Kurbani nëpër periudha historike:
Sakrifica si institucion pothuajse është e njohur te të gjithë popujt e lashtë. Ajo ishte dukuri e cila e ndoqi njeriun që nga ditët e para të paraqitjes së tij në rruzullin tokësorë. Nëse i kthehemi historisë së lashtë do të shohim se sakrificën do ta hasim te shumë popuj të vjetër siç ishin Asirasit, Fenikasit, Grekët, Egjiptasit, Persianët, Kinezët etj. Pasi që të gjithë këta popuj ishin ateistë edhe sakrificat e tyre ua kushtonin perëndive të tyre. Në globalitet të gjithë këta popuj afronin sakrifica në prag të pranverës me qëllim që prodhimet bujqësore t’i kenë më të begatshme, sakrificat para luftërave që duhej zhvilluar, sakrifica e vajzës te Persianët etj.
Ky lloj sakrifikimi ishte i njohur edhe në kohën e injorancës kur arabët para Kur’anor sakrificat e tyre ua kushtonin idhujve të tyre. është i njohur rasti me arabin i cili pasi i dërgoi qumështin idhullit të vet në shkretëtirë u strehua dhe tha në vete: “ Jam kureshtar ta shoh se si e pinë qumështin Zoti im” , pas disa çastesh erdhi dhelpra e shkretëtirës e cila ia piu qumështin dhe urinoi mbi idhullin e tij! Kur e pa arabi se ç’ndodhi me idhullin e tij tha: “ Pas sodit ky arabi (flet për vetveten) kurrë më nuk do ti afron ushqim një zoti që urinojnë dhelprat e shkretëtirës mbi të dhe që nuk është në gjendje ta ruaj ushqimin e tij. Jehudët sakrificat e tyre i bëjnë me djegien e mishit të kafshëve për vet sakrifikuesin, ndërsa të krishterët këtë e bëjnë me ndezjen e qirinjve.
Në Islamit kurbani është i njohur që prej bijve të Ademit a.s. Habilit dhe Kabilit i cili dëshironte të martohej me Vedijen, vajzën me të cilën ishin të një barku , ndërsa sipas Kabilit një vendim i këtillë ishte gabim dhe duhej të martohej me Damijen, vajzën që nuk ishin të të njëjtit barkë. Këtë rast ata ia prezantuan babait i cili i urdhëroi që të dy të flijojnë nga një kurban dhe kurbanin e atij që do t’ia pranonte Allahu i lartësuar ai do të ishte në të drejtë. Habili kishte flijuar një dele kurse kabili një enë me grurë. Papritmas ishte ndezur një zjarr dhe kurbanin e Habilit e kishte gëlltitur, ndërsa grurin e Kabilit as që e kishte prekur. Kabili pas kësaj që ndodhi u hidhërua aq shumë sa që vendosi ta mbyste të vëllanë. Më në fund edhe kështu veproi. Këtë ngjarje e potencoi Kur’ani ne suren El Maide duke filluar prej ajetit 27 deri në ajetin 32.
Kur’ani fisnik gjithashtu e potencon edhe rastin e Ibrahimit a.s i cili ishte urdhëruar në endërr për ta flijuar të birin trembëdhjetë vjeçar Ismailin a.s.
