Kryetari i BFI h. Sulejman ef Rexhepi mori pjesë në Konferencë shkencore “Religjioni dhe dhuna”, organizuar nga USHT.

usht usht1Fjalimi i Reisul Ulemasë së BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepit, me rastin e simpoziumit me titull “Religjioni dhe dhuna”, organizuar nga USHT, 2015

 

Të nderuar të gjithë ju përfaqësues të jetës akademike, përfaqësues të jetës politike, diplomatike dhe ju përfaqësues të jetës fetare;

Zonja dhe zotërinj

Më lejoni që fjalimin tim ta nis me një ajet kuranor i cili thotë:

Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim! (Kaf, 45)

 

Të gjitha fetë, të gjithë religjionet, në esencën e vet përmbajnë majen e paqes. Të gjitha librat e shenjtë përcjellin mesazhe, madje edhe urdhërojnë për paqe, dashuri, mirëqenie, tolerancë e harmoni. Sot, pjesa dërmuese e njerëzimit ju përket këtyre feve dhe religjioneve. Mbarë njerëzimi e predikon dhe e pranon mesazhin për paqe. Atëherë, prej nga këto luftëra, prej nga e gjithë kjo dhunë në mes të njerëzve? Duhet të jenë shumë të paktë, tepër shumë të paktë ata soj njerëzish që e ndezin dhe që e zhvillojnë luftën. Si ka mundësi që këta nxitës të dhunës të jenë më me ndikim se sa predukuyesit dhe kultivuesit e paqes? Shumica absolute e do paqen, po pse atëherë me aq lehtësi pranojnë dhe përfshihen në shkaktimin dhe në përhapjen e dhunës?

Është për keqëardhje por, shumica e luftërave shkaktohen dhe zhvillohen në emër të fesë. Ose, fillimisht ndizen për kinse ideale dhe pastaj kërkohet bekimi i tyre. Asnjë luftë, asnjë dhunë, asnjë ngatërresë nuk mundet dhe nuk guxon të bekohet përveç atyreve që nisin dhe zhvillohen në rrugën e Krijuesit tonë dhe të Gjithësisë. Në këtë Rrugë kemi mjaft luftëra: luftohet e keqja, luftohen joshjet djallëzore, ligështitë, epshi, smira, zilia, xhelozia, urrejtja etj.

Le ta zbresim dhunën në përmbajtjen e saj më të ngushtë dhe le ta shohim atë si dukuri të shëmtuar njerëzore. Koncepti i dhunës përfshinë keqtrajtimin e njeriut, keqtrajtimin e objekteve, keqtrajtimin e sendeve shoqërore me vlerë, përfshinë sjelljet jonjerëzore dhe jonormale mbi krijesat e Zotit, mbi pronën, mbi objektet shoqërore, mbi objektet e kultit! Dhuna gjithnjë duhet të perceptohet  si shkëndija inicuese e shpërthimit të një konflikti me përmasa dhe pasoja të paparashikueshme.

Në rrafshin politik, bota ka menduar dhe ka ndërtuar mekanizma mjaft të qëlluar për të ruajtur sigurinë dhe paqen nga kujdestarët e demonizuar të dhunës e të konflikteve. Bota ka themeluar edhe organizata e asociacione me qëllim të mbajtjes afër të të gjitha vlerave njerëzore, kanë krijuar miqësi të përhershme e lidhjesh të forta.  A ia vlenë gjithë kjo përpjekje sipërfaqësore pa zbritur te njeriu si bartës i të gjitha aktiviteteve të mundshme? Sa sot punohet me njeriun, sa shoqërtitë tona i kushtojnë rëndësi edukimit, kulturalizimit, qytetarizimit të njeriut të sotshëm?

Babai të gjitha të këqiave, i  të gjitha të ligave dhe shëmtive është shejtani, djalii, satana, të cilin Zoti nuk e shkatërroi kur ky nuk iu përul porse, dialogoi me të. Për djallin ngeli joshja, ndërsa për krijesën e Zotit ngeli Libri i Shenjtë. Djallit i ngeli shëkndija e dhunës, e konfliktit, ndërsa njeriut i ngeli Fjala që qetëson shpirtin e gjakun.  Në Kur’anin Madhështor, në ajetin  99 të sures El Nahl thuhet: “në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre”.

Ne, klerikët e feve, jemi më të thirrurit që të predikojmë paqe dhe të ftojmë në të. Në kohë paqe na duket sikur ia arrijmë të shtrijmë ndikim mbi besimtarët tanë, por, sapo të shpërthejë ndonjë dhunë apo konflikt besimtarët na dalin prej dore, apelet tona për qetësi e për paqe, sikur ngelin të shurdhër. Kjo vie si pasojë e brishtësisë së autoritetit dhe të personalitetit tonë që e ndërtojmë në raport me besimtarët.  Çuditërisht, ka ndodhur kur në kohë luftërash kleri fetar afrohet ndërsa në kohë paqe rrinë larg njëri tjetrit.

Ne, qoftë në nivel sheti, qoftë në nivel rajoni apo më gjërë, ende nuk kemi ndonjë mekanizëm të përbashkët, ndonjë asociacion a organizatë, e cila do të angazhohej praktikisht, me rregullore e projekte të përbashkëta për të gjithë qytetarët tanë. Jo vetëm të kërkojmë bashkëjetesë por, kjo bashkëjetesë të demonstrohet duke filluar nga ne bartësit e jetës fetare.  Sa më të lidhur të jemi ne, teologët e feve të ndryshme, në një asociacion të gjërë, aq më tepër do të na lidhen besimtarët në mes vete. Ky mision nuk duhet të rëndojë vetëm mbi politikanët tanë, vetëm mbi akademikët tanë por, mbi të gjitha, na përket edhe ne, teologëve.  Kur bashkarisht do të predikojmë e do të thërrasim në mirëkuptim, respekt, dashuri, harmoni, bashkëjetesë e paqe, atëherë eho-ja e apelit tonë do të kumbojë më fuqishëm në zemrat e besimtarëve tanë. Besoj fort se, në situata të tilla, dhuna do të zbriste në shkallën zero.  Kjo është feja, ky është religjioni: jo dhunës, jo luftës jasht Rrugës së Krijuesit tonë – po paqes, po harmonisë, mirëqenies.

 

 

Reisul Ulema i BFI në RM

_____________________________

  1. Sulejman ef. Rexhepi

Comments are closed.