Kolumnë: Libri që ndryshoi botën

Kolumnë
Libri që ndryshoi botën
Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund ta bënin sikur ky, sado që do ta ndihmonin njëri tjetrin”(El Isra:88)
Shkruan h. Sulejman ef Rexhepi

Autori i bestselerëve të shumtë ndërkombëtarë, shkrimtari brazilian Paulo Kueljo, para disa vjetësh publikisht i doli në mbrojtje Islamit duke e cilësuar publikisht Kur’anin si “Libër që ndryshoi botën”. Atëbotë kishte reagime nga më të ndryshmet që ngjallën debate e polemika të shumta dhe, mes tjerash, disa njerëz e patën kualifikuar Kur’anin si burim të dhunës dhe të vrasjeve. Kueljo ishte përgjegjur: Nuk është e vërtetë. Unë jam i krishterë dhe po them që me vite fenë tonë jemi përpjekur t’a imponojmë me dhunë, me shpatë, kemi vrarë gratë duke i shpallur shtriga, jemi përpjekur të pengojmë shkencën, siç është rasti me Galileun. Pra, nuk qëndron faji te feja, faji është te njerëzit të cilët manipulojnë me fenë!
Mendoj se ky qëndrim i Kueljos, është në fakt përgjegjja e drejtë lidhur me fushatën që po bëhet për të satanizuar Kur’anin dhe Islamin në përgjithësi e duke propozuar “reforma” të cilat duheshka të përjetojë Fjala e Allahut që të bëhet kompatibile me kërkesat e jetës moderne.Kohëve të fundit bile më ka rastisur të dëgjoj e të lexoj qëndrime sipas të cilave “ Muslimanët duhet të liberalizohen dhe të pranojnë interpretimin modern të Kur’anit në përputhje me metodat historiko-kritike të hulumtimit sipas të cilit çdo fjalë e shkruar në Kur’an nuk konsiderohet Fjalë e Zotit. Në të kundërtën, teroristët dhe ekstremistët do t’a përdorin Kur’anin për të rekrutuar përkrahës të rinjë …”!?
Kuptohet, këto teza që po përhapen nga intelektualë të ndryshëm perëndimorë, por edhe nga një rreth i caktuar intelektualësh muslimanë që gabimisht mendojnë se në atë mënyrë do ia sigurojnë vehtes atributin e njerëzve modernë, janë teza shumë kundërthënëse dhe përfundojnë në pakuptimsi. Sepse, pikëpamjet Kur’anore ofrojnë një gamë të tërë mekanizmash mbrojtëse përpara klisheve kulturore e shoqërore që mëtojnë të imponohen nën petkun e modernizmit. Kur’ani përfundimisht paraqet një sistem vlerash të pamohueshme që me shekuj janë përcjellur dhe do vazhdojnë të përcjellen deri te çdo njeri. Për rrugët, mënyrat dhe metodat se si do përcjellen ato vlera, kush dhe si do e transmetojë e do e spjegojë Kur’anin Famëlartë, ekziston ulemaja islame, ekzistojnë institucione shumë serioze islamike, ekzistojnë universitete islamike!
Në këtë vazhdë, duhet përkujtuar “këshilluesit kujdestarë” se muslimanët kanë bindjen dhe besimin që Kur’ani Famëlartë është Fjalë e Zotit dhe jo një libër i shkruar nga njeriu, Islami është fe hyjnore sepse është e shpallur nga Allahu, përndryshe do të ishte vetëm një ideologji. Sëkëndejmi, nëse Kur’ani “reformohet”, nëse njeriu intervenon në përmbajtjen e tij dhe fillon t’a spjegojë ashtu siç i konvenon momentumit aktual politik, ai do e humbë peshën, vlerën dhe kuptimin e vetë.
Por, ekziston një segment tjetër që është i lidhur me jetën dhe ekzistencën e muslimanëve në përgjithësi e që kërkon një reformë serioze për të cilën rallëherë dhe rallëkush po flet. Shoqëria muslimane është ajo që ka nevojë për reforma horizontale e vertikale, ajo po vuan për ndryshime të cilat janë të domosdoshme në rrafshin e arsimimit, në përparimin e mendimit shkencor, kulturor e edukativ, shoqëria muslimane po vuan për një zhvillim të bujshëm ekonomik e teknologjik, ajo ka nevojë për mjekësi të avancuar, për ngritjen e vetëdijes së muslimanëve për mbrojtjen e ambientit jetësor… Të këtilla reforma ju nevoiten muslimanëve pa asnjë dyshim sepse është e qartë se ata në sfera të caktuara kanë ngecur shumë pas Perëndimit. Në një situatë në të cilën muslimanët do të kuptonin se civilizimi perëndimnor ka shumëçka pozitive për të ofruar dhe se reformat e shoqërisë muslimane janë kërkesë e kohës, nuk është gabim nëse të gjithë ne mësojmë dhe marrim shembull nga ata që e kanë avancuar jetën,arsimin, shkencën dhe ekonominë e tyre.
“Kur’ani është përplotë me porosi dhe rregulla të mrekullueshme; Kompozicioni i tij është asisoj që nuk mund të shfletojmë asnjë faqe e të mos gjejmë parime të cilat të gjithë njerëzit, pa dallim, duhet medoemos t’i mbështetin. Kur’ani ofron tekste, principe dhe rregulla të cilat krijojnë një tërësi që i përgjegjet kërkesave dhe nevojave të njeriut të rëndomtë në çdo situatë” (John William Draper)

 

Comments are closed.