Kolumnë

Kolumnë
Lehtësia e padurueshme e shpifjes
Shpifja gjason me një thes puplash të cilat i shpërndanë era, kurse demanti dhe dekonstruktimi i shpifjes është përpjekje për të mbledhur e për t’i futur sërish në thes puplat të cilat era i ka shpërndarë gjithandej.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Sipas një analize të shpallur në revistën prestigjioze “Science”, vetëm në Twiter, në periudhën 2006-2017 janë përhapur 126.000 thashethëna e shpifje në të cilat kanë marrë pjesë mbi tre milionë njerëz. Ekipi hulumtues kishte konstatuar se gënjeshtrat e përhapura depërtojnë te ndjekësit shumë më thellë dhe shumë më gjërë nga e vërteta, duke theksuar se gënjeshtra ka 70% më shumë gjasa të përcjellet tutje nga ata se sa e vërteta. Poashtu, në atë studim është konstatuar se e vërteta kërkon kohë gjashtë herë më të gjatë se sa gënjeshtra për të depërtuar deri te shfrytëzuesit e rrjeteve sociale dhe të mediave të ndryshme.
Dezinformatat që shkaktojnë tragjedi
Të gjithë ekspertët dhe njohësit e mediave pajtohen se në atë çast kur interneti i hapi portat e veta për çdokë, njëkohësisht u hap edhe mundësia që dezinformata të trajtohet si informatë e gënjeshtra dhe shpifja të grimosen nga pak e t’ju ofrohen njerëzve si e vërtetë. Sot,mjafton që dikush të posedojë një kompjuter për të krijuar e për të përhapur lajme dhe informata të trilluara për të cilat nuk bart kurfarë përgjegjësie. Ato “lajme” pastaj vërshojnë hapësirat e pakontrolluara të internetit, bëhen “kryelajme” të portaleve të egra që s’kanë kurfarë strukture redaktuese dhe, mjerisht, ndonjëherë depërtojnë edhe në media serioze e profesionale.
Jo rastësisht është thënë se shpifja gjason me një thes puplash të cilat i shpërndanë era, kurse demanti dhe dekonstruktimi i shpifjes është përpjekje për të mbledhur e për t’i futur sërish në thes puplat të cilat era i ka shpërndarë gjithandej.
Pse po përpiqem të merrem me fenomenin e shpifjes dhe me përhapjen e “lajmeve” të ashtuquajtura fake neës, çështje kjo që natyrshëm ju takon t’a analizojnë ekspertët, njohësit e mediave, sociologët e psikologët ?
Më motivoi një informatë që lexova për një adoleshent i cili, duke mos mundur e duke mos ditur t’ju bën ballë shpifjeve të cilat në internet i kishin përhapur një grup moshatarësh të tijë, kishte përfunduar jetën duke ngritur dorë mbi vehten. Prindërit e adoleshentit fatkeq ishin përpjekur të nxjerrin përpara drejtësisë autorët e shpifjeve që e kishin shpier djalin e tyre në vdekje, por ju kishin thënë se s’ka ligj që i parandalon këto gjëra, ndërkohë që shpifjet për djalin po qëndronin edhe më tutje në internet si tregues ogurzi i destruktivitetit njerëzor. Në fund, babai i adoleshentit të vetëvrarë kishte bërë vetdrejtësi e vetgjyqësi dhe kishte vrarë njërin nga shpifësit…
Kjo storie tragjike sigurisht se nuk është shembulli më i mirë se si duhet luftuar shpifjet dhe thashethënat, gënjeshtrat e trillimet. Në fakt ajo është shembulli më i mirë se si nuk duhet luftuar ato. Por, ja që jeta është gjithfare, njerëzit janë të ndryshëm dhe në momente kur janë padrejtësisht të lënduar kërkojnë mënyra për të mbrojtur dinjitetin, vështirë i kontrollojnë emocionet dhe veprimet duke mos qenë në gjendje të parashohin rezultatin e tyre. Emocionet e njeriut janë shumë të zëshme dhe nuk lejojnë të dëgjohet zëri i arsyes. Andaj, mendoj se në kohët e kësaj katrahure që po e shkaktojnë njerëz të pandërgjegjshëm duke e keqpërdorur lehtësinë e padurueshme të përhapjes të “informatave”, duhet gjetur një modus për dekonstruimin e gënjeshtrave dhe shpifjeve që po na vërshojnë.
Heshtja e Ligjit dhe Vetëdijes
Sidoqoftë,është e qartë se deri sot në këtë drejtim nuk kanë vepruar me sukjses as Ligji e as Vetëdija jonë. A janë zgjidhje e qëndrueshme në këtë drejtim paketat e ndryshme antishpifje të cilat po promovohen kohëve të fundit në disa shtete të rajonit duke insistuar në rregullimin dhe vetrregullimin e portaleve dhe mediave të tjera, nuk ia kam idenë.
Kuptohet se një inisiativë për të vënë rregull në hapësirat mediale, kursesi nuk guxon të shndërrohet në gjueti shtrigash përmes të cilës shteti do të bënte kapjen e mediave dhe heshtjen e zërit kritik të opinionit.Mendoj se përkundrazi ai zë kritik duhet të bëhet edhe më buçitës në të gjitha sferat, por gjithnjë duke e bërë ndarjen e saktë mes asaj që quajmë kritikë konstruktive dhe asaj që është shpifje e trillim, mes asaj që është profesionalizëm gazetaresk dhe asaj që është keqpërdorim i hapësirës mediale e që maskohet me idenë për “lirinë e të shprehurit”.
Ndërkohë, të haruar nga drejtësia dhe ligji, çdokush dhe çdokund, pa përjashtime, do vazhdojë të jetë viktimë e mundshme e njerëzve të pandërgjegjshëm, e grupeve dhe organizatave, të shteteve e të pushteteve, të laboratoreve që përpunojnë të keqen dhe e prezentojnë si mirësi. Të gjithë , sipas nevojës dhe sipas interesit të krijesave të përçudshme që veprojnë nga erësira do rrezikojnë të shpallen keqbërës e destabilizues, armiq të kësaj apo asaj kauze, përhapës të jotolerancës dhe të gjuhës së urrejtjes
Në këtë vazhdë,para disa ditësh, profesori i psikologjisë Edmond Dragoti ishte përpjekur të analizojë se” Për çfarë arsye shqiptarët janë aq agresiv, shajnë e ofendojnë dhe komentojnë në dritë negative pothuajse çdo gjë në rrjetet sociale…” Ai kishte konstatuar se “ne veprojmë kështu sepse kemi shumë nevoja bazë të paplotësuara dhe, duke pasur inferioritet kulturor jemi të pakënaqur me statusin e grupit tonë shoqëror…”
Mendoj se një konstatim i këtillë qëndron gjithsesi por ai, jam i bindur, nuk vlen vetëm për shqiptarët, të atillë jemi të gjithë ne ballkanasit. Nëse kësaj ia shtojmë edhe veprimin e nxitësve, manipuluesve dhe përhapësve të shpifjes për të cilët fola më lartë, rrëfimi merr formën e vetë të vërtetë. Por, çka më tutje ?

Comments are closed.