Sipas disa transmetimeve Ibrahimit a.s pasi që i ishte përsëritur disa herë ëndrra, ai kërkoi prej Haxheres që t’ia pastronte dhe t’ia vishte djalin me rrobat më të bukura që ai kishte, sepse do të shkonin për të vizituar një mik të vetin. Kështu që ata u
nisën në drejtim të Mines së sodit për të arritur në fushën e Arafatit ku edhe do të ekzekutonte vendimin. Pas pak kohe shkoi djalli te Haxherja dhe i tha asaj: “Ibrahimi e mori djalin për ta therur” ajo nuk i besoi dhe i tha djallit: “ Kjo nuk është e mundur sepse Ibrahimi e donë të birin e tij Ismailin” djalli tha: “ është e vërtetë se e donë, mirëpo kështu është urdhëruar nga Zoti” atëherë Haxherja ia ktheu: “Po që se është i urdhëruar nga Zoti atëherë gjithçka është në rregull sepse ne i dorëzohemi Atij. Djalli kur pa se nuk arriti gjë me Haxheren shkoi te Isamili i vogël të cilit i tha: “ Babai yt nuk të mori për në vizitë por të mori për të të therur, sepse ai mendon se kështu është i obliguar nga Zoti” Ismaili në atë rast i tha: “Po që se e ka urdhëruar Zoti unë me gjithë dëshirë do ta zbatoj urdhrin e tij”. Djalli kur pa se në asnjë mënyrë nuk mundi që ta hamend djalin, më në fund shkoi te Ibrahimi a.s duke i thënë: “Ku e çon djalin? Mos i zbato ato ëndrra sepse janë ëndrra djallëzore” Ibrahimi a.s iu kërcënua duke i thënë: “Largohu menjëherë prej këtu se ti je djall” dhe mori në të dy duart nga shtatë gurë dhe e goditi djallin në tri vende. Kështu që goditja e djallit do të vazhdoj si një nga pjesët përbërëse te Haxhit deri në ditën e kiametit.
Më në fund Ibrahimi a.s i tregoi Ismailit për ëndrrën dhe vendimin që kishte marrë, këtë bisedë na e vërteton edhe Kur’ani fisnik: “Kur djali u rritë që të dilte dhe të punonte së bashku me babanë Ibrahimi i tha atij : “Unë kam parë në ëndërr sikur po të bëj ty kurban ç’thua për këtë?” përgjigja e Ismailit a.s ishte: “ O babai im vepro ashtu siç je i urdhëruar e nëse donë Allahu do të më gjesh prej durimtarëve” Saffat 103.
Para se Ibrahimi a.s të realizonte vendimin e marrë Ismaili a.s ia bëri disa kërkesa Ibrahimit a.s, kërkesa që bëjnë të qajë guri dhe druri, ai tha o babai im:
1. Mi lidhë duart dhe këmbët që të mos fërfëllihem;
2. Ke kujdes që të mos i zhyesh rrobat me gjakun tim;
3. Shiko te jetë thika e mprehtë që sa më shpejtë të më del shpirti;
4. Gjatë therjes mos më shiko në sy sepse kam frikë se ndjenë dhimbje për mua dhe nuk e zbaton urdhrin e Zotit;
5. Pasi ta kryesh punën me mua këmishën time të përgjakur dërgoja nënës në mënyrë që ajo të ngushëllohet me te.
Pas gjithë kësaj Ibrahimi a.s tha :”O Zoti im më jep durim dhe më mëshiro mua dhe posa e mori thikën në dorë për ta realizuar besën që ia kishte dhënë Allahut të lartësuar, mu në atë moment Allahu i lartësuar dërgoi Xhibrilin me një dash në dorë e duke thënë : “Allahu Ekber Allahu Ekber” (Allahu është më i madhi), Ibrahimi a.s nga gëzimi i madh e vazhdoi tekbirin duke thënë : “La Ilahe Ilallahu Vallahu Ekber” (S’ka Zot tjetër pos Allahut, Allahu është më i madhi), ndërsa Ismaili a.s e përfundoi tekbirin duke thënë : “Allahu Ekber Ve Lilahil Hamd” (Allahu është më i madhi, Atij i takon falënderimi). Ky tekbir vazhdon te
praktikohet edhe sot e kësaj dite prej sabahut të ditës së parë të Arifes dhe vazhdon deri ne namazin e iqindisë të ditës së katërt të Bajramit.
Domethënia e fjalës kurban
Fjala kurban buron nga folja e gjuhës arabe Karebe që në etimologjinë e gjuhës shqipe donë të thotë afrim, sepse me kryerjen e këtij ibadeti të madh besimtarët i afrohen Allahut të lartësuar.
Në gjuhën arabe kurbanit i thonë edhe Ud-hijeh që është e marr nga fjala duha që nënkupton kohën pas namazit të sabahut deri para faljes së namazit të drekës, do të thotë se Ud-hijeh është kafsha e cila theret brenda kësaj kohe.
