Lëshohet në përdorim xhamia “Hfz. Xhavit ef. Ibrahimi”
Të enjten më, 16 Dhjetor 2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mori pjesë në hapjen e xhamisë “Hfz. Xhavit ef. Ibrahimi” në fshatin Studeniçan të Shkupit.
Me një organizim të mirëfilltë e madhështor të Myftinisë së BFI Shkup, nën udhëheqjen e Myftiut Dr. Qenan ef. Ismaili dhe me lejen e Allahut Fuqiplotë, u lëshua në shërbim xhamia “Hfz. Xhavit ef. Ibrahimi” në Studeniçan, e cila mban emrin e rahmetli hoxhës së mirënjohur Hafiz Xhavit ef. Ibrahimit dhe është xhamia e katërt në këtë fshat.
Këtë manifestim me prezencën e tyre e nderuan edhe Kryetari i Komunës së Studeniçanit z. Azem Sadiku, Myftiu i Tetovës prof. Dr. Qani ef. Nesimi, Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Manastirit Mr. Amit ef. Rasimi, Myftiu i Prilepit H. Shefket ef. Imeri, Myftiu i Ohrit Mr. Samet ef. Ajdari, Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, Kryetari i Kuvendit të BFI Fejsall ef. Kadriu, Sekretari i Përgjithshëm i BFI H. Irsal ef. Jakupi, drejtorët e sektorëve të Rijasetit të BFI; Hfz. Xhemail ef. Nuhiu, përgjegjës i Institutit tė Hifzit në Shkup “Hfz. Ismail Efendiu”, hoxhallarë, hafëzllarë si dhe mysafirë të ndryshëm nga Karshiaka e më gjerë.
Para se të bëhet duaja e hapjes së kësaj xhamie, u lexuan edhe disa pjesë nga Kurani Famëlartë nga Hfz. Adnan ef. Elmazi.
Fjala përshëndetëse mbajti Kryetari i Komunës së Studeniçanit z. Azem Sadiku, ndërsa të dhënat rreth ecurisë së ndërtimit të xhamisë i prezantoi z. Alaudin Zekiri, Kryetar i Këshillit Iniciues.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili i cili vlerësoi lartë punën e Këshillit Iniciues dhe falënderoi të gjithë donatorët për kontributin e tyre, deri në përfundimin e xhamisë.
Fjalën kryesore e pati Kryetari i BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili i uroi banorët e këtij fshati për xhaminë e re dhe u dëshiroi punë të mbarë dhe suksese të reja. Në emër të Bashkësisë Fetare Islame i falënderoi të gjithë kontribuuesit në ndërtimin e kësaj shtëpie të Allahut Fuqiplotë. Ai i falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre me mundësinë që u është ofruar për ta ngritur edhe një shtëpi të All-llahut Fuqiplotë në tokë; donatorët që sakrifikuan nga pasuria e tyre që kjo xhami sot të merr këtë pamje madhështore, e sot të lëshohet në shërbim të besimtarëve të Studeniçanit.
Më pas, Reisul Ulema në prani të gjithëve, u dorëzoi autorizimet për dy hoxhallarët; Muhamed ef. Sadiku, i diplomuar në Universitetin e famshëm të El Ez’her të Kajros si hatib i xhamisë dhe hfz. Xhelil ef. Shabani – imam dhe mualim i xhamisë.
Ashere për nder të këtij solemniteti lexoi hfz. Xhemail ef. Nuhiju, ndërsa duanë e rastit e bëri Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani.
Myftiu i Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi i priu faljes së namazit të ikindisë.
Comments are closed.