Letërqarkore drejtuar: Organizatave joqeveritare

Bashkësia Fetare Islame e RM është e vetmja bashkësi fetare e regjistruar në përputhshmëri me Ligjin mbi Kishën, Bashkësinë Fetare dhe Grupin Religjioz në Regjistrin e vetëm gjyqësor për bashkësitë fetare dhe në bazë të këtij statusi juridik ka të drejtë, në Republikën e Maqedonisë të organizojë jetën fetare, respektivisht të organizojë shërbesa fetare si dhe manifestime të tjera fetare për pjesëtarët e Islamit nëpër objektet fetare si dhe në vendet tjera publike.
Si pjesë përbërse të BFI-së veprojnë edhe institucionet e saja arsimore, siç është Medreseja “Isa Beu” me paralelet e saja të shtrira nëpër shumë qytete të vendit dhe Fakulteti i Shkencave Islame, të cilat janë ndërtuar apo ndërtohen nga kontributet vullnetare të besimtarëve si dhe kontributet fetare siç janë zeqati dhe sadekatul-fitri. Fondi financiar për mirëmbajtjen e tyre dhe për veprimtari normale të procesit edukativo arsimor të tyre, kryesisht sigurohet nga mjetet e dhënura nga ana e dhënësve të zeqatit dhe sadekatul-fitrit në fondin e lartpërmendur.
Kemi të dhëna të sakta se një pjesë e organizatave joqeveritare, në veçanti ato të cilave ua dërgojmë këtë qarkore, se në kundërshtim me regjistrimin e tyre në bazë të Ligjit  për Shoqatat e qytetarëve dhe fondacionet, me vetëdije  gjatë muajit të Ramazanit grumbullojnë një pjesë të kontributeve fetare, zeqatit dhe sadekatul-fitrit që është në kolizion të tërësishëm me Ligjin mbi Kishën, Bashkësinë Fetare dhe Grupin Religjioz, respektivisht me nenin 18 paragrafi 1, 2 dhe 3, ku në paragrafin tre thuhet: “Shërbesa fetare, lutje dhe manifestime  të tjera të fesë  në objektet fetare  ose në vende  nga paragrafi (1) dhe (2) të këtij neni mund të organizojë dhe të kryejë nëpunësi fetar i kishës, bashkësisë fetare dhe grupi religjioz në Republikën e Maqedonisë ose me lejen e tyre.”
Zeqati është njëri nga shtyllat e Islamit dhe si i tillë është vetëm akt fetar të cilën mund ta implementojë bashkësia fetare, respektivisht nëpunësat e saj fetar të autorizuar, ndërsa sadekatul-fitri është pjesë përbërse i shtyllës tjetër islame, e ai është agjërimi, të cilin po ashtu e organizon vetëm bashkësia fetare e regjistruar.
Grabitja me vetëdije nga ana juaj e zeqatit dhe sadekatul-fitrit do të thotë rrezikim i qëllimshëm i institucionit “Bejtulmal”, të cilin e ka formuar vetë i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., që përmes tij furnizohen me mjete fondet të cilat i përmend Kurani famëlartë. Organizatat joqeveritare nuk janë bashkësi fetare dhe nuk kanë përgjegjësi fetare për rrjedhjat jetësore të muslimanëve dhe për këtë  në përputhje me ligjet për shoqata dhe fondacione si dhe për Kishën, Bashkësinë Fetare dhe Grupin Relegjioz, veprojnë jashtë qëllimeve dhe synimeve, për të cilat janë të regjistruara e më këtë i dëmtojnë vetë besimtarët dhe bashkësitë, në këtë rast Bashkësinë Fetare Islame të RM.
Ne përmes kësaj Qarkoreje Ju apelojmë që gjatë muajit Ramazan por edhe jashtë tij, të mos merreni me aktivitete të këtilla joligjore për të cilat nuk jeni të autorizuar, nëse ia dëshironi të mirën Islamit dhe muslimanëve në Maqedoni dhe nëse nuk deshironi ta rrezikoni unitetin islam në vend dhe nuk dëshironi t`u shërbeni atyre që dëshirojnë me vetëdije ta dëmtojnë Islamin. Nëse do të detyrohemi që t`i mbrojmë interesat tona edhe me mjete të tjera, në këtë rast në bazë të fakteve, për ato organizata joqeveritare të cilat do të kenë çasje në aktivitetet fetare të lartpërmendura, do të inicojmë procedurë gjyqësore kundër tyre.
Shpresojmë se ndërgjegja dhe vetëdija juaj islame  është më e madhe se sa nevoja për mjete materiale dhe se nevojat financiare do t`i zgjidhni në mënyra tjera të parapara me ligj, por sipas mundësive, në këtë drejtim do t`u ndihmojë edhe Bashkësia Fetare Islame, duke mos lejuar që të rrezikohet procesi edukativo-arsimor në institucionet arsimore islame në vendin tonë, por gjithashtu nuk do të rrezikoni unitetin islam i muslimanëve duke futur përçarje mes tyre.
Reisul-Ulema
H. Sulejman ef. Rexhepishqip 1 shqip 2

Comments are closed.