef. Rexhepi

 

I motivuar nga manifestimet e shumta që këto ditë i organizuan organet e BFI në RM me rastin e përkujtimit të ditës së lindjes së Pejgamberit tonë të dashur, lexues të nderuar, më lejoni të bëj një krahasim në mes të Prijësit tonë të përjetshëm dhe prijësve të tjerë relevant të kohërave tona, me theks të veçantë, në shoqërinë tonë. Natyrisht, nuk dua të keqkuptohem me këtë krahasim, sepse është e qartë që, Muhamedit a.s. për prijës të përjetshëm na e caktoi vetë Allahu i Gjithëmëshirshëm, ndërsa këta “prijësit” bashkëkohorë i cakton vetë populli, sipas preferencave të veta, sipas programeve partiake dhe premtimeve, ndonëse kwto tw fundit duhet të konceptohen vetëm “si alet” përmes të cilëve akcili lider lehtësohet nga pesha e përgjegjësisë. Lideri jep udhëzime të shëndosha, ndërsa vetë ai duhet të jetë “premtimi” i një të ardhme të sigurt e me prosperitet. Mosrealizimi i premtimeve gjithmonë justifikohet me “nuk na lejuan”, “nuk premtoi koha”, “nuk u morëm vesh”, “nuk na duan”, etj. Asnjë kohë e pakohë nuk ka qenë më e tmerrshme se sa koha e Pejgamberisë së Muhamedit a.s., se sa koha kur ai pranoi Urdhërin për t’ju prirë një grusht njerëzish prej të cilëve pastaj u bë një botë e tërë më vete.

Ardhja e tij midis nesh pati mision të shenjtë: ta shpëtojë njerëzimin duke e përhapur Dritën e Vërtetë, duke na udhëzuar në të vetmen rrugë të pranueshme nga Zoti, duke e përhapur fenë Islame nga lindja në perëndim, nga veriu në jug, fenë që për mbarë njerëzimin predikon paqe e dashuri, bashkëjetesë e vëllazëri.

E nisi këtë veprimtari të shenjtë, siç thamë, me një, dy, tre njerëz. Për pak kohë u bënë qindra, mijëra, miliona ithtarë të islamit. Sot mund të flitet për miliarda myslimanë anekënd botës.

Le të ndalemi për një çast te ky segment dhe le të nënvizojmë dy-tri fakte që flasin për këtë sukses të mbinatyrshëm dhe të bëjmë, siç thashë në krye të shkrimit, një krahasim me kohën e sotme, me kohën kur kemi plotë liderë që mëtojnë të kenë sa më shumë ithtarë pas vetes.

Muhamedi s.a.v.s. nuk ishte me shkollë, nuk dinte as shkrim dhe as lexim, megjithatë u bë më e dashura krijesë tek Allahu xh.sh. E pranoi amanetin me gjithë shpirt, iu qas punës me sinqeritetin më të madh dhe kurrë nuk u dorëzua në zhvillimin e aktivitetit për përhapjen e Dritës së Vërtetë anekënd botës. Ai që në fillim e kuptoi rëndësinë e amanetit, peshën e të qenurit “I pari”, në krye të një çështje madhore. Prej ithtarëve të parë krijoi ekipin e vet, zgjodhi bashkëpunëtorë me të cilët punoi deri në frymën e fundit. Nuk u tradhëtuan në mes vete, nuk u ndërruan e nuk u zëvendësuan me të tjerët, nuk pati sharje, ofendime, konflikte të brendshme e shkarje deri në fraksionim, sepse, në mesin e tyre nuk pati hile, nuk pati korrupsion, nuk pati marrëveshje sekrete për përfitime mbi kurriz të pasuesve, popullatës e kombit.

Si asnjë lider tjetër, hasi në shumë vështirësi, në pengesa e shantazhe, në kundërshti e në luftëra por, kurrë nuk u zbraps nga qëllimi i tij i shenjtë, kurrë nuk u hakmor kundër atyre që e luftuan, nuk u josh me asnjë ofertë dhe kurrë nuk ua ktheu shpinën pasuesve të vet. Për asnjë çast nuk i zhgënjeu, nuk i manipuloi dhe nuk i dorëzoi për më të madhin kjamet. Ideali i tij ishte i shenjtë, ishte porosi e Zotit Fuqiplotë. Por, ky ideal do të mund të sendërtohej vetëm duke e shtuar numrin e pasuesve të vet, sepse duhej dikush ta përqafonte, duhej dikush ta përhapte, duhej dikush ta zbatonte dhe, krejt në fund, dikush duhej të vdiste për atë ideal. Aty ku fillon korrupsioni, aty ku shpalosen interesat meskine, aty ku suksesi llogaritet mbi llogjikën e përftimeve materiale, aty ku për hir të përfitimeve materiale pranohet bashkëpunimi edhe me armikun, madje deri në vdekje, aty paraprakisht ka vdekur ideali, vdes synimi i sinqertë, vdes misioni i përcaktuar (ndonëse formalisht) nëpër pamfletet partiake.

Asnjë njeriu në historinë e njerëzimit nuk i shkoi ndorësh siç i shkoi Muhamedit s.a.v.s. që porositë e tij, veprimtaria e tij, sjelljet e tij, oratoria e tij, të bëhet shkaktare jo vetëm për ta sendërtuar një ideal por edhe të ndërtojë një sistem të tërë, të ndikojë në themelimin e institucioneve popullore, të hidhen bazat e një shteti me të gjitha institucionet e nevojshme. Ai ngriti moralin shoqëror, institucionin e familjes, sistemin e drejtësisë, qasje njerëzore ndaj dukurive dhe fenomeneve të ndryshme, sistemin ekonomik e bankar, dhe të gjitha këto vlera, sot për sot janë, pa dyshim, të pakonkurueshme.

Mënyra e krijimit të raporteve ndërnjerëzore me bashkëpunëtorë e bashkëmendimtarë, besueshmëria reciproke, gatishmëria për sakrifikim reciprok, në mes të Pejgamberit dhe pasusve të tij dhe anasjelltas, flet për një prijës vizionar, të palodhshëm, të pathyeshëm, të bekuar me shumë miq e dashamirë, të respektuar deri në frymën e fundit nga miliarda pasues. Kujt i ka shkuar për dore kjo më shumë se sa Pejgamberit tonë të dashur, për të cilin, jo vetëm që dëshmojmë se është vula e pejgamberisë porse mbetet model i përjetshëm i një lideri i cili  apriori është i garantuar me një sukses të përjetshëm.

Dhe ky sukses i këtij lideri ka vetëm një rrugë: ecje drejt Dritës së Shenjtë, duke mbjellë besim e duke reflektuar sinqeritet dhe vetëm sinqeritet. Ky ishte personaliteti që shëmbëllente në Muhamedin s.a.v.s. Jashtë kësaj rruge ka vetëm hendeqe, rreziqe, terr, tradhëti e dështime.

Zot, na bëj që përjetë të ecim vetëm asaj rruge që ndriçohet nga Drita e Shenjtë dhe na lidh përjetë për trungun e ummetit të Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.

Kur’ani i shenjtë thotë: “Nëse ata të kundërshtojnë ty (o Muhamed) thuaju: “Unë i përulem vetëm Allahut, e po ashtu edhe ata që më pasojnë mua”. Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri si dhe analfabetëve: “A i përuleni Allahut?” Nëse e pranojnë Islamin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. Por, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’ua përcjellësh dijen. Allahu i vrojton robërit e Vet.” (Ali Imran, 20)

 

(Autori është Kryetar i BFI në RM)

Comments are closed.