KRERËT FETARË DHE MINISTRI I SHËNDETËSISË BËJNË THIRJE PËR IMUNIZIM KOLEKTIV

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i saj Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai edhe një herë ka dëshmuar se me gjitha kapacitetet e veta BFI është vënë në luftën kundër pandemisë Kovid 19, duke bërë thirrje për të satën herë që qytetarët e vendit, gjegjësisht besimtarët tu përmbahen rekomandimeve të Organizatës botërore të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së RMV, të japin kontributin e tyre dhe të kenë kujdes të madh në parandalimin e kësaj sëmundje duke marrë pjesë në imunizimin e shoqërisë, me qëllim që të tejkalohet situata sa më shpejtë.

Të enjten më 03.02.2022, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mori pjesë në takimin e krerëve fetarë me Ministrin e Shëndetësisë në Qeverinë e RMV, z. Bekim Sali nga Shtëpia Përkujtimore e Nënës Terezë në Shkup.

Pas këtij takimi, krerët fetarë së bashku me Ministrin e Shëndetësisë dolën me një mesazh të përbashkët ku thuhet se: “Të gjithë jemi dakord se imunizimi është mënyra më e sigurt për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit, andaj vetëm duke rritur vaksinimin mund ta mbrojmë shëndetin tonë dhe shëndetin kolektiv, gjithë kjo me të vetmin qëllim që të përballemi më mirë me pandeminë”.

Për këtë mesazh dhe për rëndësinë e imunizimit kundër Covid-19 Ministri i Shëndetësisë z. Bekim Sali tha se: “E falënderoj përzemërsisht kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase, z.z. Stefan, Reisul Ulemanë e Bashkësisë Fetare Islame, H. Hfz. Shaqir ef. FetaI, Peshkopin e Kishës Katolike, z. Kiro Stojanov, si dhe kryetarin e Bashkësisë Hebraike, z. Pepo Levi për këtë iniciativë fisnike, me të cilët i bëmë thirrje të përbashkët secilit qytetar që ta kuptojë seriozisht nevojën e vaksinimit kundër Covid-19”.

Disa ditë më parë, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame publikisht mori edhe dozën e tretë të vaksinës Pfizer dhe bëri thirrje publike deri tek të gjithë besimtarët dhe qytetarët e RMV që të vaksinohen dhe kështu të kontribuojnë në parandalimin e hovit të virusit Kovid 19-Omikron, i cili në vendin tonë është përhapur në masë të madhe. Ngritja e vetëdijes për imunizim kolektiv, do të japi edhe rezultatin e vet në dhënien fund të këtij virusi vdekjeprurës.

Comments are closed.