Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Kolumnë: Çfarë më duhet atdheu që nuk quhet Amerikë

Kolumnë
Çfarë më duhet atdheu që nuk quhet Amerikë
“Do kisha dhënë çdo gjë për të kuptuar saktësisht se për çfarë janë bërë të gjitha ato gjëra për të cilat në opinion thuhet se janë bërë për atdheun”
Georg Christoph Lichtenberg,

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Është e pamundur të jetosh vazhdimisht në rehati dhe në mirëqenie sepse atëherë jeta nuk do e kishte vlerën dhe kuptimin e vetë të plotë kurse ne do ishim të privuar nga mundësia për të njohur nuancat dhe sfidat që i imponon mysafirllëku ynë në këtë botë.Kam bindjen se ,në fakt, problemet dhe vështirësitë me të cilat ndeshemi gjatë jetës janë sprovë nga Zoti, janë një test se sa do jemi të gatshëm e të aftë për përballje me ato.Sepse, është marrëzi të vuajmë për gjërat që nuk i kemi ose për ato që i kemi pasur dhe i kemi humbur. Çdo humbje ka një arsye, por nuk ekziston asnjë arsye për të hequr dorë nga mundësitë e shumta të cilat jeta i ofron, pavarësisht nga fakti se mund të na ketë shkaktuar dhembje e goditje nga më të rëndat.
Mjerisht, kështu nuk po mendojnë shumica e të rinjve tanë që po largohen nga vendi çdo ditë e më shumë me të gjitha shpresat dhe pritjet e tyre të parealizuara që po i përmbledhin në strajcën e gurbetit. Janë alarmante numrat të cilat kishin dalur nga një studim i bërë këtu në Maqedoni sipas të cilit mbi 70% e të rinjve e shohin ardhmërinë e tyre jashtë vendit dhe njëqindmijë të rinjë që aktualisht gjenden në vend as nuk mësojnë e as nuk punojnë gjë. Rrjedhimisht, po frikësohem se së shpejti, e ballafaquar me një politikë të paqëndrueshme që do të përkujdesej për ardhmërinë e sajë,rinia do bëhet pakicë në Maqedoni.
Titullin e këtij shkrimi, “Çfarë më duhet atdheu që nuk quhet Amerikë”, në fakt e huazova nga rrëfimi i një mjekut të ri shqiptar që kishte ndarë mendjen të zhvendoset në Amerikë, qoftë edhe duke u përbiruar shtigjeve nëpër të cilat kontrabandistët meksikanë i shpiejnë emigrantët drejtë “tokës së premtuar”.
“Do punoj në ndërtim a në ndonjë restoran dhe do e bëj cope e grimë diplomën e mjekut për të cilën hoqa të zinjtë e ullirit plotë shtatë vjetë që pastaj ta mbaj si dekor në murin e shtëpisë së babait. Nuk dua më të bëhem mjek, dua të bëhem me një atdhe që s do më pyet si e kam emrin dhe prej nga kam ardhur, që nuk do më kërkojë para për të më punësuar, që fëmijëve të cilët inshallah do i kem do ju ofrojë mundësi të gjejnë rrugën e tyre në jetë. Dua atdhe në të cilin nuk satanizohet gjuha të cilën e flet, dua atdhe në të cilin shkollat janë të përbashkëta dhe të integruara, dua atdhe që do më mbrojë nga keqbërësit dhe do më ofrojë siguri, atdhe në të cilin korupcioni dhe zhvatja nuk janë pjesë e folklorit, dua atdhe që do më dojë mua dhe unë do e dua atë, dua atdhe që do quhet Amerikë…”, më tha mjeku që ia kishte mësyer të ndryshojë atdhe.
Mbeta i habitur. Koncepti për atdheun si një kopsht me lule, si një jastëk në të cilin na ka rënë koka, si një simbol për të cilin duhet dhënë edhe jetën, qenka tretur në ëndrat tona romantike. Bindjet se duhet ecur përpara sa here që të mbyllen dyert e atdheut, se atdheu nuk pyetet çfarë ka bërë për ne po çka kemi bërë ne për atë, se për një atdhe të mire duhet bërë shumë përpjekje dhe sakrifica, paskan mbetur të kënduara në poezi.” Jo kot kanë thënë latinët e vjetër se çdo gjë rrjedhë dhe çdo gjë ndryshon, dhe ja ku paska ardhur koha të ndryshojë edhe koncepti për atdheun”, mendova në vehte sepse mjekun që po ndryshonte atdhe vetëm do e kisha bezdisur me ndonjë polemikë për konceptin atdhe, ai kishte zgjedhur udhën e vetë. Paçka që ne do mbetemi me një mjek më pak, se një familje do e humbë trashëguesin e vetë, se shembullin e tijë do e ndjekin edhe shumë të tjerë…
Nuk i thashë mjekut të ri, por ja po ia them tani: O djalë i mire, edhe aty ku je nisur do përballesh me vështirësi, ndoshta jo të natyrës së njejtë me të cilat këtu po ndeshesh, por vështirësi do jenë. Atëherë mos haro një gjë të cilën do duhej ta kishe ditur edhe këtu, mos haro se asnjë natë nuk zgjatë në pakufi sepse mëngjesi dhe drita vijnë pas çdo nate për të na përkujtuar se çdo grimcë e jetës është luftë që i hudhë tutje pengesat drejtë ardhmërisë, se plaga është vrima nga e cila jeta depërton në trurin dhe trupin e njeriut, se ëndrat tona duhet mbindërtuar me punë e djersë sepse ndryshe mbeten vetëm fluska sapuni. Mos haro asnjëherë o djal i mire se të gjithë ne kemi vetëm një jetë të cilën duhet shfrytëzuar për të lënë një gjurmë pas vehtes, një kujtim, një buzëqeshje. Dhe, mos haro të çohesh në këmbë pas çdo goditjes që do të të vijë anipse atdheu yt do të quhet Amerikë!

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni