Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Kumtesë

Kumtesë
​“Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (Teube, 105)
​Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë krijuesit të gjithçkaje i Cili është i Vetmi dhe i Pashoq. Salatet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi Muhammedin a.s., i cili është i Dërguar i mëshirës, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi të gjithë shokët e tij e këdo që pason rrugën e tij.
​Të nderuar besimtarë!
​Ndjehem i nderuar që sot flas si Ushtrues detyre-Reisul Ulema i RMV-së, post ky që më është dhënë amanet që ta mbajë me plot përgjegjësi. Detyra e Kryetarit të Bashkësisë Fetare është një përgjegjësi e nderuar dhe shpirtërore. Bashkësia Fetare Islame e RMV’së, është organizatë e vetme e cila organizon jetën fetare të muslimanëve në vend dhe jashtë, BFI veprimtarinë e vet e mbështet në Kur’an, Sunnet, në Kushtetutën e saj, në aktet normative që dalin nga e njëjta si dhe Ligjin për pozitën juridike të bashkësisë fetare dhe grupit religjioz të Maqedonisë. BFI është e pavarur në organizimin e jetës fetare, në edukimin dhe arsimimin fetar, në vakëfet, veprimtarinë administrativo financiare si dhe në veprimtaritë tjera që dalin nga Kushtetuta e saj.
​Të nderuar besimtarë! Ky institucion është ngritur nga njerëzit që kanë marrë përgjegjësi për të artikuluar zërin e besimtarit musliman. Që nga fillii e deri më sot ka qenë promovues i edukatës dhe moralit të lartë shoqëror, i besës, mikpritjes, bujarisë, harmonisë dhe bashkëjetesës etnike dhe fetare në vend. Fryma e besimit i mëson njeriut që të jetë respektues me të tjerët, pranues i të ndryshmes, dhe të jetë bashkëpunues me qëllimin e përbashkët për zhvillimin e shoqërisë, emancipimin, integrimin dhe edukimin e saj. Bashkësia Fetare Islame në RMV, në aktivitetin e saj institucional ka luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri që do të jetë një faktor i rëndësishëm për stabilizimin dhe zhvillimin e Bashkësisë Fetare Islame, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit social, edukativ dhe moral të këtij nënqielli.
​Kultura institucionale është një nga asetet më të rëndësishme për mirëfunksionimin e mirëfilltë të institucionit dhe në këtë drejtim në të ardhmen do të merren disa hapa konkretë për riorganizim të institucionit më të lartë fetarë. Pritja dhe dëshira jonë është që Bashkësia Fetare Islame si një institucion serioz të merret si qendër referimi për të gjitha institucionet tjera. Besoj se ky institucion do të jetë shumë serioz në përmbushjen e shërbimeve të pritura, dhe në mënyrë shumë dinjitoze do ta luaj rolin e bartësit të paqes, prosperitetit, unitetit dhe solidaritetit në këtë vend.
​Të nderuar besimtarë!
​Falënderoj përzemërsisht të gjithë Myftinitë në krye me Myftinjtë dhe koordinatorët e Myftinive, drejtorët e sektorëve, profesorët dhe profesoreshat e Fakultetit të Shkencave Islame dhe Medreseve, imamët dhe nëpunësit fetar, diasporën, xhematin, besimtarët dhe të gjithë ata që ndihmuan, mbështetën dhe dhanë përkrahjen e pa rezervë në gjithë këtë rrugëtim.
​Allahu Fuqiplotë ju shpërbleftë dhe ju begatoftë me të mirat e Tij të pakufishme!

U.D. Reisul Ulema Kryetar i BFI’së
Hfz. Shaqir ef. Fetahu

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni