Kolumnë: Ummetun vahide

Kolumnë

Ummetun vahide

Kur në shek. XXI në një shtet që e konsideron vehten shtet demokratik akoma po diskutohet se si të cungohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duke mos e bërë fare hesap ndezjen e gjakrave që mund, mos dhëntë Zoti, të shkaktojë destabilizime serioze, po e sjell ndërmend Kartën e Medines,dokumentin e parë të shkruar në historinë e Islamit që bën fjalë për tolerancën,bashkëjetesën dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Përditshmëria në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjithnjë e më shumë po bëhet një ekuacion me shumë të panjohura të cilën për momentin askush nuk është në gjendje t’a zgjidhë. Qytetari i rëndomtë i këtij shteti është dukshëm i ngarkuar me halle e brenga që kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti me ekzistencën, me të nesërmen e paqartë, me tkurjen e familjes si pasojë e largimit masiv të rinisë. Kjo gjë vërtetohet lehtas nga çdo bisedë në rrugë, në zyre, në treg, në komshillëk, në familje, pra gjithkund ku zhvillohet jeta e vërtetë.
Por, nëse ia hudhni një vështrim skenës politike dhe nëse analizoni deklarimet dhe preokupimet e atyre nga të cilët pritet që të ndryshojnë pozitivisht gjendjen e njerëzve që e jetojnë jetën reale, çuditërisht do konstatoni diçka krejt tjetër. Do konstatoni se për momentin, halli dhe brenga që rënduakan mbi supet e brishta të Maqedonisë na qenka Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe vërejtjet që atij ia paska bërë Komisioni i Venedikut. Pra, preokupim qenka jo varfëria, jo shkollimi, jo niveli katastrofal i diturive të nxënësve të shkollave të mesme dhe i studentëve, jo shëndetësia, jo kultura… Halli dhe brenga e Maqedonisë na qenka se mos shqiptarët po shfrytëzojnë ndonjë të drejtë më shumë e po flasin ndonjë fjalë më tepër në gjuhën e tyre, andaj të gjitha forcat duheshka bashkuar për të reviduar Ligjin e përmendur.
Aman, aman, hej zaman zaman! Pas të gjitha përpjekjeve dhe pas të gjitha zotimeve, pas “reformave” të ndryshme dhe rënimit të njëmendësisë, pas deklarimeve të zjarta për orientime evroatlantike dhe për barabarësi substanciale e jo formale që, ç ‘ është e vërteta, dolën blof, Maqedonia e shkërmoqur e gjeti “temën madhore” me të cilën do e rikthyeka nga përgjumja opinionin e vetë. Rojtarët vigjilentë të ndjenjës kombëtare maqedonase të rreshtuar edhe majtas edhe djathtas, deri në përfundimin e zgjedhjeve të prillit do të bëjnë namin për t’ua marrë ”të drejtat e tepërta” që ua paskan dhënë shqiptarëve.Po të mos ishte qesharake siç është, kjo përpjekje populliste për të siguruar ndonjë votë më shumë, do të dukej tragjike dhe e pështirë. Sepse, të fitosh vota duke u përpjekur të diskriminosh bashkëqytetarët me të cilët jeton dhe duhet të jetosh, është një veprim i turpshëm dhe një armë që gjendet vetëm në arsenalin e nacionalizmit e shovenizmit i cili në këtë nënqiell ka bërë aq shumë dëme në një të kaluar jo edhe fortë të largët.
Sidoqoftë, çështjen e tolerancës dhe mostolerancës, çështjen e barazisë mes njerëzve dhe mirëkuptimin mes tyre, unë e shikoj si një çështje komplekse, por gjithnjë duke u bazuar në qëndrimet islame ndaj këtyre segmeneteve të jetës së njeriut.Dhe, i vetëdijshëm se dallimet fetare, racore e kombëtare janë të bazuara mbi poërcaktimin dhe dëshirën e Zotit, mbetem me bindje se Krijuesi insiston që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh dallimet e përmendura, duhet të jetojnë me njëri tjetrin dhe pranë njëri tjetrit.
Në këtë vazhdë e në këtë situatë kur në shek. XXI në një shtet që e konsideron vehten shtet demokratik akoma po diskutohet se si të cungohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duke mos e bërë fare hesap ndezjen e gjakrave që mund, mos dhëntë Zoti, të shkaktojë destabilizime serioze, po e sjell ndërmend Kartën e Medines. Bëhet fjalë për dokumentin e parë të shkruar në historinë e Islamit që bën fjalë për tolerancën,bashkëjetesën dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Keni parasysh, dokumenti është shkruar përpara 1500 vjetësh dhe në drejtim të të drejtave dhe obligimeve të banorëve muslimanë e hebrenjë të Medines, Muhamedi a.s. ka urdhëruar që aty të theksohet se të gjithë banorët e qytetit janë “Umetun vahide”(një popull). Me atë Kartë, mes tjerash jepen garanca se nuk do ushtrohet dhunë ndaj hebrenjëve të Medines të cilët lirisht mund të praktikojnë gjuhwn, fenë dhe besimin e tyre. Ata, pra muslimanët dhe hebrenjtë do të krijojnë marëdhënie të mira me njëri tjetrin dhe janë të obliguar të ndihmohen dhe të luftojnë kundër armikut të përbashkët…
Dhe, vetvetiu imponohet një pyetje: Si është e mundur që pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, kur civilizimi njerëzor ka bërë aq hapa gjigantë drejtë ardhmërisë, një popullit autokton me një trashëgimi të theksuar kulturore e civilizuese, po i vehen ndërkëmbëza sikur kjo lidhur me rishikimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ? Si është e mundur që pengesa të atij lloji t’i bëhen një populli i cili i takon fesë islame dhe e bartë me vetëdije kodin që buron nga Karta e Medines lidhur me tolerancën dhe mirëkuptimin mes njerëzve ?
Nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët sikurse në përgjithësi muslimanët e Maqedonisë janë element konstruktiv i cili nga tradita e raporteve shekullore me fqinjtë dhe nga historia kanë mësuar se jetën e përbashkët me pjesëtarët e përkatësive të tjera etnike dhe fetare duhet kuptuar në mënyrë oganike, jo thjeshtë si një diskurs për pluralizmin dhe multikulturalizmin.Shqiptarët e Maqedonisë, tradicionalisht kanë parapëlqyer të flasin jo për bashkëjetesën me të tjerët por për vetë jetën. Andaj,në kohën e problemeve të panumërta që kanë goditur Maqedoninë, kur tensionet dhe mosmarrëveshjet, mohimi dhe paragjykimet, manipulimet politike në mënyrë dramatike po shndërohen në trend, kujtoj se përpara të gjithë njerëzve qëllimmirë po qëndron një sfidë shumë serioze që ka të bën me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Cdo keqpërdorim dhe çdo anashkalim i këtij ligji mund të shkaktojë dridhje në raportet ndëretnike nga të cilat varet stabiliteti i vendit.
“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur nga të këqijat, e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë” (El Huxhuratë:13)

Comments are closed.