Kurani dhe doktrinat e besimit – Hamude Gurabeh

Në shqip nga Dr. Abdulkerim Iseini

Polemikë me dr. T. J. de Boer (1866-1942)

KURANI DHE DOKTRINAT E BESIMIT

Nga Hamude Gurabeh

De Boer në librin e tij Historia e filozofisë në Islam thotë: “Erdhi Kurani për myslimanët me fe, por nuk u solli teori dhe në të hasën dispozita, mirëpo në të nuk gjetën doktrina.”

Çfarë nënkupton kjo shprehje, sipas mendimit të tij?

A nënkupton kjo se Kurani nuk solli teori dhe doktrina të ndara në kapituj, sipas metodologjisë shkencore në studim, apo ai me këtë teori dëshiron ta mohojë atë tërësisht.

Nëse është për qëllim kuptimi i parë, është e pranuar plotësisht dhe kjo nuk e dëmton aspak Kuranin, për shkak se shkollat e ndryshme etike, të cilat u munduan ta mbjellin bamirësinë në shpirtin e njerëzve mbi baza të metodës logjike, të gjitha dështuan dhe kjo është ajo e cila i dallon fetë në mes tyre. Kjo e fundit (feja), me metodologjinë e saj, duke e ndërthurur logjikën me ndërgjegjen, korri sukses në udhëzimin e njerëzimit dhe realizimin e lumturisë së plotë për individin dhe shoqërinë.
E, nëse nuk e do këtë kuptim, por ka për qëllim se ai – Kurani – nuk solli aspak teori dhe doktrina besimore, ai (De Boer) është në hamendje dhe përgjigjen për këtë e ka nga vetë Kurani.

Kurani shembi imitimin dhe doktrinat devijuese që ishin bazuar në të, sepse ato mbështeteshin në mendimet e etërve dhe të gjyshërve: “Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë.” Kurani i urdhëron ndjekësit e tij që t’i lexojnë të vërtetat në librin e gjithësisë. “Thuaj: Vështroni me vëmendje çka ka në qiej e në tokë”, “Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni”, duke u hapur më tepër derën kërkimit dhe hulumtimit: “A mos u krijuan prej asgjësë, apo ata vetë janë krijues”; dhe e orienton logjikën e tyre në faktin se relacioni shkak – pasojë, të cilin e vërejmë në këtë gjithësi dhe ky rend i mrekullueshëm, që mbisundon në të, është argument i ekzistimit të krijuesit dhe të njëshmërisë së Tij. Sepse, po të kishte më shumë zota, “Secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar dhe do të dominonte njëri mbi tjetrin.” Kjo, ndërkaq, rezulton me trazira në tokë dhe në qiej: “Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin.”

I dhuroi krijuesit ato cilësi që i kërkon koncepti i krijimit, si: atributet e fuqisë, të vullnetit, të jetës, të diturisë së përgjithshme, deri sa edhe “për shikimin me cep të syve; e, edhe për atë që e fshehin në zemra”. Me këtë e vërteton përkujdesjen e krijuesit për botën edhe pas krijimit të saj: “Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken” dhe Ai iu premton krijesave të gjalla furnizimin dhe kujdesin: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj” dhe e veçoi njeriun nga krijesat tjera me udhëzim, i cili ia hapi sytë ndaj bujarisë dhe bamirësisë: “Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë” dhe e ndihmon atë nëse lufton për fenë e tij dhe për mbrojtjen e kuptimeve të mirësisë në të: “Ne patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezantimit të dëshmive.” E ka cilësuar Veten me falje të: “Atyre që e bëjnë të keqen me mosdije e pastaj shpejt pendohen” dhe nuk është mbyllur kjo derë para askujt edhe në qoftë se ka bërë mëkat të madh: “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut”. Megjithatë, ndaj tiranëve është: “Mbizotërues, i madhërishëm.”

Kurani, megjithatë, në mënyrë të qartë e vërtetoi idenë e ringjalljes dhe të amshimit. “Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjetër qiej)” , “Dhe i fryhet Surit, kur qe, duke u ngutur prej varrezave paraqiten te Zoti i tyre” dhe më pas do të llogariten njerëzit me peshore të saktë, “Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta” , rezultati i saj ose do të jetë i mirë ose i keq. “Një grup për në xhenet, kurse një grup për në zjarr” dhe kjo nuk është e pamundur për Krijuesin. “Ata do të thonë: Kush do të na rikthejë neve në jetë? Thuaj: Ai që ju krijoi për të parën herë.” “A nuk është i fuqishëm Ai që i krijoi qiejt e tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata.” Këto, pra, ishin disa teori mbi kozmosin dhe krijuesin e tij, të cilat i sqaruan lidhshmëritë mes tyre, por megjithatë ato janë doktrina të përcjella nga gjuha e të dërguarit, i cili ishte urdhëruar t’ia kumtojë botës atë, që t’i binden asaj.

 

(Pjesë nga libri “Ebu-l Hasan el-Esh’ari”, Shkup, 2021, shtypshkronja “Syth”, përkthyer prej arabishtes nga Abdylqerim Iseni, Shef i Kabinetit të Kryetarit të BFI të RMV)

Comments are closed.