Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Kolumnë: Tokmakizimi

Kolumnë
Tokmakizimi

Kjo kohë që po e jetojmë nuk është kohë tokmake, ajo vetëm është një kohë në të cilën ,incidentalisht, shumë tokmakë kanë dalur në sipërfaqe.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
Të gjithë ne ndonjëherë flasim për kohët e vështira, ankohemi nga kohët pa kohë, vuajmë nga shkaku se kohët që po i jetojmë qenkan të mbrapshta dhe të zeza, por gjithmonë po harojmë se kohët nuk janë të këqia vetvetiu, të këqinjë janë njerëzit të cilët bëjnë që kohët të duken të këqija e të rënda.Dhe, asnjë kohë nuk mund të merr mbi vehte fajin nëse ne nuk e kemi të qartë se kohët dhe kujtimet ecin drejtimeve diametralisht të kundërta. A do shkojmë shtegut të kujtimeve dhe do jetojmë të zhytur në të kaluarën, do bredhim labirintheve të kënaqësive kalimtare apo do mbështetemi te Zoti e do ecim me kohën duke u përpjekur t’ju shmangemi kurtheve të shumta që jeta i vendosë si pritë në çdo hap tonin? Kjo është esenca që përcakton mënyrën tonë të jetesës dhe e bën të shëmtuar ose të bukur kohën që jetojmë.
Sëkëndejmi, momentumi politik e kombëtar aktual për të cilin gjithnjë e më shumë po vlerësojmë se është pjesë e “kohëve të këqia sepse po n’a përballë me dilema dhe paqartësi të nduarnduarta”, në fakt është vetëm refleks i hamendjeve tona.Zhgënjimet dhe pakënaqësitë, frustrimet e shtresuara për shkak të dështimit dhe mosrealizimit të synimeve tona kolektive nuk është se kanë ardhur vetvetiu, nuk është se i paska sjellur koha dhe tani ne duheshka të shndërohemi në një kope delesh që do presin të ndryshojnë kohët. Ne kemi prekur fundin në shumë aspekte por jo një herë është dëshmuar se pikërisht prekja e fundit i mundëson njeriut të ndërtojë një bazament mbi të cilin do i ripëtrijë edhe shpresat, edhe përpjekjet, edhe synimet individuale e kolektive.”Kur të harxhosh të gjitha mundësitë e tua kujtohu se – nuk i ke harxhuar !”, ka thënë Thomas Edison duke ju lënë porosi gjeneratave se nga çdo rrugë qore ka një rrugëdale, se ne nuk mundemi kursesi t’i harxhojmë e t’i humbim të gjitha shanset të cilat gjatë jetës n’a ofrohen.
Pra, njeriu është ai që kohët i bën të shëmtuara ose të bukura, pa marrë parasysh problemet dhe vështirësitë të cilat duket se po zgjatin shumë. Vështirësitë dhe problemet tona nuk mund asnjëherë të zgjatin më shumë se sa vështirësitë dhe problemet me të cilat, t’a zëmë, është ballafaquar Muhamedi a.s. i cili është dëshmi dhe shembull më i mirë në tërë historinë e njerëzimit se vuajtjet dhe problemet shërohen me besimin e paluhatur i cili sjellë kënaqësinë dhe qetësinë në shpirtërat tanë, me përpjekje dhe angazhim, me vetëdije të zhvilluar, me flijim.

Sidoqoftë, ne të gjithë jemi dëshmitarë se Ballkani, pra edhe Maqedonia, nuk është liruar akoma nga përpjekjet për unifikimin e një pjese të popullatës dhe të ndarjes të sajë nga “të tjerët”, ndërkohë që elitat politike po vazhdojnë të përdorin ideologjinë e nacionalizmit ekstrem si mënyrë për të dëshmuar një lloj superioriteti ndaj konkurentëve. Mjerisht, edhe politika që në letër anon kah e majta dhe zotohet për integrim, bashkëjetesë dhe tolerancë, nuk po arin kursesi fjalët t’i shndërojë në vepra. E tërë kjo, kuptohet, ndjellë pasiguri dhe shqetësim te njeriu i zakontë i cili pastaj, duke mos qenë në gjendje të detektojë defektet e politikës të cilës i beson, fajin ia le “kohëve të vështira”.

E zgjidhja është aq e lehtë dhe aq e thjeshtë, ajo qëndron gaditu në vetëdijen tonë dhe pret çastin e volitshëm për të shpërthyer e për të bërë ndryshimin. Ajo do vijë, mendoj unë, atëherë kur ne do i themi jo turlifarë tokmakut duke ia pamundësuar të shpalosë rrugëve, kafeneve e çajtoreve, portaleve e fejsbukave idetë dhe synimet tona më sublime kombëtare e fetare. Zgjidhja do vijë kur do ua ndalojmë tokmakëve që nga radhët tona të rekrutojnë e të prodhojnë tokmakë të tjerë, kur do themi zëshëm se nuk pranojmë tokmakizimin, kur do ju themi “mallo sutra” atyre që kanë atë bindjen fashizoide se ne qenkemi “ popull për një përdorim”.

Përfundimisht, koha jam unë, je ti, është ai, jemi të gjithë ne, ne e bëjmë kohën dhe nuk është koha ajo që e përcakton mendimin, bindjen dhe veprimin tone . Kjo kohë që po e jetojmë pra nuk është kohë tokmake, ajo vetëm është një kohë në të cilën ,incidentalisht, shumë tokmakë kanë dalur në sipërfaqe.
“Pajtohu me dhembjen por përdore atë si lëndë djegëse për udhëtimin tënd”(Kenxhi Mijazava).

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni