Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Kolumnë: Në pritje të Santa Clausit e Shën Nikollës

Kolumnë

Në pritje të Santa Clausit e Shën Nikollës

Druaj se edhe Viti i Ri do të duket identik sikur Viti i Vjetër. Ata që në natën e ndrimit të motmoteve do ia futin gjum më heret se zakonisht bile nuk do zhgënjehen që nuk erdhën Santa Klausi e Shën Nikolla.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Në një takim rasti para disa viteshj, një intelektual maqedonas më pyeti pa ndonjë qëllim të keq:Pse ju muslimanët nuk e festoni Vitin e Ri, festë kjo që është njëra nga më të vjetrat në historinë e njerëzimit?

Sepse, kremtimi i Vitit të Ri është festë që ka elemente të traditës pagane e cila me kohë është përzier me elemente të kulturës krishtere.Sepse, bredhi të cilin njerëzit e stolisin për këtë festë është në fakt bredhi i Krishtlindjes për të cilin të krishterët besojnë se meqë ka formën trekëndëshe, paraqet Trininë e Shenjtë(Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë).Sepse, Baba Dimri që sjellë dhurata ekskluzivisht për Krishtlindje, është Santa Claus, Father Christmas ose, për ortodoksët – Shën Nikolla.Sepse, mes tjerash, nuk kam dëgjuar që ndonjë i krishterë e feston Vitin e Ri Hixhri. Kështu iu pata përgjegjur intelektualit maqedonas dhe kështu mendoj edhe sot.

Kuptohet, as në fund të mendjes nuk më shkon t’ua ndaloj kremtimin e kësaj feste njerëzve tanë që ju pëlqen të dëfrehen natë e Vitit të Ri, kjo gjë varet nga botëkuptimet dhe bindjet e çdo njeriu, Unë vetëm e kam obligim t’ua spjegoj se çfarë në të vërtetë paraqesin simbolet e festës që po e festojnë, asgjë më shumë. Tekefundit, edhe gjynahet, edhe sevapet që kemi bërë në këtë botë shënohen në defterin tonë personal.

Sidoqoftë, po pranoj se çdo fundvit,,pa ato elemente të cilat i përmenda më lartë, është një rast për të bërë rekapitulim të një periudhe të jetës tonë, qoftë në rrafshin individual, qoftë në atë shoqëror.Meqë sukseset dhe zhgënjimet individuale janë çështje private dhe privatësia mbetet vetëm e jona, do përpiqem të rikujtoj se çfarë na solli në planin e përgjithshëm viti që po shkon dhe çka po shpresojmë se mund të n’a sjell viti që kemi përpara.

Por, sado që po përpiqem, nuk po mund të sjell ndërmend fortë e fortë çaste të gëzuara dhe suksese që i kanë bërë përshtypje njeriut të rëndomtë në Maqedoni. Kryesisht po më kujtohen tensionimet, pakënaqësitë, skandalet koruptive e gjyqësore, premtimet e papërmbushura, përçarjet e skajshme politike,ndasitë e thelluara ndërpartiake e ndëretnike, ikja e rinisë “ku sytë këmbët” nga ky shtet që me sharrë elektrike po e pret degën mbi të cilën është ulur. Dhe, po më kujtohet se hulumtimet treguan që në vitin i cili po shkon dhe po le nga një rrudhë bakshish në fytyrat tona, një përqindje alarmante e popullatës po jetonte në varfëri ose buzë varfërisë! Sipas anketave të institutive relevante ndërkombëtare, popullata e Maqedonisë gjendet në pozitë shumë të lartë sa i përket depresionit dhe pesimizmit të qytetarëve të vetë.

Sëkëndejmi, duke u bazuar në fakte të prekshme me dorë,qofsha i gabuar, kam përshtypjen se as viti që po vie nuk do sjellë ndonjë ndryshim kushedi se çfarë.Përkundër optimizmit që kam dhe përkundër besimit se Maqedonia si një shtet i vogël me njerëz shumë të vyeshëm ka mundësinë të prosperojë, po frikësohem se ndasitë do theksohen, pakënaqësitë do të shtohen, varfëria do të troket nëpër dyer edhe më tej sepse ata që duhet t’a parandalojnë po merren me gjëra triviale në vend se të forcojnë përpjekjet për aderim në BE, të rinjtë edhe më tej do synojnë Perëndimin sepse atë kursesi nuk po arijmë t’a sjellim në vend…

E pra, në këtë gjendje dhe në këtë ambient të përgjithshëm, shumë njerëz po i gëzohen Vitit të Ri dhe në mungesë të një shprese konkrete i kanë drejtuar sytë nga Santa Clausi dhe Father Christmas, disa të tjerë po e presin Shën Nikollën.

Ju qoftë pra i gëzuar Viti i Ri, por ama nuk duhet haruar se Viti i Ri vie i gëzuar vetëm nëse të gjithë ne bashkë ia kemi trasuar rrugën dhe ia kemi përgaditur një taban mbi të cilin duhet të mbërijnë ndryshimet. Ndryshe, druaj se edhe Viti i Ri do të duket identik sikur Viti i Vjetër. Ata që në natën e ndrimit të motmoteve do ia futin gjum më heret se zakonisht, bile nuk do zhgënjehen që nuk erdhën Santa Klausi e Shën Nikolla.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni