Ka filluar ndërtimi i Qendrës Kulturore Islame në Oslo

Më 20 maj 2011 në kryeqendrën e Norvegjisë, Oslo, me moton “Të vëmë gurthemelin e ardhmërisë sonë” u  hodh gurthemeli i Qendrës Kulturore Islame Shqiptare.  Kjo qendër funksionon që nga vitet 80-të, e cila është tepër aktive dhe në mënyrë të rregullt mban kontaktet me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë.
Ajo ka dhënë kontribut  të madh,  në vazhdimësi,  për institucionin e BFI-së dhe institucionet edukativo-arsimore. Pasi që nevojat e besimtarëve tanë janë shtuar dhe zgjeruar, Kryesia e Xhamisë ia arriti që të merrte një objekt dhe tek i njëjti të hedhin gurthemelin për ndërtimin e Qendrës Kulturore Islame Shqiptare.
Në praninë e delegacioneve të ndryshme fetare dhe shtetërore,  të ardhura nga vendlindja dhe diaspora shqiptare,  Kryesia e QKISHN së bashku me anëtarët e kryesisë së fondit “Ndihmo edhe ti” dhe imamin e Qendrës,  Bekim ef. Sulejmanin dhe kryetarin e Qendrës,  Femi Baftiun, me mjaft sukses realizuan vënien e gurthemelit të kësaj qendreje të madhe, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 1800 m².
Në këtë manifestim të gurthemelit ishte prezent Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, h. Afrim ef. Tahiri, kryeimami i Myftinisë së Tetovës, Ejup Selmani, ambasadori i Arabisë Saudite, z. Halid Sherif,  u.d. ambasador i Maqedonisë në Oslo, z. Goran Cekov, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica. Në mesin e tyre ishte prezent edhe imami i Xhamisë së Cyrihut të Zvicrës, hfz. Nebi Rexhepi, përfaqësues i bankës që financoi projektin e ndërtimit, Kryesia e Xhamisë së Drammen-it, xhamisë së boshnjakëve në Oslo, përfaqësues të xhamisë më të madhe në Oslo, përfaqësues nga policia e Oslos, z. Erik Andersen, imamë dhe kryesi, si dhe shumë xhematlinj,  afaristë dhe aktivistë të denjë të kombit. Në fjalën e tij të rastit h. Afrim ef. Tahiri theksoi se “ vlera dhe roli i ndërtimit të xhamive është tejet i madh; në veçanti për diasporën shqiptare, e cila ruan vlerat e veta kombëtare dhe fetare”.
Ai potencoi se njerëzit ndahen në shumë kategori: besimtarë-pabesimtarë, të arsimuar- të paarsimuar, të pasur-të varfër,  ndërtues-rrënues, prandaj, tha ai,  “më vjen mirë që këtu jemi për të ndërtuar diçka; kjo është cilësi e lartë që duhet të mbrohet dhe të ruhet; le të jetë ky ndërtim edhe një vend nga ku neve na jepet mundësia që këtij shteti, Norvegjisë, t’i kontribuojmë me vlera, me ndërtim të një shoqërie sa më të zhvilluar;  ky shtet meriton që ju të kontribuoni  në të mirë të tij. Nga fillimi i kësaj ceremonie shumë herë deri më tani u përmend sentenca ‘selam- paqe’, andaj ju porosis që të punoni në përhapjen e selamit. Në emër të Reis-ul-Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi,  ju uroj për këtë punë tuajën dhe tonën, duke ju dëshiruar që ta finalizoni sa më lehtë e sa më shpejt dhe të gjithë bashkë t’i gëzohemi hapjes solemne”.
Ndryshe,  në QKISHN funksionon edhe shkolla fillore në gjuhën shqipe, ku mësimin e ndjekin afër 200 nxënës. Xhamia merret me aktivitete të ndryshme,  si ato humanitare e ngjashëm, pastaj organizon kurse të ndryshme etj. Është karakteristikë e veçantë se shumicën e xhematit e përbëjnë të rinjtë dhe aktivitetet e ndryshme udhëhiqen nga gjenerata relativisht e re. Vlen të theksojmë, gjithashtu,  se atje funksionon Radio-Rilindja, e cila për çdo javë ka emisione të rregullta. Në përgjithësi,  jeta fetare islame zhvillohet në mënyrë shumë të organizuar dhe gurthemeli i ri e dëshmon këtë.
afrimm afrimmmm

Comments are closed.