Kolumnë: Të jetosh në qyqari

Kolumnë

Të jetosh në qyqari

Qyqarët vdesin me qindra herë gjatë jetës së tyre;të guximshmit e përjetojnë vdekjen vetëm një herë(Vilijam Shekspir)

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Edhe guximtarët më të mëdhenjë dhe trimat e dalluar gjatë historisë kanë pranuar se në çaste të caktuara janë frikësuar sepse frika është një ndjenjë normale njerëzore, është diçka që shfaqet si rezultat i një situate specifike. Por, kjo nuk quhet qyqari.
Qyqari quhet fajësimi i tjetrit për mossukseset e tua,mbulimi i gjurmëve të paaftësisë tënde duke ua ngarkuar të tjerëve fajin për gabimet që vetë i ke bërë, mungesa e përpjekjes për të jetuar në harmoni me Zotin dhe me urdhërat e Tij, me qenien tënde. Të jetosh në qetësinë e rreme që të ofron qyqaria do të thotë të bashkjetosh me frikën,qetësia e qyqarisë gjason me qetësinë që mbulon varezat.
Dhe, pikërisht qyqaria është shkaktarja e kaosit në shoqëri, ajo i zhbën vlerat etike e morale, i mundëson politikës të zhytet në ujërat e zeza, ekonominë e shndëron në fushë pjellore për krimin e korupcionin, kulturën e bën tallava.Qyqaria është gjendja e mendjes dhe shpirtit që njeriun të cilin Zoti e ka krijuar për të qenë i lirë e mbërthen në pranga e zinxhirë. Pastaj, i robëruar dhe i paaftë, njeriu i mbërthyer nga qyqaria mësohet të frymojë në botën që përpara syve të tijë ndërtohet,zhvillohet dhe funksionon mbi gënjeshtrat.
Jeta është ajo që është, ajo nuk bën lajka dhe nuk krijon iluzione, lajkat dhe iluzionet krijohen në mendjen e njeriut që jetën e shikon si proces vegjetimi në pritje të ndonjë “budallai” që do e marrë mbi vehte detyrën e vetëdijësimit të individit, të kolektivit, të kombit e të shtetit, të njerëzimit. Por, ja që “budallenjtë” moti e kanë kuptuar se është shumë më e lehtë dhe më e levërdishme të nxitësh qyqarinë kolektive se sa të përpiqesh të udhëheqësh njerëz të vetëdijshëm e të guximshëm. Sëkëndejmi, ata tmerohen nga mundësia që dikujt ndonjëherë do i kujtohet të shtrojë atë pyetjen esenciale: Për çfarë arsyesh jeta jonë është e zhytur në kaos nëse aq shumë po flitet për të vërtetat mbi të cilat po u ndërtuaka ajo ?
E ajo pyetje po pezullon mbi kokat tona dhe po e pret çastin që dikush t’a shtrojë. Atëherë, të gjithë do e kuptojnë se sa shumë është keqpërdorur e vërteta, në ç mënyrë të gabuar është perceptuar ajo. Mes tjerash do e kuptojnë se sa është e madhe diferenca mes krijimit të “të vërtetave” dhe të vërtetës. Druaj që një pyetje e këtillë që nëkupton të çliruarit nga gënjeshtra dhe nga ëndrallat, po qëndron pezull edhe këtu ndër ne, në këtë shoqëri e cila po vazhdon të funksionojë mbi bazë të aftësisë se kush do e manipulojë tjetrin, kush do jetë më i zoti të imponojë të vërtetën e vetë ndërkohë që ajo e shkreta është vetëm një.
Sidoqoftë, këtu, gjendja e shpirtit dhe zemrës, mendjes dhe vetëdijes po vazhdon të hibernojë në një situatë në të cilën po mbretërojnë smira dhe dashakeqësia që fare lehtas mund të shndërohen në idiotësi. Faktet e jetës tonë po thonë që gjithnjë e më shumë po na mungon njerëzia, se mjerimi shpirtëror e ai material që mbretërojnë po e nxitin ikjen valë valë të rinisë e cila po refuzon të etiketohet si qyqare dhe po kërkon jetë më të dinjitetshme.

 

Comments are closed.