Kolumnë: Zëri që s’po dëgjohet

Kolumnë
Zëri që s’po dëgjohet

Islami është besim, por ai është edhe ligj që përcakton sjelljet dhe veprimet tona, ai nuk mund të shërbejë si monedhë për të kthyer kusurin,ai insiston të luan rol në vendimmarrje dhe jo të margjinalizohet.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Viteve të fundit, përmes diskurseve të ndryshme, në opinion është vënë në spikamë raporti mes fesë dhe politikës, raport ky që pa dyshim ka ndikim të fuqishëm në vendnumrimin ose avancimin e shoqërive që po ballafaqohen me kriza të ndryshme të cilat nuk është se kanë munguar ndër ne dhe rreth nesh. Por, kryesisht dhe çuditërisht, theksi përherë është vënë dhe është problematizuar qëndrimi i Islamit ndaj politikës, raporti i Bashkësisë islame me politikën, kyçja e besimtarëve muslimanë në jetën politike dhe proceset shoqërore.

Etiketimet

Lidhur me këtë raport për të cilin kam shkruar dhe jam deklaruar në raste të ndryshme, më kujtohet se qëndrimet e mia dhe të Bashkësisë Islame të Maqedonisë si Institucion i vetëm fetar që merret me organizimin e jetës fetare islame, gadi gjithmonë janë etiketuar si implikim në çështje politike. Ka ndodhur kështu anipse, në fakt, qëndrimet tona kanë synuar zbutjen e polarizimeve dhe kanë qenë përpjekje për të spjeguar qëndrimin e fesë ndaj politikës. Një gjë e këtillë është detyrë,obligim dhe e drejtë e jona legjitime si njohës dhe interpretues të Islamit.
Nga ana tjetër, kur janë në pyetje feja e politika dhe raporti që ato duhet të kenë mes vehte, unë dhe institucioni të cilin e përfaqësoj, pra Bashkësia Islame në RMV, përherë e kemi pasur të qartë se në një sistem shekullar në të cilin feja është e ndarë nga shteti,vendimet i sjellin politika, shteti dhe të zgjedhurit e popullit që legjitimitetin e kanë marrë edhe nga besimtarët muslimanë. Në këtë vazhdë, insistimi im dhe i BFI ka qenë përherë që zëri ynë të dëgjohet kur janë në pyetje çështje dhe norma të caktuara morale e etike dhe jo çështje të cilat kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti me politikën. Dhe, mjerisht, siç thash, ky zë i yni në të shumtën e rasteve është interpretuar dhe etiketuar si përzierje në politikë nga ata që kanë pasur pushtetin në momente të caktuara si edhe nga satelitë të tyre medial e opinionbërës.

Keqpërdorimi i Zotit

Tani shtrohet një pyetje ose dilemë që imponohet vetvetiu nga analiza e raporteve mes fesë dhe politikës : A po e ndanë në dysh shoqërinë tonë debati rreth vlerave morale e etike, temë kjo që natyrshëm ju takon t’a shtrojnë përfaqësuesit fetarë, apo ndoshta arsyet e këtij coptimi duhet kërkuar te përpjekjet e politikave e politikanëve që të imponohen si bartës të vlerave fetare me të cilat, mendojnë ata, do të sigurojnë një masë më të madhe përkrahësish dhe votuesish.

Po, një kohë më të gjatë, në kampusin politik shqiptar të të gjitha trojeve, sikundër edhe te politikat tjera në rajon, është i dukshëm insistimi që feja të shfrytëzohet si mjet që sjellë fitore politike, anipse politika jo një herë ka dëshmuar se në vend të vlerave morale e etike ka sjellur tmerin, ndasitë, tensionimet, korupcionin, krimin…

Unë,natyrisht, s’kam asgjë kundër ndonjë subjekti politik që tregon interesim për fenë e as kundër ndonjë politikani i cili shpreh publikisht ndjenjat e veta fetare. Unë kam shumnë gjëra kundër politikave dhe politikanëve që mendojnë se mund t’a shfrytëzojnë fenë për t’i realizuar qëllimet e tyre politike. Dhe, si përherë, po i përkujtoj se përdorimi i emrit të Zotit dhe thirja në principet fetare, në këtë rast në principet e fesë islame, nuk guxon të bëhet me qëllime manipuluese .

E tërë kjo sepse feja me vlerat e veta metafizike asnjëherë nuk mund të bëhet mjet që prodhon përplasje e mosmarveshje të cilat janë veçori të politikës në përgjithësi. Feja nuk mund të instrumentalizohet dhe të shërbejë për të pjellur kriza artificiale, ajo ka krejtësisht qëllime të tjera, ajo synon paqen dhe mirëqenien e njerëzve, dashurinë dhe mirëkuptimin.

Dhe, krejt në fund, dua të ripërsëris e të rikujtoj ata që duke bërë politikë deklarohen se mbështeten në parimet islame. Pra, të gjithë ata duhet të dijnë se feja islame nuk nënkupton vetëm besimin te Zoti, ajo është një lidhje zinxhirore e segmenteve të ndryshme nga jeta e njeriut. Islami është besim, por ai është edhe ligj që përcakton sjelljet dhe veprimet tona, ai nuk mund të shërbejë si monedhë për të kthyer kusurin,ai insiston të luan rol në vendimmarrje dhe jo të margjinalizohet.

Comments are closed.