Kolumnë

Kolumnë

Sulmi ndaj lirisë

S’do mend se partitë e djathta ultranacionaliste që abuzojnë me idenë e Europës së krishterë po e rritin taborin e ksenofobëve.Ato, në fakt, nuk po e sulmojnë vetëm Islamin, ato po e sulmojnë vetë lirinë dhe duke vepruar kështu po atakojnë edhe fetë tjera e po i sulmojnë parimet themelore të demokracisë.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Me vite të tëra jemi dëshmitarë të “brengës” së përgjithshme lidhur me Islamin dhe me fatin e muslimanëve, por pak e aspak nuk kemi parë ndonjë analizë apo studim më të thellë e më objektiv I cili do të dëshmonte interesin real që të spjegohet e tërë ajo që po ndodh në trungun e fesë që numron mbi dy miliardë pjesëtarë.
Kujtoj se prekja e përcioptë e fenomeneve që derivojnë nga Islami dhe mungesa elementare e njohurive te ata që dëshirojnë të bëjnë spektakle mediatike e politike duke e ngërthyer muslimanin në kazanin e pistë të antipropagandës, vetëm po i thellojnë ndasitë dhe tensionet ekzistuese në rrafshin e dallimeve mes civilizimeve dhe përkatësive fetare.
Dhe, kur po flas për keqkuptimet dhe keqinterpretimet që po i bëhen Islamit, nuk e kam vetëm me shprehjen e fabrikuar “terorizmi islamik” i cili është bërë një strumbullar për të derdhur qëndrimet negative, frustracionet , animozitetet dhe intolerancën ndaj fesë islame dhe konceptit islam. Siç mund të konstatohet fare lehtë,është sulmuar dhe po sulmohet në kontinuitet vetë esenca e Islamit, koncepri i të jetuarit sipas parimeve islame,po sulmohen rregullat dhe parimet islame. Të gjitha këto nuk kanë asnjë lidhje me “terorizmin islamik”, ato janë segmente që përbëjnë Islamin si fe dhe civilizim i veçantë, i dallueshëm dhe tjetërsoj nga fetë dhe nga civilizimet tjera.
Shprehja e fabrikuar “terorizëm islamik” me të cilën po përpiqen të n’a identifikojnë forca të caktuara sepse ne besojmë Allahun xh.sh., ka një qëllim dhe një funksion të vetëm që është ndarja e muslimanëve me Evropën dhe me Perëndimin në përgjithësi. Por, ata që po përpiqen të n’a ndajnë po harojnë se ajo floskula idiotike “Cdo musliman nuk është terrorist, por çdo terrorist është musliman” është dekonstruktuar moti pikërisht nga vetë muslimanët.
Në këtë drejtim, muslimani është i stërlodhur nga arsyetimet dhe spjegimet e qëndrimeve të veta dhe të fesë të cilës i takon, është stërlodhur duke qartësuar esencën paqësore dhe tolerante të Islamit. Dhe, në një situatë të këtillë, janë të deplasuara, biles tingëllojnë qesharake konstatimet se “Evropa dhe i tërë Perëndimi janë të frikësuar nga dhuna të cilën e gjeneron Islami, andaj janë të kuptueshme inisiativat për të larguar vehten nga muslimanët…”
Jo, mendoj unë, as Evropa e as Perëndimi nuk janë të frikësuar nga Islami, segmente të caktuara të tyre mund të jenë të frikësuara nga ajo që është tjetërsoj, nga diçka që është ndryshe prej sistemit të tyre të vlerave, sistem ky të cilin muslimanët kursesi nuk ua mohojnë e nuk ua rrezikojnë. Të respektosh vlerat e civilizimit tënd, kursesi nuk do të thot rrezikim i civilizimit të tjetrit. Pra, në vend se Perëndimi të merret me “analiza” shterpe që nuk po sjellin kurfarë rezultatesh dhe vetëm po e thellojnë ndasinë me Islamin dhe muslimanët, ajo do duhej të merret me vetvehten, ajo do duhej t’i përgjegjet vehtes se a thua multikonfesionaliteti dhe multinacionaliteti po e dëmtojnë apo po e bëjnë më të fortë?
Siidoqoftë, retorika antiislame që po dëgjohet në Evropë dhe po buron, ç’është e vërteta kryesisht nga qarqet e të djathtës ekstreme e cila po kërkon ashpërsimin e qëndrimeve ndaj muslimanëve, është e padrejtë dhe cënon rëndë shekullarizmin e proklamuar evropian që mbështetet mbi lirinë e fjalës, të mendimit e të besimit dhe angazhohet për kultivimin e multikulturalizmit.
S’do mend se partitë e djathta ultranacionaliste që abuzojnë me idenë e Europës së krishterë po e rritin taborin e ksenofobëve.Ato, në fakt, nuk po e sulmojnë vetëm Islamin, ato po e sulmojnë vetë lirinë dhe duke vepruar kështu po atakojnë edhe fetë tjera e po i sulmojnë parimet themelore të demokracisë.

Comments are closed.