Kolumnë: Tingujt neveritës të trumpetave islamofobike.

Kolumnë
Tingujt neveritës të trumpetave islamofobike.

Mirësia është mençuri, ndoshta është kulmi i mençurisë.Mos bëni përpjekje që vetëm vetë të bëheni i mirë, mundohuni që edhe bota të cilën po e leni pas vehtes të jetë e mirë.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Me mija herë kam përsëritur si edhe të gjithë teologët islam dhe njohësit e Islamit në përgjithësi: Islami nuk promovon dhunë, pretendimet se sulmet teroriste mbështeten dhe justifikohen nga Kur’ani janë keqinterpretim flagrant, paqa është parim fundamental i fesë së Allahut, kriminelët nuk mund të luajnë rolin e avoketërve të Islamit sepse ata janë avoketër të djallit, muslimanit nuk i lejohet të vrasë njerëz të pafajshëm! Këtë besojmë ne muslimanët dhe kjo që ne besojmë ne është një orientues i përkryer i cili i mëson njerëzit e feve dhe kombeve në mbarë botën se si duhet të zhvillojnë tolerancën dhe të jetojnë në paqe!
Për të qenë korekt deri në fund, po e ripërsëris se, në fakt, esenca e asnjë besimi nuk e arsyeton dhunën dhe kjo shihet qartë në librat e shenjtë. Cdo ndërthurje e fesë me dhunën dhe çdo tentativë për të arsyetuar dhunën duke u mbështetur te feja, është dhunë dhe krim.
Karikaturat djallëzore
Mjerisht, jemi dëshmitarë se nën ombrellën e kinse luftës kundër “ekstremizmit islamik”, po zhvillohen procese dhe veprime të cilat nuk janë asgjë tjetër përveç shkelje e të drejtave dhe lirive të muslimanëve, punë kjo që paraqet suspendim të demokracisë në emër të mbrojtjes së sajë. Lufta ndaj ekstremizmit nuk do duhej të prodhojë, të nxit e të provokojë islamofob.
Në këtë vazhdë, lexova dje se politikani i të djathtës ekstreme nga Holanda,Geert Wilders, i njohur me qëndrimet e veta anti islame, ndryshe lider i partisë më të madhe opozitare në vendin e vetë, paska ringjallur planin e mëhershëm qe ka pasur për të organizuar një garë ndërkombëtare me karikatura të Muhamedit a.s. As më shumë e as më pak, ai paska kërkuar që të gjitha ato karikatura të dërgohen në adresën e tij. “Liria e shprehjes duhet të ngadhënjejë ndaj dhunës dhe fetfave islamike”, kjo na qenka motoja e këtij konkursi..
Nëse rikthehemi disa vitë më heret, do na kujtohet se çfarë reagimesh patën ngjallur karikaturat e Profetit të Islamit, te botuara në një gazetë daneze. Pikërisht botimi i karikaturave të atilla të cilat muslimanët i konsiderojnë ofendim, disa vjetë më vonë ishin shkas i drejtëpërdrejtë për masakrën e tmershme në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris.
Është për keqardhje që koncepti për lirinë e shprehjes që duhet të jetë njëri nga themelet e demokracisë së mirëfilltë, në mendjen e Wilders dhe bashkmendimtarëve të tijë, baraspeshohet me ofendimin e ndjenjave fetare dhe me blasfeminë.A mund të bëhet ideal I njeriut provokimi dhe cili mund të jetë misioni i karikaturistëve që aq shumë mbështeten në lirinë e shpreh]es. Urrejtja dhe ofendimi që përcjellen me karikaturat e Pejgamberit Muhamed, a mund të mbrojnë ndonjë vlerë, a mund të transmetojnë ndonjë mesazh tjetër përveç nënçmimit dhe ofendimit të ndjenjave fetare të muslimanëve ?
Përherë e kam mbështeur lirinë e shprehjes dhe përherë kam qenë në anën e atyre të cilët kanë dashur të thonë zëshëm atë që mendojnë, ndoshta i motivuar nga fakti se gjenerata ime është ritur në një sistem totalitar në të cilin mendimi i lirë është sanksionuar skajshmërisht. Por, mendoj se edhe liria e shprehjes duhet të ketë limitet e veta, ajo duhet t’ia mundësojë njeriut të ndryshojë qëndrimin ndaj botës por jo duke i stigmatizuar ata që i takojnë një kombi apo një feje tjetër.Cfaë hajri mund të ketë njerëzimi nga ajo liri e shprehjes që diskriminon grupe të caktuara njerëzish dhe në atë mënyrë shërben si nxitëse e tensioneve dhe konflikteve ?
Sëkëndejmi, duke e njohur ndjeshmërinë e muslimanëve kur bëhet fjalë për ofendimin e Muhamedit a.s. jam edhe i befasuar, edhe i zhgënjyer me veprimet e Wildersit i cili përkundër faktit që është gjykuar nga opinioni evropian për qëndrimet e veta, po vazhdon të luaj me zjarr e të përhap islamofobinë. Konkursin të cilin ky njeri i pavetëdijshëm dëshiron t’a organizojë, Holanda e vetëdisjhme për efektet provokuese të tij, e kishte ndaluar një herë. Shpresoj t’a ndalojë përsëri, në emër të tolerancës, mirëkuptimit dhe dashurisë mes njerëzve.

