Kolumnë: Traumat ndërfetare

Kolumnë

Traumat ndërfetare

Kam përshtypjen se bashkëqytetarët tanë asnjëherë nuk kanë bërë ndonjë përpjekje më serioze për t’i kuptuar e për t’i trajtuar Islamin dhe muslimanët më esencialisht. Kjo, natyrisht, nga ana tjetër,ka rezultuar me një qëndrim më të rezervuar nga ana e muslimanëve ndaj të krishterëve të cilët me decenie kanë qenë edhe bartës të pushtetit dhe kanë drejtuar institucionet më të rëndësishme në shtet.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Kohëve të fundit kisha rastin të bisedoj e të debatoj me më shumë personalitete nëpër takime dhe konferenca të ndryshme që kishin për temë marëdhëniet e tensionuara mes feve dhe rrugët që duhet ndjekur për të rikthyer ato marëdhënie në binarët e caktuar nga Zoti.
Një pjesë e njohësve te raporteve mes feve, ekspertë të ndryshëm dhe analistë, ishin të mendimit se,në momentin aktual,bota po e përjeton përplasjen mes civilizimit islam dhe të atij të krishterë që po shprehet përmes akteve teroriste, qofshin ato të inspiruara nga Islami apo nga krishterizmi. E tërë kjo, gjithnjë sipas këtyre ekspertëve, po vërteton parashikimet e kobshme të Huntingtonit që thoshte se përplasjet fillimisht të intensitetit më të ulët mes këtyre civilizimeve mund të prodhojnë luftë të përgjithshme shkatrimtare.
Në këtë rrafsh, unë pajtohem se marëdhëniet mes feve në përgjithësi, jo vetëm mes Islamit dhe krishterizmit, historikisht kanë pasur periudha traumatike, siç pajtohem që përkeqësimi i këtyre marëdhënieve në kohët që po i jetojmë mund të shkaktojnë kriza të përmasave të paimagjinueshme. Por, nuk pajtohem se ato përkeqësime i gjeneron ciladoqoftë fe. Kujtoj se ato përkeqësime dhe ato trauma ndërfetare shkaktohen nga keqpërdorimi i fesë, nga implikimi i interesave politike e shtetërore në hapësirat e fesë, nga individë të cilët duke shfrytëzuar ndjenjat më sublime të besimtarëve janë përpjekur dhe po përpiqen të realizojnë qëllimet dhe synimet e tyre të mbrapshta.
Sëkëndejmi, jam shumë i bindur se detyrë dhe obligim i ngutshëm jo vetëm i bashkësive fetare por edhe i mbarë shoqërisë njerëzore është të identifikojë drejtë traumat e krijuara ndërfetare, t’i eliminojë ato dhe të ngrit raportet mes feve në nivelet më të larta të tolerancës dhe mirëkuptimit, me ç’gjë do të neutralizohej njëri nga reziqet e mundura për paqen në botë.
Dhe, pa dyshim, e tërë kjo vlen edhe kur janë në pyetje marëdhëniet mes Islamit dhe krishterizmit, mes muslimanëve dhe të krishterëve në Maqedoni, në këtë vend të vogël që është një pikëtakim shumë i rëndësishëm i fesë islame dhe asaj krishtere, i civilizimeve dhe kulturave të ndryshme të cilat duhet të afrojnë e jo të largojnë njerëzit. Dialogu i sinqertë dhe toleranca si mënyrë normale e të jetuarit për të cilat aq shumë po flitet nëpër botë, këtu do të duhej të bëhet pjesë e patretërsueshme e veprimit dhe angazhimit të cilësdo proveniencë politike.
Duke bërë një retrospektivë të zhvillimeve dhe të marëdhënieve mes dy feve dominante në Maqedoni gjatë viteve që unë i kam përjetuar dhe mund të jap ndonjë vlerësim, më krijohet përshtypja se bashkëqytetarët tanë asnjëherë nuk kanë bërë ndonjë përpjekje më serioze për t’i kuptuar e për t’i trajtuar Islamin dhe muslimanët më esencialisht. Kjo, natyrisht, nga ana tjetër,ka rezultuar me një qëndrim më të rezervuar nga ana e muslimanëve ndaj të krishterëve të cilët me decenie kanë qenë edhe bartës të pushtetit dhe kanë drejtuar institucionet më të rëndësishme në shtet.
Kur flas për njohjen e Islamit dhe të kuptuarit të esencës së tij, nuk mendoj në përpjekjet parciale që po i imponon globalizimi në drejtim të spjegimit të besimit të muslimanëve. Sepse, ato përpjekje në të shumtën e rasteve përfundojnë me konstatime të paqëndrueshme që për bosht kanë “terorizmin islamik” dhe “jokompatibilitetin e Islamit me proceset demokratike”. Kjo i bie sikur ne muslimanët t’a shikojmë e t’a vlerësojmë krishterizmin nën prizmin e masakrave në Norvegji, Zelandë e në Kvebek dhe të gjithë të krishterët t’i identifikojmë me monstrat si Brenton Tarant dhe Anders Bervik.Nuk ka kurfarë kuptimi as pikëpamja që mbretëron në disa qarqe se “Islami është fe e dhunshme, ndërkohë që hebreizmi fe e drejtësisë dhe krishterizmi fe e dashurisë…” . Të gjitha këto janë pa dyshim prodhim i mendjes populiste që po ngjallet bashkë me ngjalljen e lëvizjeve të djathta në Perëndim dhe po reflektojnë edhe në Maqedoni duke i detyruar njerëzit që në vazhdimësi të identifikojnë dikë që do e urrejnë.
E tërë kjo nuk ka lidhje me fenë, kjo ka lidhje me ndjenjat më të ulëta njerëzore që bëjnë një prapakthehu në kohët e Kryqëzatave, në kohët e Rekonkuistës që shkaktoi gjenocidin e muslimanëve dhe hebrenjëve në Spanjë, në kohët e Inkuizicionit. Qëndrimet e këtilla prodhojnë islamofobinë dhe jetën e muslimanëve e vështirësojnë deri në situatë alarmante në shtetet ku janë pakicë.
Unë shumë sinqerisht besoj dhe shpresoj se Maqedonia ka forca dhe njerëz të cilët kanë aftësinë dhe diturinë për të tejkaluar trendet negative botërore në të cilat po bëhen përpjekje të zhytet feja, qoftë ajo islame apo e krishterë. Në këtë nënqiell është e nevojshme të hulumtohen e të nxiren në sipërfaqe vlerat e njëmendëta që eliminojnë retorikën e urrejtjes nga e cila pastaj mund të nxiten turbulenca të fuqishme shoqërore. Eshtë e nevojshme të nxitet e të zhvillohet një dialog nga i cili do të përfitojnë edhe Islami, edhe Krishterizmi, por ky dialog nuk guxon të jetë formal, ai duhet të mundësojë që palët të njohin më mirë njëra tjetrën duke e dëgjuar të vërtetën e njëra tjetrës.
Dhe, përfundimisht, fetë nuk guxojnë të bëhen pre e manipulimeve politike, ato duhet të mbrohen nga keqpërdorimi politik dhe ai nacionalist. Por, parakusht për tërë këtë është qëndrimi korekt i pushtetit i cili duhet të vendos shenjën e barabarësisë mes të gjitha bashkësive fetare dhe mes të gjithë besimtarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Comments are closed.