Kompania Ramadani, shembull humanizmi
Më 25 shtator 2011 u bë rinovimi me aparaturë të re i mullirit të kompanisë Ramadani në Likovë, në të cilin solemnitet morën pjesë Sekretari i përgjithshëm i BFI-së, h. Afrim ef. Tahiri, përfaqësues të Komunës së Likovës, kryetari i OH “Hilal”, imamë të këtij regjioni, qytetarë të kësaj komune e më gjerë.
Solemniteti meriton edhe më tepër të afirmohet për hir të humanitetit që ka bërë kompania Ramadani ndër vite, me ndihmat e dhuruara për familje të shumta të zonës së varfër të komunës së Likovës, e përfshirë edhe në konfliktin e 2001-it, por edhe me ndihmat jashtë kësaj zone, duke ndihmuar gjithandej shumë familje të varfra muslimane.
Në këtë solemnitet fjalë rasti pati Sekretari i përgjithshëm i BFI-së, h. Afrim ef. Tahiri, i cili mes tjerash përgëzoi pronarin e Kompanisë për veprën e tij humane dhe kontributin e dhënë në shoqërinë tonë.
“I nderuar pronar i kompanisë Mulliri Ramadani, z. Nuzhdet Ramadani, të nderuar përfaqësues të Komunës së Likovës, i nderuar kryetar i OH ‘Hilal’, z. Mustafa Dauti, të nderuar imamë të këtij regjioni, të nderuar mysafirë dhe ju të pranishëm, eselamu -alejkum: jam i nderuar që sot, me këtë rast, jam këtu në emër të BFI dhe kryetarit të saj, Reis-ul-Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi dhe më lejoni që në fillim t’ju them se para disa ditëve bashkërisht ishim në vizitë grevistëve në Kumanovë lidhur me të burgosurit e pafajshëm, me ç’rast Reis-ul-Ulemaja mes tjerash tha: ‘Bashkësia Fetare Islame është e popullit dhe për popullin, iu gëzohet gëzimeve të popullit dhe vuan me vuajtjet e popullit’; sot, pra, me këtë rast, ne bashkërisht po i gëzohemi suksesit të kompanisë Ramadani, e cila, sipas asaj që është thënë deri më tani, mund të themi se vazhdimisht ka punuar që të jetë në hap me kohën.
Jemi këtu për shkak se z. Ramadani është një anëtar i shquar i BFI-së dhe i njohur edhe për OH ‘Hilal’, kryetar i së cilës jo rastësisht është zgjodhur z. Mustafa Dauti, i këtij vendi. Zotëri Ramadani njihet si humanist dhe ne besojmë se edhe më tutje do të jetë një prej atyre që do të kontribuojnë në zhvillimin e jetës fetare në vend dhe në sferën e humanitetit.
Apeloj që shembullin e pronarit të kompanisë Ramadani ta ndjekin edhe të tjerë që punojnë dhe veprojnë në diasporë, pra të shtojnë investimet në vendlindje, të hapin vende pune dhe të pengojnë shpërnguljen e popullatës nga ky vend…” – tha ef. Tahiri.
Ai në fund gjithashtu shtoi: “Lusim Allahun fuqiplotë që të bekojë z. Nuzhdet Ramadanin dhe stafin e tij. Qoftë i bekuar ky moment dhe ky vend dhe gjithë ju që jeni prezentë dhe – u gëzofshim në sukseset e ardhshme! Urime, ve selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.”
Next Post
Comments are closed.