Definicioni kurbanit në Jurisprudencën islame është ky: “Therja e kafshëve të caktuara, në ditë të caktuara me qëllim afrimi tek Allahu i lartësuar”
Nga definicioni juridik i kurbanit nënkuptojmë se jo çdo kafshë mund të theret për kurban dhe kafshët të cilat lejohet që të theren kanë ditë të caktuara kur theren dhe juridikisht vetëm gjatë atyre ditëve marrin tretmanin e kurbanit, ndërsa jashtë këtyre ditëve therja e tyre definohet ndryshe.
Krejt këtë besimtari e bënë në emër të Allahut fuqiplotë dhe me qëllim afrimi te Krijuesi Absolut gjë për të cilën simbolizon Kurani famëlartë i cili thotë : “Dhe Thuaj namazi im kurbani im jeta dhe vdekja ime janë thjeshtë për Allahun Zotin e botëve”.
Urtësitë e therjes së Kurbanit:
Para se gjithash duhet ta kemi të qartë se kurbani është adhurim i cili në mënyrë direkt e lidhë besimtarin me Allahun e lartësuar. Me therjen e Kurbanit besimtari i shpreh falënderim Allahut të lartësuar për pasurinë që Ai nga mëshira e tij e pakufishme ia fali atij, me të cilën pasuri ky arriti që të therë Kurban. Kurbani në vete bartë edhe kuptimin humanitar sepse vjen në shprehje ndihma reciproke e besimtarëve në ditët e gëzimit të përbashkët. Besimtari dashurinë dhe kujdesin që ka ndaj vëllezërve të vetë në ditët e bajramit e dëshmon me vepër, ai në asnjë mënyrë nuk lejon që sofra e tij në ditën e bajramit të jetë e mbushur përplot, ndërsa sofra e vëllait të jetë e shprazur. Këto janë meritat e islamit i cili i mësoi muslimanët se “ushqimi i njërit në islam është i mjaftueshëm për dy”, Islami këtë e dëshmoi edhe me therjen e kurbanit dhe me ndarjen e mishit të tij në mënyrë të barabartë. Duke u nisur nga ajo se një pjesë e mishit të kurbanit mund që ti ndahet edhe fqinjit jo musliman, këtu zbulojmë edhe një urtësi të Kurbanit që ndërlidhet me marrëdhëniet ndërnjerëzore do të thotë se kurbani është ai i cili bënë afrimin e njerëzve të konfesioneve të ndryshme. Kurbani është ai i cili e bënë njeriun që të
jetë punëtor sepse e shtyn që edhe ai të përfiton si të tjerët e ta kryej këtë ibadet të madh.
Kush e ka obligim therjen e kurbanit:
Therja e kurbanit sipas drejtimit tonë juridik Hanefi është Vaxhib don të thotë obligim i domosdoshëm për atë i cili i plotëson kushtet vijuese:
1. Të jetë i lirë d.m.th të mos jetë rob ose i burgosur.
2. Të jetë i pasur d.m.th gjatë ditëve të kurban bajramit të posedon sasinë e caktuar të pasurisë të cilës duhet dhënë Zeqat. Nga kjo nënkuptojmë se të varfrit nuk janë të obliguar me therjen e kurbanit dhe janë të lirë e të mos vuajnë nga komplekset se pse të tjerët therin ndërsa ata s’mund që ta bëjnë këtë.
3. Të jetë në shtëpi. Kjo nënkupton se ai i cili gjatë ditëve të kurban bajramit nuk gjendet në shtëpi nuk është i obliguar me therjen e tij edhe nëse ai është i pasur.
4. Nikoqiri i shtëpisë është i obliguar që të therë kurban për vetveten si dhe për fëmijët e tij qofshin ata të vegjël ose të mëdhenj, për secilin prej tyre nga një kurban.
Sipas dijetarëve të medh-hebit tonë Hanefij kushti i fundit vlen për njerëzit të cilët përfitimet vjetore i kanë të mëdha.
