Kolumnë: Xhamitë s’janë për karshillëk, ato janë shtëpi të Zotit

Kolumnë

Xhamitë s’janë për karshillëk, ato janë shtëpi të Zotit

“E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij dhe përpiqet për shkatërimin e tyre. Atyre ndryshe nuk ju takon të hyjnë vetë në ato, por vetëm duke qenë respektues.Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh! “(El-Bekare, 114.)

Shkruan h. Sulejman ef, Rexhepi

I tërë opinioni ynë dashamirës, të gjithë besimtarët muslimanë dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, javën e kaluar e përjetuan me kënaqësi dhe gëzim të veçantë hapjen e pritur kahmoti të xhamisë të Ali Pashait në Ohër. Kjo shtëpi e Zotit në të cilën muslimanët me shekuj ia kanë drejtuar lutjet e tyre Krijuesit dhe Sundimtarit të botërave u ringjall dhe nga minarja e sajë u dëgjua thirja: Allahu është më i madhi/Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut/Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Allahut/ Eja në namaz/ Eja në shpëtim…
Dhe,dua të theksoj, kjo xhami që dallohet nga bukuria e sajë që do bëhet lez i Carshisë së Ohrit dhe i tërë qytetit, simbol i tolerancës ndërfetare e ndërnacionale dhe dëshmi e multikuluralitetit e multikonfesionalitetit, nuk ka dhe asnjëherë s’do ketë misionin e karshillëkut, siç po thonë gojëkëqinjtë. Jo, sepse “ Xhamitë janë vend për të adhuruar Allahun, e mos adhuroni në ato askë përveç Allahut”(El Xhinn:18).
Me vite të tëra, bashkë me tërë Bashkësinë Islame, kam bërë përpjekje për t’ju spjeguar kundërshtarëve të rindërtimit të kësaj xhamie se Institucioni ynë dhe besimtarët muslimanë nuk kanë as më të voglin pretendim që të shkaktojnë shqetësim e pakënaqësi te jomuslimanët duke e ringjallur një shtëpi të Zotit që njëkohësisht është edhe monument i çmueshëm historik. Me decenie kemi luftuar kundër paragjykimeve, me decenie kemi qëndruar gjakftohtë përpara ndërkëmbëzave dhe ofendimeve të llojit “ Xhamia dhe minareja e dëmtojnë pamjen tradicionale krishtere të Ohrit dhe të Carshisë…”.
Por, ja që xhamia e Ali Pashait u ngjall me vullnetin e Zotit dhe meqë ajo është shtëpi e Zotit, të gjithë ata që kanë ndonjë dilemë për funksionin e sajë duhet të kuptojnë përfundimisht që aty bëhen vetëm gjëra të bukura të cilat e kënaqin Krijuesin dhe çdo gjë tjetër, çdo aktivitet që shkon në dëm të njeriut e të shoqërisë në përgjithësi, është i ndaluar dhe i dënueshëm. Këtë gjë po e them sepse, thjeshtë janë të padurueshme dhe ofenduese pallavrat dhe budallalliqet sipas të cilave kinse “ edhe në këtë xhami sikur në të gjitha të tjerat do të përhapet urrejtja dhe ekstremizmi…”.
Thotë Kur’ani Famëlartë: “ E drejtë e përkujdesjes ndaj xhamisë është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së Gjykimit e që falë namazin,jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt përveç Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit(në rrugën e drejtë’.(Et-Tevbe:18). Pra, muslimanët që ndërtojnë e rindërtojnë xhami, e bëjnë atë gjë për shkak se fuqishëm i përmbahen ajetit të përmendur, ata janë të vetëdijshëm se njeriu është qenie sociale të cilit i dalin në dukje vlerat kur është antar i bashkësisë, i xhematit. Ata e përjetojnë xhaminë si një institucion në vehte i cili mundëson dhe profilon një jetë të shëndoshë, të liruar nga urrejtja e të pasuruar me dashuri ndaj Allahut, ndaj njeriut, ndaj fqiut e bashkëqytetarit. Aty, pra në xhami, besimtari njihet me baraspeshën mes shpirtërores dhe materiales nga të cilat pastaj varet prosperiteti i shoqërisë në të cilën ai jeton e vepron e që sipas parimeve islame duhet të jetë humane në raport me çdo krijesë.
Ja, për këto arsye ekzistojnë xhamitë dhe etiketimet që i bëhen asaj nga individë dhe qarqe të caktuara që përpiqen të deformojnë e të satanizojnë rolin dhe funksionin e xhamisë, janë të frymëzuara nga mosnjohja elementare e parimeve të Islamit, nga qasja selektive ndaj besimeve të ndryshme, nga jogadishmëria për të bashkëjtuar e për të bërë dialog me atë që mendon, vepron dhe beson ndryshe.
Sidoqoftë, ringjallja e xhamisë së Ali Pashait në Ohër jep shpresë se në një të ardhme jo të largët do të mund t’i gëzohemi edhe ripërtirjes së xhamive të tjera monumentale në Maqedoni të cilat për shkaqe të ndryshme janë jashtë përdorimit. E kjo jo për t’i bërë dikujt karshillëk.

Comments are closed.