IU DHA LAMTUMIRA E FUNDIT HAFIZ MULLA MAHMUD EF. ASLLANIT

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shqir ef. Fetai, të martën më 22.06.2021, i priu delegacionit të Rijasetit të BFI në varrimin e Hafiz Mulla Mahmud ef. Asllani .
Një ditë më parë, në reagimin e tij në rrjetet sociale, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai shprehu dhimbjen e tij dhe pikëllim për shuarjen e kandilit i cili ka ndriçuar mbi gjysmë shekulli në këtë nënqiell, me punën vetëmohuese në përgatitjen e hafëzëve të rinj, duke përgatitë e mësuar Kuranin Famëlarte tek mbi 200 Hafizlerë.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin pikëllues se Hafiz Mulla Mahmud Asllani ndërroi jetë dhe kaloi në botën e amshueshme.
Hoxha i madh i Tetovës ia dorëzoi shpirtin të Madhit Zot, krenar që ia kushtoi një jetë të tërë Islamit, moralit, dijes, e në veçanti kultivimit të hafizëve në trojet tona.
Mbushi vendin me qindra dijetarë dhe hafizë të mirënjohur. Ai ishte i Islamit, i popullit musliman. Ishte i palodhshëm, i pastër si loti, modest, i urtë, i durueshëm, dinjitoz, i buzëqeshur, i drejtë, i butë dhe me vullnet të paluhatshëm…
Mulla Mahmudi kaloi në botën tjetër, por mbetet inspirim i gjallë për të gjithë ne dhe model se si duhet jetuar, si duhet vepruar dhe si duhet vdekur.
“Të All-llahut jemi dhe tek Ai, doemos, është kthimi.” tha Reisul Ulema i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
.
Momentet e pikëllimit dhe frymëzimit
Në praninë e mijëra besimtarëve, qytetarëve të Tetovës dhe shumë qyteteve tjera nga i gjithë Ballkani, që kishin ardhur të përcillnin për në banesën e fundit Hafiz Mulla Mahmud ef. Asllanin, u bë ceremonia e varrimit.
Duaja për merhumin, Mulla Mahmud Efendiun, u bë te shtëpia e tij në orën 16:00, më 22.06.2021, ndërsa pas faljes së namazit të Iqindisë, në Xhaminë e Pashës u bë falja e xhenazes.
Myftiu i Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi në fjalimin e tij ngushëlloi familjen e Hafiz Mulla Mahmud ef. Asllanit. Më pas përshëndeti të gjithë të pranishmit nga vendi dhe nga jashtë, duke i falënderuar të gjithë për prezencën e tyre kaq masive, për ti dhënë nderimet e fundit Mulla Mamudit dhe për ta respektuar familjen e tij të nderuar.
Prezent në këtë ceremoni varrimi ishin figura të larta fetare, ku përpos Reisul Ulemasë dhe Myftiut të Tetovës me bashkëpunëtorët e Rijasetit dhe Myftinisësë Tetovës, prezent ishin: Atasheu për Çështje Fetare Pranë Ambasadës Turke në Shkup – Hfz. Mustafa Mesten, H. Reshat ef. Mexhiti, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Evzal ef. Sinani, Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Kumanovës, H. Abedin ef. Imeri, Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Kërçovës Qamil ef. Rushiti, Myftiu i Shtipit, Nasir ef. Rexhepi, Kryetari i Kuvendit të BFI Fejsal ef. Kadriu, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame prof. Dr. Shaban ef. Sulejmani, Drejtori i Medresesë Isa Beu, prof. Ibrahim ef. Idrizi, të gjithë drejtorët e sektorëve në Rijasetin e BFI, hoxhallarë, profesorë të FSHI dhe Medresesë Isa Beu, besimtarë nga vendi e nga jashtë.
Edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame prof. Dr. Shaban ef. Sulejmani iu drejtua të pranishmëve, me ç’rast ngushëlloi familjen dhe foli rreth faktit se ngjarjet e tilla të dhimbshme duhet të na frymëzojnë më shumë dhe se personazhet më virtytet e larta që e karakterizonin personalitetin e Mulla Mahmudit, do të kujtohen përherë nga mbarë shoqëria.
Ndërsa, H. Reshat ef. Mexhiti, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës në fjalimin e tij kushtuar Mulla Mahmud efendiut tha se jo vetëm Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, por edhe Bashkësia Islame e Kosovës, por edhe gjithë shqiptarët në trojet tona kudo që jetojnë, e kemi pas kandil të imanit që ka ndriçuar gjithandej, me moralin, me kujdesin dhe me dashurinë për Kuranin, për Islamin dhe për muslimanët në përgjithësi, andaj, kandili ndriçon gjithmonë kur është i ndezur, por në momentin kur fiket, atëherë njerëzit e dinë dhe e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e tij. Uroj nga zemra që këtij kandili Allahu Fuqiplotë t’ia ndriçojë rrugën deri në Xhenet.
.
Fjalimi i Reisul Ulemasë
“Në këto momente të mërzisë sonë dhe pikëllimit tonë, më lejoni t’ju përshëndes me përshëndetjen e të Madhit Zot, Esselamu Alejkum – Paqja dhe mëshira e të Madhit Zot qoftë gjithmonë me ju” tha Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, duke shtuar më tej se: “Jemi këtu për të përcjell për në Botën tjetër, hoxhën e madh të trojeve tona, Haxhi Hfz. Mulla Mahmud ef. Asllani. Është një humbje e madhe dhe dhimbje e madhe për familjen e rahmetliut, për të gjithë besimtarët, për gjitha institucionet tona. Ne të gjithë e dimë faktin se jeta fillon me përcaktimin e të Madhit Zot, dhe jeta mbaron me përcaktimin e të Madhit Zot. Hoxha i nderuar të gjithëve na ka mësuar se vdekjen e përjetojmë më thënien e të Madhit Zot që na ka mësuar në Kuranin Famëlartë: Ne jemi të Allahut dhe tek Allahu do të kthehemi.
Vëllezër e miq të dashur, derisa ishte i gjallë të gjithë ne mësuam prej tij. Na mësoi gjithçka nga Islami. Por diçka e di, se tani do të mësojmë edhe më tepër nga rahmetli Mulla Mahmud efendiu. Sepse ai në jetën e tij na i la tri amanete shumë të fuqishme. Tri Shtylla.
Shtylla e parë ishte, se muslimanët së pari duhet të formësojnë personalitetin e tyre në frymën e Kuranit famëlartë. Ta formësojë familjen e tij të jetojë sipas islamit dhe në këtë mënyrë të jetë në shërbim të islamit, besimtarëve dhe njerëzve në përgjithësi. Këtë e kishte rahmetli Mulla Mahmudi në personalitetin e tij, në familjen e tij dhe në shoqërinë e tij.
E dyta, na e la amanetin e fuqishëm, se për suksese të mëdha duhet sakrificë e madhe. Mulla Mahmudi na tregoi në praktikë se veprat e mëdha, amanetet e shenjta realizohen kur i përkushtohesh realizimit të tyre me të gjitha potencialet fizike, shpirtërore, intelektuale, prandaj Mulla Muhmudi ishte i amanetit të tij, për të qenë në shërbim të të gjithë neve.
Dhe e treta shtyllë vëllezër të dashur ishte amaneti, se me njerëzit duhet të jesh i buzëqeshur dhe ishte i tillë. Duhet të jesh i urtë dhe ishte i tillë. Duhet të jesh i mençur, dhe ishte i tillë, duhet të jesh i palodhshëm dhe ishte i tillë.
Andaj këta tre amanete e kemi për obligim ti realizojmë në jetën tonë. Dhe me këtë them se Mulla Mahmudi fizikisht ka kaluar në Botën e amshueshme, mirëpo si njeri i idealeve dhe misionit të shenjtë vazhdon të jetë në mesin tonë, më duket se edhe më fuqishëm. Ndonjëherë habitesha, bisedonim me Myftiun tuaj të nderuar të Tetovës. Një herë madje e pyeta: Mulla Mahmud, si i qëndron kaq fuqishëm kësaj detyre të kultivimit të hifzit të Kuranit Famëlartë?
Shkurt më tha: ‘E dua shumë Kuranin Famëlartë dhe pa Kuranin Famëlartë jam i vdekur’. Andaj vëllezër të dashur, miq e mysafirë të nderuar, të jeni të bindur se ky personalitet i madh që po kalon në Botën tjetër, është plotësisht në suazat e Kuranit Famëlartë” tha mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalimin e tij para të pranishmëve.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë, mund ta ndiqni në linkun:
.
Biografia e Mulla Mahmud ef. Asllani – (1932-2021)
Mulla Mahmud ef. Asllani u lind më 15.03.1932 në fshatin Çiflik të Tetovës. Mësimet e para fetare do t’i merr në mektebin e fshatit, te Mulla Beqir efendiu. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fshehurazi ka vijuar mësimet në fshatin Merovë te Mulla Tahiri, ku tre vite do të udhëtojë në Merovë, për të mësuar rregullat elementare të sarfit dhe nahvit.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, në vitin 1954, do të punësohet si imam në fshatin Novo Sellë ku do të shërbejë 9 vite. Ndërkohë, do të arrijë ta merr edhe provimin për imam, ku kryetar i komisionit do të jetë, Haxhi Bedri ef. Hamidi-kryetar i atëhershëm i Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
Pasi i mbushi 40 vjet, gjegjësisht në vitin 1972, do të punësohet në Xhaminë e Larme (Pashës) dhe deri në fund të jetës do të shërbejë në këtë xhami si muallim dhe muhafiz. Vlen të përmendet se puna e tij ka hasur në vështirësi dhe pengesa, të cilave mualimi në fjalë u ka bërë ballë me dinjitet, derisa ato u bënë realitet. Hafizët të cilët kanë mësuar te ai arrin numrin 200. Shumica e hafizëve që kanë përfunduar te ai kanë vazhduar në Medresenë “Isa Beu” dhe në Medresenë Furkan të Sirisë dhe pas përfundimit të Medresesë̈ kanë vazhduar studimet në vende të ndryshme siç janë: Shkup, Kosovë, Bosnjë, Turqi, Siri, Jordani, Egjipt, Arabinë Saudite, Kuvait, Irak etj…
Një numër bukur i madh i tyre kanë diplomuar në universitetet e ndryshme islame. Disa prej tyre edhe kanë magjistruar dhe doktoruar. Shumica prej tyre aktualisht punojnë̈ si profesorë në universitete, imamë, mualimë, myezin dhe në shërbime tjera fetare në Tetovë dhe rrethinë, dhe jashtë saj (Kosovë, Turqi etj.). Pas një sëmundje të shkurtër, ai vdes më 21.06.2021. Allahu e pastë mëshiruar!

Comments are closed.