Grupi i kafshëve që lejohen për kurban:
Sipas Sheriatit Islam grupet e kafshëve absolute që lejohen të theren për kurban janë:
1. Deveja, që është e vetmja e kësaj familje . Kushtëzohet që ti ketë mbushur pesë vjet.
2. Lopa dhe kafshët tjera që bëjnë pjesë në këtë familje siç janë: Kau, mëzati, bualli dhe buallica. Ky grup kafshëve kushtëzohet që ti kenë mbushur dy vjet dhe lejohet që në njërën prej këtyre kafshëve të jenë pjesëmarrës shtatë persona edhe atë duke u bazuar në transmetimin e Xhabir ibni Abdullahut i cili thotë: “Atë vit kur ndodhi lufta e Hudejbisë therëm kurban së bashku me Muhamedin a.s edhe atë deve dhe lopë për shtatë persona”
3. Delja dhe kafshët tjera që bëjnë pjesë në këtë familje siç janë: dashi, dhia dhe cjapi, me kusht që ti kenë mbushur një vjet. Këtu përjashtohet kafsha e vogël e cila ka mbushur gjashtë muaj e cila nëse përzihet me kopenë e kafshëve tjera të vogla, për nga madhësia nuk do të dallohej prej tyre.
Kafshët të cilat nuk lejohen të theren për kurban:
Sipas Fukahave të Medhhebit Hanefi nga tre grupet kafshëve që lejohen të theren për kurban ekzistojnë disa kafshë të cilat nuk i plotësojnë kushtet e kurbanit dhe që s’lejohet të theren për kurban. Bëhet fjalë për ata kafshë të cilat janë me të meta të pjesërishme fizike, në mesin e tyre dallohen këto kafshë:
1. Kafsha e cila është e verbër qoftë në njërin sy ose në të dytë;
2. Kafsha e cila është e gjymtë, në përjashtim të asaj e cila me këmbët e veta shkon deri te vendi i therjes;
3. Kafsha e cila është aq e dobët fizikisht sa që nuk mundë të shkon deri te vendi therjes;
4. Kafsha e cila e ka të prerë veshin ose bishtin e sajë mbi gjysmë;
5. Kafshës të cilës i mungojnë gjysma e dhëmbëve ose më shumë.
Mishi lëkura dhe koha e therjes së Kurbanit:
Për dallim nga sadakat fakultative që u ndahen vetëm të varfërve mishi i kurbanit në mënyrë të barabartë aq sa u ndahet të varfërve u ndahet edhe të pasurve. Ky është i vetmi lloj i adhurimeve në islam që nuk bënë dallim në mes të varfërve dhe të pasurve.
Sipas jurisprudencës islame lejohet ngrënia e mishit të kurbanit, madje ai i cili therë kurban ka të drejtë që 1/3 e tij ta ndaj për veten e tij, mirëpo faktikisht kurbani theret për tu shpërndarë, sepse në një rast kur pejgamberi a.s. ishte kthyer në shtëpi e kishte pyetur Aishen r.a: “Ç’u bë me delen e therur?” Ajo ishte përgjigjur: “E kemi shpërndarë krejt pos shpatullës”, Pejgamberi a.s.ia ktheu: “Jo, po na paska mbetur krejt pos shpatullës”!
Në këtë rast duhet potencuar edhe atë se ai i cili therë kurban në shtëpi nëse nuk është në gjendje ta therë vet ai personalisht, së paku është mirë që të prezanton në therjen e kurbanit të vetë sepse Aishes r.a. i tha pejgamberi a.s.: “Dil te kurbani ytë se me rënien e pikës së parë të gjakut në tokë të fshihen gjynahet “
Lëkura e kurbanit është pjesë e vetë kurbanit dhe prej saj njerëzit kanë dy dobi të cilat dobi janë veshja dhe mbathja. Lëkura e kurbanit jepet sadakë, nuk guxojmë që ate ta ndalim për vetveten tonë. Nëse duam ti shohim dobitë e lëkurës së kurbanit në shtëpinë tonë atëherë jemi të obliguar që të japim sadakë vlerën e saj.
Në ato vende ku falet namazi i bajramit koha e therjes së kurbanit fillon menjëherë pas faljes së namazit të bajramit dhe zgjatë deri në namazin e iqindise të ditës së tretë të bajramit. Në ato vende ku nuk falet namazi bajramit siç janë fshatrat në thellësi të larta malore, kurbani theret menjëherë pas namazit të sabahut. Kurbani i cili theret para faljes së namazit të bajramit ai nuk është kurban. Vlera e therjes së
kurbanit në ditën ë parë është më e madhe se sa vlera e therjes në ditën e dytë dhe të tretë të bajramit.
Gjithashtu duhet të kemi kujdes me sjelljet dhe konsideratat tona ndaj kurbanit tonë nëse e kemi blerë për ta therur në shtëpi. kurbani duhet të jetë i dalluar, atij duhet kushtuar respekt të veçantë, dashuria e familjes në ato ditë duhet të jetë e kthyer kah kurbani, sepse kurbani është ai i cili në mënyrë të drejtë për së drejtë e lidhë besimtarin me Allahun e lartësuar.
Kur jemi duke biseduar për kurbanin patjetër duhet potencuar edhe atë se është thënë në të kaluarën se po nuk iu derdh gjaku kurbanit njeriu nuk ka kurban gjë që është shumë gabim dhe në kundërshtim me platformat Kur’anore, sepse e kundërta e saj është e vërtetë edhe atë bazuar në Kuranin famëlartë i cili është shumë i qartë dhe decid kur flet për kurbanin se “ Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i saj, por arrin devotshmëria juaj…” El- Haxh 37. Nga ky ajet Kuranor nënkuptojmë se nuk është në pyetje derdhja e gjakut por është në pyetje marrja e vendimit dhe e realizimit të sakrificës në emër të Allahut f.p.
Duke u nisur nga kjo platformë besimtarët e vendit tonë dhe të diasporës prej kur se ekziston Medreseja Isa Beu në vendin tonë kurbanat e tyre i kanë dedikuar për nxënësit e Medresesë Isa Beu, gjë për të cilën ata fitojnë shpërblimin e trefishtë të kurbanave të tyre edhe atë kanë shpërblimin e kurbanit, shpërblimin e ushqimit të bijve dhe bijave të tyre që shkollohen në këtë vatër arsimore si dhe shpërblimin ose sevapin e angazhimit të mbajtjes gjallë të dinit të Allahut në vendin tonë se pikërisht nga kjo medrese buruan dhe burojnë gjenerata të cilat ruajtën dhe ruajnë identitetin tonë fetarë në këtë vend dhe nuk është e rastësishme statistika se sikur të mbyllen të gjitha xhamitë dhe shkollat fetare dhe askund të mos përmendet e praktikohet feja e Allahut në vendin tonë (InshaAllah kur nuk ndodh kjo) nga gjeneratat e kësaj Medreseje që buruan deri më tani edhe 50 vitet e ardhshme do të kemi islam shumë të fuqishëm dhe ky është rezultat i punës së palodhshme të institucioneve edukativo arsimore të Bashkësisë Fetare Islame të RM e cila është e obliguar që të zhvilloj dhe kultivoj jetën fetare islame në vendin tonë. Por BFI-ja zhvillimin e jetës Fetare dhe mirëmbajtjen e këtyre institucioneve edukativo arsimore e bënë vetëm me ndihmën financiare të popullit tonë të cilët ndajnë kafshatën e tyre me nxënësit e medresesë Isa Beu qoftë kjo kafshatë nëpërmjet zeqatit, fitrit, kurbanit ose sadakave fakultative. Andaj krejt në fund i lutemi Allahut të Madhërishëm që të gjithë ata të cilët kanë vendosur që kurbanat e tyre tua dhurojnë nxënësve të Medresesë Isa Beu Allahu f.p le tua pranon dhe le ti shpërblen me më të mirat e veta që posedon.
Rexhep Ziberi
Kryetar i Shoqatës së Ulemave të BFI
Comments are closed.