Kurbani nga perspektiva e sunneit

184

Kurbani nga perspektiva e sunneit
“O njerëz! Çdo familje për çdo vit duhet të ther kurban dhe “atire”. A e dini se çështë “atire” pyeti Pejgamberi [alejhis-selam]? Është ajo që njerëzit e quajnë “rexhebije”, u shpreh Pejgamberi [alejhis-selam].”
Shkruan: Doc. Dr. Faredin Ebibi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup
faredin-eb
Në ditën e parë të festës së bekuar të bajramit të kurbanit, besimtarët mysliman i fillojnë aktivitetet e tyre fetare, pra bëjnë therjen e kurbaneve me qëllim të jetësimit permanent të një praktike dhe të një porosie të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi vesel-lem], me të cilin Krijuesi i gjithësisë e kishte urdhëruar. Nga perspektiva e shkollës juridike hanefite dispozita e therjes së kurbanit është “vaxhib” (obligim fetar) nga motivi se sipas disa shkollave të tjera juridike (sipas shafiive) therja e kurbanit vlerësohet si dispozitë sunnet por në asnjë mënyrë sipas tyre nuk lejohet mos-therja e kurbanit pa ndonjë arsyeje të pranueshme juridike. Gjë e cila nënkupton faktin se ata të cilët kanë mundësi materiale për të blerë një kurban dhe për të ther të njëjtin, në mënyrë obliguese duhet realizuar një obligim të atillë.
Fillimisht duhet theksuar faktin se zbatimi i një praktike të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi vesel-lem] duhet të ishte në korniza të principeve të së bukurës dhe të së mirës që nuk bijën ndesh në asnjë mënyrë me vlerat bashkëkohore. Në të kundërtën humb efekti që të ishte praktikë e Muhamed Mustafasë [sal-lallahu alejhi vesel-lem], i cili ishte i vendosur dhe i përkushtuar të realizoj diç që ishte kulmore. Fjala është për aspektin human dhe ekologjik gjithnjë nga perspektiva e pastërtisë. Siç dihet pastërtia (ajo fizike dhe shpirtërore) është kusht themelor në islam dhe çështje parimore pothuajse ke të gjitha adhurimet pa dallim, por në mënyrë të veçantë pastërtia kërkohet edhe gjatë aktit të therjes dhe pas therjes së kurbanit. Mungesa e të cilës ndikon negativisht në cilësinë e gjithë strukturës së procesit të therjes së kurbanit. Nga motivi se procesi i therjes së kurbanit nuk duhet kuptuar thjesht si akt therjeje por therje në kuptim adhurimi të llojit të vetë, i cili nëse realizohet në përputhje me standardet dhe porositë fetare, vërtet është adhurim i shpërblyeshëm shumë. Nga ana tjetër nëse merret në konsideratë fakti se mishi i kurbanit konsumohet si ushqim, rrethanat e pastërtisë janë të pa diskutueshme. Ashtu që besimtari musliman i cili do të merrej me therjen e kurbanit duhet të ishte shumë i kujdesshëm në këtë aspekt. Gjithsesi vendi i therjes së kurbanit duhet të ishte i pastër në aspektin ekologjik, mjeti i therjes poashtu duhet të ishte adekuat, i pastër dhe i përshtatshëm në mënyrë që akti i therjes të realizohet shpejt dhe në mënyrë perfekt. Moskujdesi gjatë therjes motivon derdhjen e gjakut gjithandej nëpër tokë dhe mospastrimi i vendit më pastaj krijon ambient dhe rrethana negative të cilat nuk i toleron kodeksti i therjes së kurbanit sipas fesë islame. Çdo besimtar duhet të ishte i vetëdijshëm se ai nuk ka të drejtë t’i shqetësoj të tjerët me veprën e tij jashtë çdo standardi edhe nëse bëhet fjalë për therje të kurbanit. Nga motivi se e drejta e çdokujt përfundon atje ku fillon e drejta e tjetrit. Ndotja e ambientit për shkak të moskujdesit të therjes së kurbanit shkakton kundërmim të erërave të këqija, ndërkohë dëmton tjetrin gjë e cila është e ndaluar nga ajo që ka rekomanduar i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vesel-lem] për mosdëmtim të tjetrit. Këtu therësi i kurbanit bënë një mëkat të ri përkrah mëkatit si pasojë e mosangazhimit për respektimin e urdhëresave për ambient të pastër. Dy mëkatet e shkaktuara nga ana e therësit të kurbanit, pavarësisht faktit se ka dëmtuar ose nuk ka dëmtuar dikë, ai i ka shkel normat fetare duke mos përfill porositë hyjnore që i dedikohen atij që të ishte i pastër në çdo aspekt. Mbi të gjitha mosvigjilenca dhe pakujdesia e besimtarit gjatë therjes së kurbanit shkakton tensionim të situatës në ditën më të lumtur të festës së bajramit. Kam bindje se besimtarët do t’i kenë në konsideratë këto porosi sepse i përkasin rëndësisë fetare nga fakti se burojnë nga mësimet e Muhamedit [sal-lallahu alejhi vesel-lem] dhe nëse synohet përfitimi i shpërblimit të mësimeve të tij, të njëjtat duhet të jetësohen.
Ndërkohë hadithet që trajtojnë temën e Kurbanit janë shumë në numër por sa për ilustrim do të kishim theksuar disa prej tyre. Në një transmetim të Ebu Hurejres është theksuar se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vesel-lem], është shprehur : ” Ai që ka mundësi por që nuk ther (kurban) le të mos iu afrohet faltoreve tona.” Muhamed Fuad Abdulbaki në komentin e tij ka theksuar faktin se forma e prezantuar e pjesës së fundit të këtij hadithi flet për dispozitë fetare të detyrueshme, përkatësisht therja e kurbanit sipas këtij hadithi është vaxhib. Nga aspekti profesional ky hadith vlerësohet si hadith “hasen.”
Ajsheja r.a.h ka transmetuar faktin se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vesel-lem] është shprehur : ” Njeriu (besimtari) nuk ka bërë vepër më të dashur ke Allahu ditën e bajramit (të kurbanit) se derdhjen e gjakut (të kurbanit). Ai (kurbani) do të vij ditën e Kiametit me brirë, me leshin dh thundrat e tij. Gjaku (kurbani) do të ishte i pranuar para se të bijën pikët e gjakut në tokë. Ju me të (kurbanin) kënaqni një shpirt.”
Ukbetu b. Amir ka treguar rastin se atë i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vesel-lem] e kishte angazhuar që të bëjë ndarjen e kafshëve ke sahabët por një qengj dhie nj[ vjeçar kishte mbetur. Pasi që Ukbe e kishte njoftuar Pejgamberin [sal-lallahu alejhi vesel-lem] për mbetjen e atij qengji, Pejgamberi [alejhis-selam] kishte kërkuar nga ai që atë qengj ta ther kurban për vete. Sipas Neveviut therja e kurbanit është “suneti muek-kede”, por është simbol i islamit dhe detyrimisht duhet realizuar ai që ka mundësi, sepse bëhet fjalë për një mirësi përmes së cilës besimtari i afrohet Allahut të madhërishëm.
Nga hadithi nxirret përfundimi se nëse besimtari i plotëson kriteret dhe posedon kafshë valide për kurban, duhet ta realizojë atë obligim.
Mihlef b. Sulejmi ka transmetuar faktin se gjatë qëndrimit të tyre me Pejgamberin [sal-lallahu alejhi vesel-lem] në Arafat, Muhamedi [sal-lallahu alejhi vesel-lem] ishte shprehur : “O njerëz! Çdo familje për çdo vit duhet të ther kurban dhe “atire”. A e dini se çështë “atire” pyeti Pejgamberi [alejhis-selam]? Është ajo që njerëzit e quajnë “rexhebije”, u shpreh Pejgamberi [alejhis-selam].” Shikuar nga aspekti profesional ky hadithë është vlerësuar si hadith ” hasen”.
Duke bërë komentimin e këtij hadithi Muhamed Fuad Abdulbaki veç tjerash ka theksuar se ajo që kërkohet është fakti se therja e një kurbani mjafton për gjithë anëtarët e familjes. Sipas tij transmetimi i Ebi Ejubit që ka transmetuar Tirmidhiu një kryefamiljar ka ther një kurban për gjithë anëtarët e familjes, e konfirmon këtë konstatim.
Enes b. Maliku ka transmetuar një hadith në të cilin është theksuar rasti i një njeriu i cili e kishte ther kurbanin ditën e bajramit por para faljes së namazit të bajramit. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi vesel-lem] e kishte urdhëruar atë që ta përsëris therjen e kurbanit.