[:al]Kreu i BFI-së mbështetje presidentit Erdogan për referendumin[:]

[:al]

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, përmes një letre dërguar presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, ka shprehur mbështetjen për presidentin Erdoğan para referendumit për ndryshime kushtetuese që do të mbahet në Turqi më 16 prill, duke uruar që referendumi të jetë dritë shprese dhe udhërrëfim për Turqinë, botën islame, Ballkanin dhe tërë të shtypurit në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e tij, Rexhepi është shprehur se në botën e sotme ku shkelen vlerat njerëzore e ku mbisundojnë “Ideatorët e Lartë” të cilët janë shndërruar në përbindësh për t’i mbrojtur vetëm interesat materiale, duke e shpërfillur karakterin dhe dinjitetin e njeriut dhe sigurinë e jetës dhe pronës, presidenti i Turqisë është shfaqur me zemrën e tij përplot besim dhe me guximin e tij të lartë për t’i thënë “ndal” këtij “Rendi të prishur”, gjë e cila, sipas Rexhepit, i ka tronditur dhe hutuar mizorët.

Rexhepi ka theksuar se Erdoğan me qëndrimin e tij të palëkundur është shndërruar në një lider botëror që vlerësohet dhe respektohet nga bota islame dhe nga të gjithë njerëzit e shkelur dhe të përçmuar në botë.

“E gjithë bota ndoqi me habi se si për një kohë të shkurtër, qoftë si kryeministër apo president, e ngritët drejt majave shtetin turk, të cilin e morët përsipër nga paraardhësit tuaj dhe i cili po përjetonte kriza. Qëllimkëqinjtë të cilët nuk e dëshirojnë Turqinë në këtë rrugë në të cilën po avanconi me vendosmëri të madhe dhe besim, në çdo rast ju sulmojnë ju dhe Turqinë. Më i dhunshmi nga këto sulme të përgatitura në forma të ndryshme nga ‘Ideatorët e Lartë’ dhe që është argumentuar haptazi se u zbatua nga FETO, është tentativa për grusht shteti më 15 korrik. Megjithatë, falë mëshirës dhe mirësisë së Allahut të Lartësuar, udhëheqjes suaj dhe dashurisë së përzemërt që populli turk ka ndaj shtetit, u tejkalua edhe kjo katastrofë”, ka theksuar Rexhepi.

Duke theksuar se është në anën e presidentit Erdoğan për sa i përket referendumit të 16 prillit për, siç thotë ai, demokratizimin e njëmendtë të Turqisë dhe shpëtimin nga të gjitha prangat, Rexhepi ka thënë: “Njëlloj sikurse milingona që i solli ujë profetit Ibrahim, në emrin tim personal, në emër të BFI-së të cilën e drejtoj dhe në emër të muslimanëve të Maqedonisë, dua të shprehem se edhe ne jemi me ju deri në fund.”

Rexhepi është shprehur se besojnë që referendumi të rezultojë me sukses. Ai ka uruar që referendumi në Turqi të jetë dritë shprese dhe udhërrëfim për Turqinë, botën islame, Ballkanin dhe tërë të shtypurit në botë.

[:]

Comments are closed.