Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Kolumnë

Kolumnë

Infodemia më e rrezikshme se pandemia

Konspiracionet e ndryshme për të cilat po lexojmë si edhe informatat që nuk kanë kurfarë baze të qëndrueshme shëndetsore, ndjellin frikë e panik. Duke i ndjekur ato, edhe njerëzit të cilët nuk janë të prekur nga Corona po fillojnë të ndihen të sëmurë.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Bota është në luftë,njerëzimi po përballët me sfidën më të madhe që e ka prekur pas Luftës së Dytë Botërore, jeta përpara përhapjes së virusit Corona shikuar nga kjo distancë dhe nga kjo atmosferë që po mbretëron shumëkujt po i duket si një ëndër…
S’do mend se ka të vërteta në konstatimin e fillimit të këtij teksti, s’do mend se njerëzimi është i frikësuar përpara hovit që po merr kjo epidemi e panjohur deri sot, s’do mend se njeriu natyrshëm më shumë se nga dukuritë tjera frikësohet nga e panjohura.
Sot, përveç Zotit të cilit i mbështetemi, asgjë nuk është më e rëndësihme se krijimi i frontit të përbashkët kundër epidemisë vrastare, sot si asnjëherë më parë,duken triviale shpurthjet e disave të bëjnë politikë, sot edhe arsimi e kultura ia kanë liruar vendin luftës së përbashkët, sot edhe organizimi i jetës fetare është i dëmtuar sikur asnjëherë më parë për shkak të ndalesave dhe restrikcioneve të cilat po i aplikon Qeveria me rekomandim të ekspertëve të epidemiologjisë.
Por, njeriu të cilin Zoti, për dallim nga krijesat tjera e pajisi me aftësinë e të menduarit, i dhuroi inteligjencën dhe aftësinë për t’ju adaptuar kohëve e situatave më të ndryshme, do të ngadhnjejë edhe mbi Virusin Corona, siç ka ngadhnjyer gjatë historisë mbi epidemi të ndryshme dhe ka tejkaluar kriza gjithfare.
Sëkëndejmi, është shumë e rëndësishme që informatat të cilat i ofrohen popullatës lidhur me epideminë të frymojnë me besueshmëri të qindpërqindtë, ato s guxojnë të modifikohen e të shërbejnë për klikime sepse ashtu i jepen krahë epidemisë. Një këshillë e gabuar në këtë situatë mund të shkaktojë zinxhir të tërë veprimesh të gabuara.
Dhe, kur po flas për këto dukuri, e kam posaçërisht me mediat nga margjinat e internetit, portale dhe blogje të caktuara të cilat po përhapin panik te qytetarët, pa ia varë veshin faktit se përgjegjësia ndaj publikimit të informatave në këtë situatë është shumëfish më e madhe se sa në situatat normale.
Është e njohur se në situata kur njeriu është i frikësuar fillon të kërkojë rrugëdalje gjithkund dhe pavetëdijshëm bëhet viktimë e informacioneve të rrejshme të cilat shkaktojnë panik. Nëse kësaj i shtohet edhe fakti që një pjesë e mirë e popullatës tonë nuk di të dallojë lajmin e rrejshëm nga ai i vërteti, fotografia kompletohet në tërësi kuse njeriu i painformuar drejtë bëhet përhapës i virusit dezinformativ që shpërndahet me të njejtin ritëm sikur pandemia, në mos edhe më shpejtë.
Njohësit e rrethanave të këtilla dhe psikologët po thonë se shqetësimet, streset dhe reagimet emotive ndaj frikës ndikojnë që njerëzit më lehtë t’ju besojnë thashethënave se njohtimeve zyrtare duke e eliminuar në masë të madhe të menduarit dhe të vepruarit racional.
Në këtë situatë, përfundimisht duhet të gjithë ne të mbështetemi në rekomandimet që vijnë nga organet kompetente shëndetësore e të informohemi nga burime kredibile të cilat nuk vrapojnë pas lajmeve senzacionaliste. Në këtë drejtim edhe Organizata Botërore për Shëndetësi tërheq vërejtjen se përhapja e lajmeve të paverifikuara është po aq e dëmshme sikurse edhe vetë pandemija.
Pra, konspiracionet e ndryshme për të cilat po lexojmë si edhe informatat që nuk kanë kurfarë baze të qëndrueshme shëndetsore, ndjellin frikë e panik. Duke i ndjekur ato edhe njerëzit të cilët nuk janë të prekur nga Corona po fillojnë të ndihen të sëmurë.
Këto ditë të trazuara që po i jetojmë janë edhe sprovë përpara të cilës ne të gjithë do duhet të dëshmojmë gadishmërinë dhe aftësinë për të mbijetuar. Në këto përpjekje nuk ka vend për frikën dhe nuk ka vend për panikun. Mbështetja te Zoti dhe veprimet tona racionale, solidariteti dhe humaniteti, e mbi të gjitha vetëdija e plotë për rrezikun që vie nga Covid 19, do na mundësojnë të tejkalojmë epideminë e ti kthehemi jetës normale.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni