Kurbani simbol i solidaritetit

188

Kurbani simbol i solidaritetit
Shkruan:Doc. Dr. Selver Xhemaili
selver
Jemi në prag të festës fetare islame Kurban Bajramit, festë e cila e ka marrë emrin nga adhurimi që realizohet në këto ditë festive e që është kurbani. Kurbani, është afrim te Allahu madhëri plotë; kurbanet tona janë momente të afrimit tonë me Krijuesin e lartëmadhërishëm, do me thënë koha kur jemi më afër Tij. Kurbani është një përpjekje për të qenë nga grupi i mukarrebunëve, do me thënë me dëshirë për të arrit në shkallën e devotshmërisë, pra është një përpjekje për të hyrë në mesin e atyre që janë afër Allahut të madhërishëm. Kurbani të ngre në shkallën e devotshmërisë ndërsa devotshmëria të afron te Allahu madhëriplotë. Kështu që Krijuesi ynë i lartëmadhërishëm duke bërë fjalë për kurbanet e haxhit, pasi që thekson se, në esencë kurbanet janë një pretekst për ta shprehur mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Allahut madhëriplotë, urdhëron në këtë mënyrë. “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…( Haxh, 22/36-7.)
Njëra ndër urtësitë e kurbanit është edhe fakti se ai është një element shumë i rëndësishëm që afron pasanikun me vëllezërit nevojtarë. Është një ibadet që i bashkon fqinjët, farefisninë, miqtë, i afron dhe i lidhë mes vete vëllezërit qofshin larg apo afër dhe i bën unik shpirtrat e trazuar. Nëpërmjet metodës së therjes me autorizim, është një dorë e zgjatur për vëllezërit nevojtarë dhe të uritur të cilët nuk i njeh dhe nuk i ke parë fare, të cilët jetojnë në disa vende të ndryshme dhe të varfra të cilave as emrin nuk ua ke dëgjuar. Në këtë kontekst, me afrimin, solidarizimin, unifikimin me vëllezërit të cilët janë me mijra kilometra larg, kurbani është emri i të qenët ummet. Gjithashtu nëpërmjet dedikimit të kurbanit për instituionet fetaro-arsimore /Medrese kontribuon drejtë për së drejti në zhvillimin e arsimit fetar si dhe ngritjes së vetëdijes së besimtarëve mysliman. Për më tepër kurban do të thotë të arrish në regjionet ku kanë ndodhur katastrofa dhe fatkeqësi të ndryshme, aty ku gjenden të mjerët, t’i tejkalosh distancat fizike në gjeografinë e zemrës, të solidarizohesh me brengat e tyre, të përpiqesh të bëhesh një dritë shprese për këta nevojtarë. Madje jo vetëm vëllezërit fetarë, por të arish te çdo një nevojtar pa marrë parasysh fenë dhe besimin e tij!
Te kurbani aq sa është me rëndësi dimesioni i adhurimit, po aq rëndësi paraqet edhe funksioni shoqëror i tij. Në ibadetin e kurbanit që theret vetëm për hirë të Allahut madhëriplotë, nga aspekti i konsumimit të tij synohet një qëllim praktik e që është ushqimi i njerëzve nevojtarë. Urtësia e kësaj qëndron në faktin se, bashkë me pëlqimin (rizanë) e Allahut xh.sh., përmbushen edhe nevojat për mish dhe ushqim të nevojtarëve të ndryshëm. Në këtë mënyrë kurbani, në shoqërinë Muslimane e mban të gjallë shpirtin/ndjenjën vëllazërisë, ndihmës reciproke dhe solidarizimit, ndryshe thënë ndihmon në realizimin e drejtësisë sociale. Pasanikut i dhuron shprehinë dhe kënaqësinë e shpërndarjes së pasurisë me të tjerët dhe harxhimin e pasurisë për rizanë e Allahut madhëriplotë; e shpëton atë nga sëmundja e koprracisë dhe dashuria e verbër pas pasurisë së kësaj bote. Në fund të fundit, kurbani duke i bashkangjitur edhe të varfrit në gëzimin e festës së ditëve të bajramit, u mundëson atyre që ta kalojnë një festë në harmoni dhe qetësi brenda atmosferës vëllazore.
Ndonëse mësimi i fesë islame edhe ne festime e momente të lumturisë dallon nga kulturat e shoqërive tjera, me që sipas dinit tonë festat apo bajramet ndërlidhen me ndonjë nga obligimet fetare, siç është Fitër bajrami i lidhur me muajin e ramazanit gjegjësisht vinë pas kryerjes së obligimit fetar, agjërimit, dhe pastaj pasojnë momentet festive me që besimtari ka kryer një obligimi të rëndësishëm, me plot të drejtë përjeton momentet festive. Po kështu është edhe me kurban bajramin që është i ndërlidhur pikërisht me ibadetet kushtuar Allahut xh. Sh. Pra kryerjen e haxhit dhe prerjen e kurbanit. Nga këto kuptohet që muslimani feston pas asaj që ka bërë për Allahun x.sh.. Po edhe vetë dita e festave të bajrameve fillon me faljen e namazeve të bajrameve. d.m.th. i fillojmë ditët festive me kryerjen e obligimeve ndaj Zotit. Kështu është sipas mësimit islam në çdo pore të jetës duhet të merret parasysh rizaja/kënaqësia e Allahut.xh.sh. prandaj sipas fesë sonë besimtari edhe kur feston nuk çoroditet, nuk tjetërsohet nuk dehet, nuk del jashtë binareve të kulturës islame por e përjeton kënaqësinë e festës shpirtërisht bashkërisht me familjarët e vet.
Andaj besimtari edhe gjatë festave, për dallim nga jo besimtarët, solidarizohet me të tjerët, viziton akrabatë, ia shtrin dorën e pajtimit edhe atij me të cilin ka qenë i hidhëruar, ashtu si gëzohet vet në ditët festive mban llogari që edhe tjetrin ta gëzoj edhe skamnorit ditët e bajramit t’ia bëjë festive, edhe atij që është zhytur në pashpresë dhe pesimizëm, besimtari në ditët e bajramit gjen metodë dhe forcë që ta kthejë në optimizëm. Jo rastësisht Pejgamberi a.s. ka thënë: “besimtari gjithmonë duhet te jep sadaka edhe takimi me të tjerët jo me vrazhdësi po me buzëqeshje që do ti ngjallë shpresë të tjetrit është sadaka”. E s’do mend që solidarizimi i besimtarëve gjatë ditëve të bajramit nëpërmjet të shpërndarjes së mishit të kurbanit është një sadaka që begaton sofrat e skamnorëve dhe përhap shkëndija të gëzimit dhe haresë edhe në ato familje që shpeshherë zhyten në pashpresë dhe pesimizëm.
I lutemi Allahut xh.sh. që ky Bajram të na sjellë shpirt të ri të bashkimit dhe të dashurisë vëllazërore të cilën nuk mund ta çrregulloj egoizmi dhe interesat materiale.