A vdiq Rugova si musliman apo si katolik
Duke u bërë gati të përfundoj këtë shkrim, më ra në sy një deklaratë e Vikarit Gjeneral të Dioqezës Prizren-Prishtinë, Don Shan Zefi, i cili po thoshte se Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova “kurrë nuk ka vdekur si musliman” sepse ka pasur “respekt të thellë për Selinë e Shenjtë dhe për Papën, e ka njohur krishterizmin nëpër gishta, shpirtin e tij katolik nuk e mohon as Zoti, pagëzimi kulturor i Rugovës ka qenë me Pjetër Bogdanin sepse ka mbrojtur disertacionin për jetën dhe veprën e tij…”
Këtë deklaratë, Don Shan Zefi e paska dhënë karshi deklaratës së Adnan Merovcit, një njeri shumë i afërt i Ibrahim Rugovës, sipas të cilit “Ibrahim Rugova ka vdekur si musliman”.
Fjalët e Vikarit kuptohet se nuk i vendosi në një rrafsh me ato të Wildersit, vetem i konsideroj si një shkëndi që mund t’a ndihmojë zjarin islamofobik që po djeg anembanë. Do ndalem pak te kjo deklaratë e Don Shan Zefit jo për diçka tjetër përveç për faktin se tema është e deplasuar dhe është folur për atë shumë nëpër kuloare. E konsideroj tërësisht të panevojshëm rihapjen e këtij debati sepse ai mund të prodhojë efekte të pakëndshme në opinionin tonë që edhe ashtu është i etshëm për thashethëna që ndezin gjakrat. E Don Shan Zefit, miqësisht, dua t’ia them fjalë-dy:
Kryesëpari,Ibrahim Rugova është lider politik historik i shqiptarëve dhe përkatësia e tij fetare nuk e ka përcaktuar mendimin, veprimin dhe angazhimin e bërë për Kosovën. Rugova ka qenë teresisht i vetëdijshëm për përkatësinë multikonfesionale të popullit të vetë. Pak rëndësi ka a ka vdekur ai si musliman apo si i krishterë, megjithëse unë kam dëgjuar nga hoxhallarë kosovarë se ka vdekur si musliman. Tekefundit, anipse figurë shumë e rëndësishme politike e kombëtare, ai përpara Zotit ka shkuar me bagazhin e veprave të veta, pra përpara Zotit ai është vetëm një individ, e muslimanë dhe të krishterë ka shumë.
Pikësëdyti, fakti që Rugova ka respektuar Selinë e Shenjtë dhe kishën katolike, vetëm flet për edukatën dhe kulturën e tij, sepse një intelektualit shqiptar i takon të shprehë respekt si për fenë islame ashtu edhe për atë të krishterë, si për xhaminë ashtu edhe për kishën. Nga ana tjetër, disertacioni i shumëpërfolur i dr. Ibrahim Rugovës që ka të bën me jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit nuk e bën atë katolik, siç nuk e bën Don Shan Zefin musliman dashuria eventuale për Naim Frashërin,siç nuk më bën mua katolik fakti që At Gjergj Fishtën e konsideroj poetin më buçitës shqiptar, e as më bën ortodoks respekti për Fan Stilian Nolin që dikur aq me dhembje këndonte:
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anes detit i palarë,
Anes drites i paparë,
Prane sofres i pangrenë,
Prane dijes i panxenë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur….

Zoti e shpërbleftë Ibrahim Rugovën për kontributin madhor kombëtar të dhënë për shqiptarët muslimanë e të krishterë. A e ka deklaruar ai shahadetin në çastin e vdekjes apo i është drejtuar Jezuit, e di ai vetë, jo Don Shan Zefi i respektuar të cilit po i lutem publikisht që të mos e kruaj plagën me krande sepse nga ajo mund të del gjak.Kujtimi për Dr. Ibrahim Rugovën do të jetojë në mbamendjen tonë vetëm nëse bëjmë kujdes që të mos e trazojmë shpirtin dhe gjakun e popullit tonë në këtë përiudhë që po gjeneron aq shumë paqartësi dhe mjegullnaja në horizont e po pjellë cdo dite nga një Wilders të ri. Dhe, Islamofobia si intolerancë ndaj muslimanëve fare lehtë mund të sjellë Kristianofobinë.

Comments are closed.